Vllaznia vendos kusht për pagat, shkodranët ulin ndjeshëm rrogat e lojtarëve

Aug 5, 2018 | 18:24
SHPËRNDAJE

Pavarësisht se ende në klubin Vllaznia nuk është vendosur drejtori sportiv dhe trajneri i ri, tashmë në skenë ka dalë një problem tjetër. Bëhet fjalë për rinovimin e kontratave të futbollistëve. Administratori Suad Lici në daljen e tij të parë publike e ka bërë të qartë se niveli i rrogave do të ulet si për stafin teknik, ashtu edhe për lojtarët.

Por, është ende e paqartë nëse këta të fundit do ta pranojnë një gjë të tillë apo jo. Këtu bëhet fjalë për disa futbollistë që kanë qenë të mirëpaguar me rroga duke filluar nga 3, 4, 5 apo edhe 6 milionë lekë të vjetër në muaj. Sipas burimeve, rrogat për futbollistët në sezonin e ri, kur skuadra do të luajë në Kategorinë e Parë, do të jenë të gjitha jo më shumë se 2 milionë lekë të vjetër në muaj. Tashmë mbetet për t’u parë se cilët lojtarë do të jenë në planet e trajnerit të ri dhe cilët jo.

vllaznia

LOJTARËT

Ata që do jenë, do të nisin menjëherë bisedimet me administratorin për të firmosur kontratat e reja dhe pikërisht këtu mund të ketë edhe firo. Një gjë e tillë do të krijonte probleme sepse aktualisht Vllaznia nuk e ka luksin e kohës të presë apo të seleksionojë të tjerë. Kampionati nis pas një muaji dhe madje skuadra nuk ka kohë as për fazë përgatitore dhe jo më të presë lojtarë të tjerë për të ardhur. Gjërat duhet të marrin zgjidhje shumë shpejt dhe drejtuesit e klubit e kanë të qartë këtë gjë.

Firot e deritanishme dhe ato që priten të ndodhin pas rishikimeve të kontratave mund të sjellin jo pak probleme. Kuqeblutë do të kenë një sezon të vështirë, megjithatë një nisje e mbarë e kampionatit do të thoshte shumë për ta. Objektivi është i qartë, Vllaznia kërkon me çdo kusht rikthimin në elitë në fund të kampionatit, pavarësisht se kush do të jenë trajneri i skuadrës dhe kush do të jenë futbollistët që do të luajnë në fushë. Një sfidë tjetër e vështirë për kuqeblutë është ribërja e skuadrës dhe nisja e punës. Kuqeblutë po tregojnë sërish se e kanë të vështirë të kapërdijnë rënien në një kategori më poshtë.

TRAJNERI

Te Vllaznia deri më tani çështja kryesore ka qenë ajo e emërimit të trajnerit të ri të ekipit dhe njëkohësisht edhe e drejtorit sportiv të klubit. Një proces që mësohet se është drejt fundit kur edhe seleksionimet e para janë bërë. Nga sa ka bërë të ditur edhe klubi dy ditë më parë, mësohet janë tre emra për drejtor sportiv dhe 5 për trajner. Të gjithë emra të njohur që kanë kontribuar për Vllazninë.

Ndërsa vetëm njëri prej tyre nuk ka qenë më parë pjesë e këtij klubi. Ai është Ergin Firat. Ky është emri, i cili konkurron për të dyja pozicionet deri në përzgjedhjen përfundimtare. Nga sa mësohet, kandidaturat për drejtor sportiv si më të mundshme janë ato të Alban Hasanit e Agim Canajt. Ndërsa për trajner ato të Edi Martinit e Hasan Likës. Gjithsesi, në momentet e fundit pritet të ketë edhe surpriza. Sipas gjasave, javën e ardhshme do të zyrtarizohet edhe trajneri i ri.

ADMIR URUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura