VOLEJ FEMRA/ Presidenti i Partizanit paralajmëron merkato të madhe: Gati tri superlojtare dhe një trajner i madh

Nov 5, 2019 | 18:21
SHPËRNDAJE

Pas largimit të trajnerit turk Nejat Sançak, tashmë zyrtarisht Partizani në volejboll për femra nuk do të ketë më shërbimet e lojtareve të huaja: Hudeçova, Basa, Këllëç dhe Mans, ndërsa në pikëpyetje është edhe e ardhmja e afrikanes Benita.

volejboll partizani

Këtë gjë e konfirmon vetë presidenti i të kuqeve, Rogert Huqi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Huqi njofton se tri nga lojtaret janë shitur në kampionate të ndryshme dhe së shpejti do të zyrtarizojë trajnerin e ri, që do të jetë një emër i rëndësishëm dhe do të sjellë me vete edhe disa lojtare edhe më të forta se të larguarat.

“Sllovaken Hudeçova dhe amerikanen Mans i kemi shitur në Turqi. Turken Basa në Japoni, ndërsa jemi në pritje të ofertave për afrikanen, – tregon Huqi. – Trajneri i ri do të vijë me tri përforcime të reja, të cilat do të jenë më të mira se këto që kishim. Duke qenë se u rrit buxheti nga shitja e këtyre kemi mundësinë të transferojmë lojtare më të mira për pjesën e mbetur të sezonit. Për sa i përket trajnerit mund t’ju them që janë tri kandidatura: një malazez, një italian dhe një trajner turk shumë i njohur”, deklaroi sponsori i kampioneve të Shqipërisë, por pa dhënë emra konkretë.

Huqi

Huqi më pas rikthehet të flasë për eksperiencën në Europë, aty ku Partizani mori një kualifikim historik, duke kaluar në raundin e tretë të Ligës së Kampioneve: “Në Champions ishim pa fat në short, sepse nga 8 skuadra të mundshme na ranë dy më të fortat, Brçko dhe Vashash. Po kështu pa shans dhe në Kupën CEV, ku nëse kalojmë spanjollet e La Lagunës më pas kemi Gallatasarajin, ekip me 16 milionë euro buxhet. Kështu që, objektivi është të bëjmë më të mirën me spanjollet, pasi Gallatasarajin s’kemi shanse që ta kalojmë. Jo vetëm ne, por asnjë, pasi që tani specialistët e kanë shpallur kampion të Kupës CEV. Megjithatë, ishte një eksperiencë e mirë që na vlejti shumë. Tani e dimë shumë mirë së çfarë duhet të korrigjojmë sezonin e ardhshëm për të shkuar në grupe. Mësuam se si duhet të jetë dhe se çfarë duhet të bëjë një skuadër që pretendon grupet e Ligës së Kampioneve. Tashmë objektivi ynë është fitimi i kampionatit dhe i Kupës”, thotë Huqi.

Kujtojmë që Partizani bëri një paraqitje mjaft të mirë në turin e dytë të Champions-it, duke mundur në të dyja ndeshjet boshnjaket e Brçkos. Më pas në raundin e dytë u eliminua nga Vashashi i Hungarisë, ku i humbi të dyja takimet. Tashmë kryeqytetaset do të luajnë në Kupën CEV ndaj spanjolleve të La Lagunës, me ndeshjen e parë që do të luhet në Spanjë, më 4 dhjetor, ora 20:00.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura