VOLLGA/ Cilët janë 3 gjyqtarët që po heton Prokuroria për rastin “Shullazi”

Apr 22, 2016 | 11:20
SHPËRNDAJE

Pas daljes në ditë të skandalit të kalimit të ponësisë së ish-hotel Vollgës te Emiljano Shullazi, Prokuroria e Durrësit ka filluar hetimin për tre gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Ata dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në rastin e shqyrtimit gjyqësor civil për pronësinë e ish-hotel “Vollga”.

Shullazi-Vollga1DOSJA 

Prokuroria e Durrësit, e cila po zhvillon hetime për veprën penale të “Fallsifikimit të dokumentave” mbi mënyrën e tjetërsimit të truallit dhe godinës së ish-“Vollga” në qendër të qytetit, ka konstatuar një vendim të dyshimtë gjykate mbi këtë çështje.

Në një proces civil që ka zgjatur për disa vite, dy palë kanë pretenduar pronësinë mbi truallin dhe objektin. Konkretisht, Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brother Commercial Company” dhe shtetasi Zanmir Hasa, janë përballur në gjykatë me pretendimet e tyre dhe çështja ka arritur deri në Gjykatën e Lartë.

Por, Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se, ndërkohë që po zhvillohej shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Lartë, gjykata e Durrësit, për të njëjtin objekt, ka marrë vendimin nr. 449, dt. 18.02.2013, në bazë të të cilit urdhërohet Hipoteka e Durrësit të regjistrojë si pronar në këtë pronë shtetasin Mohammed Abdullah Bavazer, duke fshirë automatikisht nga regjistri hipotekor emrin Zanmir Hasa, i cili rezultonte deri në atë kohë si pronar pranë ZVRRP Durrës.

Prokuroria e Durrësit dyshon se vendimi nr. 449, dt. 18.02.2013 i gjyqtarëve Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel, i cili ndodhej në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria e Durrësit vlerëson se vendimi gjyqësor i mësipërm nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi në asnjë dispozitë të Ligjit  nr.7843, dt.13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” nuk parashikohet koncepti i “fshirjes” së një regjistrimi të kryer apo “anullimi” i fshirjes.

Në vlerësimin e prokurorisë, shkelja është e dukshme, pasi gjykata, në asnjë moment të vendimit të saj, nuk ka shprehur se në çfarë dispozite e bazon vendimmarrjen e saj konkrete për anullimin e fshirjes së kryer nga ZVRPP Durrës.

Prokuroria e Durrësit, deri në këtë fazë të hetimit, ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky vendim i gjykatës është marrë haptazi në kundërshtim me ligjin, pasi, duke mospasur asnjë bazë ligjore, gjykata ka vendosur diçka të cilën nuk mund ta vendoste në asnjë rast.

Ky veprim i gjykatës është kryer me dijeni të plotë të paligjshmërisë nga ana e saj, pasi vetë gjykata në vendim është shprehur se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të sigurohet pasi të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë vendimi nr.433, dt.13.03.2002 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në zbatim të të cilit, Hotel Iliria (ish-“Vollga”) ishte regjistruar në emër të Zanmir Hasës.

Pra, nga njëra anë gjykata ka pranuar se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të vinte pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të konfliktit të themelit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër, po kjo gjykatë, ka vendosur fshirjen e regjistrimit të pronës nga emri i Zanmir Hasës dhe regjistrimi në emër të shoqërisë Saudit Brothers Commercial Company.

Krahas hetimit të nisur tashmë, Prokuroria do të njoftojë Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë mbi dyshimet e saj për vendimmarrjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura