Fatmirësisht, lënda plasëse nuk shpërtheu, çka do ta bënte akoma më tragjike këtë të dielë, ndërkohë që për familjen e Administratorit të KF Vllaznia, orët e para të paradites të së dielës kanë qënë orë ankthi dhe pasigurie.
Shkodranët kanë nëvoje për siguri për jetën, për familjen, për bisnesin! Ata nuk kanë nevojë për show-n e rradhës dhe as për deklaratat boshe të cilat duket qartë se nuk trembin krimin, mesa duket të veshur me “pushtet” në Shkodër.
Ngjarja e sotme, ashtu si dhe të tjerat më përpara, janë këmbanë alarmi për Shkodrën dhe shkodranët, duhet të jetë këmbanë alarmi për këtë qeveri e cila, nga dita në ditë po jep prova se vetëm krimin nuk e lufton.
Ngjarjet e rënda të njëpasnjëshme në Shkodër, tregojnë më së miri se askush nuk ka frikë nga shteti, sidomos krimi dhe eksponentët e tij. Ndërkohë që tek ata që kanë kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në Shkodër, çdo ditë është e mbushur me frikë, me ankth për të punuar, për të rritur fëmijët dhe për të jetuar në këtë qytet.
Shkodra ka nevojë për siguri dhe rend. Strukturat shtetërore, agjensitë ligjzbatuese e kanë detyrë kushtetuese garantimin e tyre. Por mbi të gjitha, duhet treguar vullnet në përballjen me krimin e eksponentët e tij, vullnet që akoma nuk po ndihet në Shkodër.
Si qytetare e parë e Shkodrës, kjo është thirrja ime drejtuar të gjitha institucioneve që duhet ta bëjnë këtë qytet të jetueshëm për banorët e saj.