VOA: Shqipëria përballë nevojës për shtimin e prodhimit të misrit

Sep 17, 2022 | 22:29
SHPËRNDAJE

Pas një viti bujqësor të vështirë, për shkak të motit, por edhe rritjes së pa parashikuar të çmimeve si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimit të tij në ekonominë globale, fermerët po përgatiten të korrin misrin, një nga kulturat më të rëndësishme për ekonominë pasi përbën bazën ushqimore për blegtorinë.

MISER 5

Specialisti i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Kostandin Hajkoja, thotë se ashtu si gruri, edhe misri është një artikull i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Sipas specialistit Hajkoja, megjithëse këtë vit sipërfaqja e misrit u rrit me 10 përqind në krahasim me një vit më parë, Shqipërisë i duhet të importojë edhe rreth 100 mijë ton misër.

“Misri mbetet ndër kulturat prioritare të bujqësisë shqiptare pasi nevojat për të akoma nuk i plotësojmë. Rreth 2% e sasisë që nevojitet për konsumin në Shqipëri importohet nga jashtë”, thotë ai.

Fermeri Kujtim Garupi, nga fshati Kosmaç, kultivoi këtë vit me misër një sipërfaqe prej 5 hektarësh, por çmimi i naftës dhe situata e pasigurtë e tregut, e kanë vënë atë në vështirësi.

Ndërsa fermeri Robert Hila, nga fshati Ashtë, këtë vit ka marrë me qera 20 hektarë tokë, ku thuajse gjysmën e ka mbjell me misër. Ai thotë se këtë vit përfitoi nga shteti 600 litër naftë pa akcize, një sasi e vogël kjo për fermën e tij. Megjithatë, mungesa e ujit për vaditje ndikoi më së shumti në uljen e rendimentit të misrit për hektarë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit në Shqipëri janë mbjell rreth 64 mijë hektarë me misër nga rreth 58 mijë hektarë që u mbollën një vit më parë. P

ër shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimit në ekonominë globale, sipas zëvendës ministrit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, Dhimitër Kote, gruri dhe misri kanë marrë një rëndësi të veçantë në të gjithë vendet europiane, përfshirë edhe Shqipërinë.

Qeveria shqiptare ka nisur mbështetjen e fermerëve që merren me kultivimin e grurit në sipërfaqet mbi një hektarë duke i financuar me 30 mijë lekë për çdo hektarë, ndërkohë që vazhdon mbështetja e fermerëve me naftë pa akcizë.

“Ne prodhojmë rreth 400 mijë ton misër, gati 80-85% të nevojave të vendit dhe, për grurin, prodhojmë rreth 15 %, ose rreth 255 mijë ton nga 500 mijë ton që ka nevojë vendi. Me këtë mbështetje që bëhet, do të thotë që kjo sipërfaqe të rritet, rendimenti të rritet, që ne të kemi më shumë grurë dhe misër për të furnizuar shqiptarët”, thotë zoti Dhimitër Kote.

Ndërkohë, specialist Hajkoja thotë se, ashtu siç po mbështeten fermerët që kultivojnë mbi një hektarë grurë, është e nevojshme që qeveria të mbështesë edhe kultivuesit e misrit.

“Pretendohet për vitin e ardhshëm një rritje galopante e çmimit të farës së misrit. Natyrisht, edhe në kushtet e çmimeve të karburanteve do të jetë e nevojshme që sipërmarrësit, që mbjellin mbi 1 hektarë, të paktën të subvencionohen njësoj si gruri dhe, natyrisht, do të ishin në të mirë të prodhimit të misrit edhe investimet në strukturat ujitëse”, thotë ai.

Situata ndërkombëtare, e diktuar nga agresioni rus në Ukrainë si dhe nga një vit bujqësor me thatësirë, pritet të ndikojë jo vetëm tek çmimi i grurit në tregun rajonal, por edhe ai i misrit.

Aktualisht, çmimi i misrit në bursa është mbi 340 euro për ton dhe me tendencë në rritje. Ndërkohë, Shqipërisë i duhet te importojë për nevojat e veta më shumë se 100 mijë ton miser.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura