“Vlora ja bën fora”/ Presidenti Meta: Kryeministri në detyrë ka një kartelë psikiatrie dhe në datën 25 prill do kërkojë mëshirë! I them Ramës që…

Apr 10, 2021 | 18:48
SHPËRNDAJE

Nga Vlora, Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama. Në një komunikim për gazetarët me tone më të ashpra, Kreu i Shtetit tha se Rama ka një kartelë psikiatrike, të cilën do ta tregojë në 25 prill dhe do të kërkojë mëshirë per shkeljet që ka bërë.

Presidenti Meta paralajmëroi se do të qëndrojë në Vlorë deri në datën 26 prill, duke mos lejuar që të mos preket asnjë votë.

Një përgjigje kishte edhe për Damian Gjiknurin, për të cilin tha se nuk do të lejojë që të përsëriten historitë e Dibrës dhe Shijakut për vjedhjen e votave.

“Vlora është një vend i jashtëzakonshëm që ofron mundësi jo vetëm për turizëm, jo vetëm për turizëm kulturor dhe histori, por edhe për të sëmurët psikiatrik siç është kryeministri aktual. Kështu që në 26 prill, jam i sigurt që Vlora do të bëjë më të mirën për ta trajtuar në spitalin psikiatrik. Por nuk është ky problemi, problemi është që të paralajmërojmë dhe ndalojmë Damianin, i cili keqpërdoret dhe nuk erdhi mbrëmë në darkën që kishim me gazetarët ku u ftua të ishte pjesë për të diskutuar për procesin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Kryeministri në detyrë ka një avantazh që i urdhëron drejtorët që të shkelin ligjin. Kryeministri ka një kartelë të psikiatrisë që nga koha e komunizmit. Në datën 25 prill kur Vlora dhe Shqipëria të thotë fjalën e saj ai do nxjerrë kartelën dhe do kërkojë mëshirë dhe rrethana lehtësuese për shkeljet që i ka bërë Kushtetutës. Por Damiani nuk e ka një kartelë të tillë, as shumë ministra dhe drejtorë, prandaj të bëjnë kujdes në këto dy javë që kanë mbetur që mos rëndojnë pozitën e tyre para drejtësisë dhe sovranit.

Unë në Vlorë do të jem nga sot deri në 26 prill. Do të jem ditën dhe natën. Sic e kam ftuar Damian Gjiknurin sic është e dokumentuar live, me Ylli Rakipin dhe Nikoll Lesin.

Kujton Edi Rama, kujton ky “tërmeti” se në Vlorë mund të bëjnë ato historitë që kanë bërë në Dibër dhe Shijak! Pastaj zoti i ruajt se pastaj ju e dini që Vlora ja bën fora, Vlora Vlora bëja fora, bjeri më të lumtë dora. Dora e Vlorës do jetë e pamëshirshme ndaj armiqve të Shqipërisë”, tha Meta.

PERGJIGJE PER TAKIMET ME BUJAR LESKAJN

“Ai përmend Bujar Leskajn. Leskaj është një institucion i Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Unë sa u ndava nga Leskaj dhe do ta takoj prap. Ai tmerrohet se njerëz si Bujar Leksaj nuk i blen dot. Ai është vite dritë larg personaliteteve të tillë. Do ta marrë mesazhin në 25 prill për këtë histori. Unë kam qenë dhe do jem 24 orë në Vlorë deri në 26 prill. Kam ardhur natën dhe ditën dhe nëse Bujar Leskaj është subjekt i OFL jam krenar, sepse është një person që ka denoncuar kapjen e shtetit nga ky kryeministër. Edhe njëherë ju them, se zoti Rama dhe zoti tërmet, janë të ftuar të jenë këtu për të bërë gjithçka transparente. Nuk ka shans vota e një vlonjati të preket. Kaq po i them Ramës, po i them atij tërmetit dhe qametit që kujton se do blejë Vlorën dhe Vlonjatët. Vlora ja bën fora, bjeri moj të lumtë dora. Këtu do jem deri në 26 prill. Ma thërrisni Edi Ramën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura