Vllaznia merr një barazim shprese

Jul 15, 2011 | 12:43
SHPËRNDAJE
Vllaznia - Thun 0-0

Vllaznia ka marrë një barazim shprese ndaj Thunit, në përballjen e parë të turit të dytë paraeliminator të Ligës së Europës.Ndeshja e mbrëmshme në Shkodër është mbyllur me rrjeta të paprekura, por kuqeblutë zhvilluan një lojë të mirë, teksa patën disa raste për të kaluar në avantazh. Megjithatë, goli mungoi, ashtu siç mund të thuhet për Thunin. Gjithçka tashmë mbetet e hapur për kualifikimin dhe shkodranët ëndërrojnë se mund të bëjnë mrekullinë në ndeshjen e kthimit në Zvicër. Skuadra e Josës ka qenë më kërkuese përballë portës mike. Edhe Thuni ka pasur shanset e veta në këtë përballje, por një meritë të veçantë ka portieri i Vllaznisë, Mirosllav Vujadinoviç, i cili ka neutralizuar disa goditje. Miqtë kanë tentuar të befasojnë kuqeblutë me kundërsulme, por nuk ia kanë arritur. Thuni nuk është se ka ngjallur frikë si skuadër, pasi në “Loro Boriçi” tregoi se ishte një kundërshtar i zakonshëm dhe që shkodranët me pak fat në sfidën e kthimit mund të kalojnë në turin e tretë.
Pjesa e parë – Trajneri Mirel Josa nuk kishte bërë ndryshime në formacion. Ishin po të njëjtit lojtarë që barazuan ndaj Birkirkarasë, në një kohë që edhe këtë herë sulmuesi Vioresin Sinani e nisi nga stoli. Rastet kanë qenë të pakta dhe në pjesën e parë të dy ekipet kanë kërkuar të përfitojnë përmes gabimeve të tyre. Kur kishin kaluar vetëm 13 minuta lojë, ka qenë një gabim i mbrojtjes shkodrane, që i ka dhuruar një top sulmuesit kosovar të Thunit, Milaim Ramës, por ky i fundit gjuajti dobët dhe këtu përfitoi Vujadinoviç, i cili zgjati duart dhe largoi rrezikun afër vijës fatale. Megjithatë, vetëm dy minuta më vonë është Sukaj që lëshon një të majtë të fuqishme, por pret portieri mik. Deri në fundin e pjesës së parë, më pas ka kaluar gjithçka në një rutinë, teksa të dyja ekipet kanë kërkuar të kapin njëra-tjetrën në befasi. Sukaj e Vajushi kanë rrezikuar, por gjithsesi, pa shënuar.
Pjesa e dytë – Ashtu si edhe në pjesën e parë, shkodranët u kanë lëshuar mesin e  fushës miqve, për të qenë ata të parët në kontakt me topin. Për rreth 20 minuta nga fillimi i kësaj pjese rastet në portat respektive kanë munguar. Megjithatë, pas minutës së 70-të loja sikur është bërë më e bukur dhe janë tifozët shkodranë që e “nxehën” ekipin e tyre. Në fillim ishin miqtë përmes Lustrinelit që kërcënuan portën e Vujadinoviçit, por si gjithmonë malazezi tregohet i sigurt në ndërhyrjet e tij. Më pas është Vajushi dhe Sukaj që bëhen protagonistë për Vllazninë. I pari bënë gjithçka mirë, teksa merr topin që nga mesfusha e tij dhe pasi i afrohet zonës mike, gjuan fort dhe portieri Da Kosta grushton me vështirësi. Më pas radha është e Vajushit, që vepron bukur në zonë dhe gjuan po kaq mirë, por kur të gjithë prisnin që topi të shkonte në rrjetë, është portieri mik që grushton mrekullisht dhe e kalon në goditje këndi. Megjithatë, miqtë një minutë para këtij rasti kanë pasur një mundësi të artë, kur përballë Vujadinoviçit, i sapofuturi Lusyrineli, nuk arriti të shënonte. Edhe në minutat e fundit janë përsëri zviceranët që rrezikojnë, por malazezi i portës së Vllaznisë është në një ditë të shkëlqyer. Tre minutat shtesë janë mbyllur dhe gjyqtari kroat Igor Pristovnik sinjalizoi përfundimin e sfidës, që nuk pati fitues. Pas këtij barazimi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në sfidën e kthimit, që luhet më 21 korrik.

Vllaznia – Thun 0-0

Gjyqtarë: Igor Pristovnik, Z.Novosel, I.Modriç (Kroaci)
Kartonë të verdhë: Andrist, Shindelholz
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Rajoviç, Sykaj, Popoviç, Gocaj (Nimani 90′), Nallbani (Hasani 67′), Belisha, Abraham (Sinani 82′), Vajushi, Sukaj. Trajner: Mirel Josa
Thun: Da Kosta, Batig, Andrist (Uitver 69′), Luthi, Demiri, Xhunior, Shindelholz, Lezkano (Shneuli 89′), Matiç, Reinman, Rama (Lustrineli 62′).
Trajner: Bernard Shallande

Josa: Bravo skuadrës! Tani duhet vetëm një gol

Trajneri i Vllaznisë ka përshëndetur lojtarët e tij për lojën që bënë. “Dua të falënderoj të gjithë djemtë për atë çka dhanë në fushën e lojës. Ekipi kundërshtar na vuri në rrezik në minutat e para, megjithatë, me kalimin e kohës gjithçka u balancua. Për mendimin tim, skuadra zhvilloi një lojë të mirë. Mund të merrnim më shumë, por edhe mund të ishim ndëshkuar”, ka thënë Josa në konferencë pas ndeshjes. “Më duket një rezultat i drejtë dhe jemi të ndërgjegjshëm se gjithçka është e hapur. Ne kemi shpresë për t’u kualifikuar në ndeshjen e kthimit. Besoj se po shënuam një gol në transfertë, atëherë do të kemi shumë shanse”.

Shalande: Mund edhe të kishim humbur

Trajneri i Thunit ka deklaruar se skuadra e tij mbetet favorite për të kaluar turin. “Ne mund të merrnim edhe më tepër. Megjithatë, ashtu si shkoi ndeshja, barazimi ishte rezultati i  drejtë, sepse pati momente kur edhe mund të kishim humbur. Ne jemi më të favorizuar për sfidën e kthimit pasi luajmë në fushën tonë, megjithatë asgjë nuk ka përfunduar. Mund të them se ekipi i Vllaznisë bëri një paraqitje të mirë me një mbrojtje solide dhe me një portier të shkëlqyer. Skuadra vendëse përmes sulmeve të shpejta na vuri në vështirësi, por edhe ne patëm rastet tona dhe tani që ju njohim më mirë, mendoj se mund të fitojmë. Unë besoj tek kualifikimi i ekipit tim, pavarësisht se kur ke të bësh me një barazim pa gola, gjithçka mbetet e hapur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura