Vllaznia kompromis me pagat, lojtarët kanë pranuar të qëndrojnë me rroga më të ulta

Sep 3, 2018 | 9:19
SHPËRNDAJE

Vllaznia e sezonit të ri do të jetë ndryshe nga ajo e kampionatit të kaluar. Nuk ka më miliona dhe lojtarë me superpaga. Në Kategorinë e Parë, futbollistët që do të luajnë për skuadrën shkodrane, do të duhet të kënaqen me rroga normale. Drejtuesit e klubit kanë vendosur që të ndryshojnë strategji për sa i përket sezonit të ri.

vllaznia

Burime të sigurta pranë klubit kanë bërë të ditur se thuajse të gjithë titullarët e sezonit të kaluar, kanë pranuar të qëndrojnë sërish me Vllazninë edhe me paga të përgjysmuara.

KONFIRMIMI

Skuadra e sezonit të ri do të përbëhet kryesisht nga futbollistë vendës që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar sërish për Vllazninë me synimin për ta rikthyer në Superiore. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, një ditë më parë administratori i klubit, Suad Lici, ka konfirmuar se një pjesë e mirë e titullarëve kanë pranuar të luajnë për skuadrën kuqeblu. “Besoj se kemi gjetur gjuhën e përbashkët me të gjithë lojtarët. I keni lexuar të gjitha në shtyp.

Lika

Pjesa më e madhe e futbollistëve kanë shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë Vllazninë dhe unë i falënderoj publikisht”, tha ndër të tjera Lici. Burime pranë klubit kanë konfirmuar se lojtarët kanë pranuar një prej kushteve të rëndësishme që kanë vendosur drejtuesit për sezonin e ardhshëm që të përgjysmohen rrogat e lojtarëve.

Gjatë kampionatit të kaluar, futbollistët kanë përfituar paga nga 2, 3, 4 apo 6 milionë lekë të vjetër në muaj, ndërsa në fund të kampionatit skuadra nuk arriti të mbijetonte në Superiore. Tashmë që skuadra do të luajë në Kategorinë e Parë, edhe pagesat do të jenë normale. Ndërkaq, për sa i përket merkatos, bëhet e ditur se me lojtarët e huaj gjithçka është mbyllur dhe nuk do të ketë më afrime të tjera. Pritet që në ditët në vazhdim të ketë ndonjë afrim nga kampionati shqiptar. Synimi i skuadrës do të jetë rikthimi në Superiore.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura