Vokshi-Kumbaros: Nuk mund të vini këtu dhe të flisni ndryshe. I çmendur, ti apo Rama?

Mar 29, 2018 | 15:32
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u thirr dje në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për çështjen e Teatrit Kombëtar.  Një temë dite, që tashmë ka dalë përtej oborrit të TK-së dhe nuk i takon më vetëm artistëve, qofshin këta rrogëtarë ose jo, në këtë institucion. I parashikuar për diskutim edhe në një seancë të paradokohshme, por pa arritur deri aty, për shkak të diskutimeve për një tjetër temë që lidhej me shembjen e disa monumenteve të kulturës nga reshjet e fundit, u mendua se këtë herë do të ezaurohej tema e Teatrit dhe ministrja Kumbaro do të mund t’u përgjigjej ca pyetjeve që mund t’iu kenë lindur edhe qytetarëve shqiptarë që kanë ndjekur këtë ping-pong, që po zhvillohet për më shumë se 1 muaj e gjysmë, mes prezantimesh dhe përplasje deklaratash.

vokshi-696x457

Do të shembet apo jo Teatri Kombëtar? A ka një projekt? Përse nuk u hap një konkurs për Teatrin Kombëtar? Përse do të sakrifikohet trualli i teatrit për t’ia dhënë privatit? Përse do të ndërtohen kulla në një tokë publike, mu në zemër të kryeqytetit? E të tjera si këto. Por Komisioni i Edukimit, përkundër emërtimit që ka, nuk zhgënjen asnjëherë. Sa herë që në këtë komision diskutohet ndonjë temë me interes të lartë publik dhe salla mend pëlcet nga kamerat e televizionet dhe gazetarët, diskutimi mbetet gjithnjë në mes. Anëtarët e këtij komisioni, qofshin këta në opozitë apo maxhorancë, drejtuar nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi, duken sikur bëjnë garë me njëri-tjetrin se kush bërtet më shumë, kush i pret fjalën më shumë kolegut, le pastaj ministres, ai është qejf i madh, për të arritur deri te shkelja e etikës dhe fyerjet. Nën këtë frymë u zhvillua dje seanca maratonë në Komisionin e Edukimit.

Prej orës 09:00 deri në 14:00, anëtarët ia kaluan edhe këngëtarëve të operës për nga tonalitetet, pa arritur të merrej thuajse asnjë përgjigje. Njëorëshi i parë kaloi me çështje procedurale, për orarin e dëgjesës, përse në këtë orë dhe përse në atë orë. “Ju keni caktuar orarin e kësaj dëgjese, nga ora 09:00-10:00, është e papranueshme. Nuk doni që të përballeni me problematikën e një afere, skandaloze, korruptive dhe klienteliste”, u shpreh Vokshi, ndërsa i quajti mashtrime të gjitha përgjigjet me shkrim që Kumbaro u kishte kthyer pyetjeve të komisionit. “Çdo rresht i asaj është mashtrim zyrtar, unë ju ftoj që ta tërhiqni, sepse keni gënjyer Parlamentin zyrtarisht, për të fshehur një krim ligjor–shtetëror, atë që mendoni të bëni me ndërtimin e teatrit edhe të kullave. Kam fakte që keni gënjyer për këtë skandal. Si mund të mbroni ligjin e trashëgimisë, kur ju po i shkatërroni këto vlera qëllimshëm?

v2-5

Çfarë doni të bëni me shkatërrimin e Teatrit, plani 20-vjeçar i Teatrit”, shtoi ajo. Më tej opozita vijoi me të tjera denoncime, si dhënia e truallit publik, privatit, ngritja e kullave, mungesa e transparencës, heqja e teatrit nga lista e monumenteve, etj. Pas disa përpjekjeve të ministres për të dhënë ndonjë shpjegim, u kalua në pyetjet e komisionit, të shoqëruara me komentet përkatëse. Ndërsa deputetët e PD-së dhe LSI-së e konsideruan një “skandal” atë që po ndodh me Teatrin, deputetët e PS-së u treguan të përmbajtur.

Për ata ishte një e mirë publike ngritja e një teatri të ri. Sigurisht, ata nuk kishin asnjë mendim personal se çfarë duhej të bëhej me Teatrin Kombëtar, por ama i kërkuan ministres t’u përgjigjej se kur do të kemi një teatër të ri dhe dinjitoz, pa se si dhe qysh do të bëhej, këtë e dinin “ekspertët”. Por në fund, Kumbaro nuk iu përgjigj thuajse asnjë pyetjeje. Pas një ndërhyrjeje të kryetares Vokshi, e cila ndërsa dëgjonte për të disatën herë që nuk ka një projekt për TK-së, por një koncept, iu drejtua ministres, se kush ishte çmendur, Rama, që tha: “Do shembet apo ajo”. Kaq u desh dhe Kumbaro e la në mes seancën maratonë, që nuk i nxori dot kokën muhabetit.

Kumbaro braktis komisionin, Vokshi: I çmendur, ti apo Rama?

Ndonëse zgjati 5 orë, thuajse asnjë pyetje mbi Teatrin Kombëtar nuk mori përgjigje nga ministrja Mirela Kumbaro. Pas një dëgjese të gjatë të pyetjeve, komenteve, pretendimeve të anëtarëve të Komisionit të Edukimit dhe të Mjeteve të Informimit Publik, më në fund, kur ministres i erdhi radha, pa shkuar në përgjigjen e dytë, erdhi edhe kulmi i durimit. Ndërsa po përsëriste sërish çështjen e projekt-idesë së TK-së, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, do t’i drejtohej ndër të tjera: “Nuk mund të vini ju këtu dhe të flisni ndryshe. Ose njëri është i çmendur, ose tjetri”. Me gjithë kërkesën e Kumbaros për përmbajtje etike, Vokshi vazhdoi artikulimin, deri në momentin kur Kumbaro mblodhi dosjet dhe u çua nga tavolina. “Zonja Vokshi, ju sapo më fyet mua dhe Kryeministrin, me një etikë që nuk mund ta pranoj. Unë këtu e ndërpres. Ju nuk mund të quani të çmendur, as mua, as Kryeministrin”, tha Kumbaro dhe u largua. Ndërsa u drejtua për nga dera, Vokshi i tha se “ju po ikni, sepse nuk doni të përgjigjeni. Unë thashë: Zgjidhni, kush është ai i çmendur, që po çmend gjithë dynjanë. Një fjalë e urtë ishte…”. Pas largimit të Kumbaros, komisioni vazhdoi edhe pak minuta me debate për çështje etike, ndërsa “dosja” e Teatrit Kombëtar u la për një herë tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura