Vllaznia çlirohet psikologjikisht, Tafili: Duhet të fitojmë edhe dy ndeshjet e radhës

Nov 24, 2017 | 15:42
SHPËRNDAJE

Pas fitores me Lushnjën te Vllaznia është rikthyer qetësia dhe shkodranët janë gati për ndeshjen e radhës ndaj Luftëtarit në shtëpi. Në një intervistë për mediat, mesfushori Alsid Tafili ka deklaruar se kuqeblutë e kanë kaluar ngërçin psikologjik dhe duhet që të synojnë gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës, ku, përveç triumfit me bluzinjtë, synohet edhe ajo ndaj Laçit.

Tafili

Siguruat një fitore të vuajtur ndaj Lushnjës. E prisnit?

Normalisht që ishte e vështirë, sepse e dinim që Lushnja vinte për t’u mbrojtur. Kishim edhe një problem, anën psikologjike, sepse nuk po e kalonim këtë ngërç. Por mendoj se bëmë një ndeshje të mirë duke krijuar shumë raste, si dhe kishim mundësi të shënonim edhe më shumë. Por, gjithsesi, jemi shumë të kënaqur që arritëm të merrnim tri pikët.

Sa ka vlejtur ai trepikësh i marrë?

Natyrisht që vlen shumë, sepse ka rritur anën morale të ekipit dhe kemi më entuziazëm për ndeshjet e ardhshme.

Megjithatë, po shpërdoroni shumë raste shënimi?

Po shpërdorojmë shumë, na ka ndodhur edhe në ndeshjet e tjera. Kemi bërë shumë ndeshje të mira, me volum, por nuk finalizojmë dhe kjo bën që të jemi në këtë pozicion në tabelën e klasifikimit.

Në fundjavë keni një tjetër ndeshje në shtëpi ndaj Luftëtarit. Si e shihni kundërshtarin?

Normalisht, edhe ata kanë pretendimet e tyre. Ne nuk duhet të buzëqeshim shumë se fituam me Lushnjën, duhet të përgatitemi, sepse ndeshjet janë shumë afër. Kemi tri ndeshje brenda në shtëpi dhe duhet të marrim maksimumin.

Mund të themi se Vllaznia tani ka bërë kthesën?

Të gjithë shpresojmë, të gjithë jemi duke punuar në këtë pjesë, edhe në stërvitje, edhe duke bërë analiza të gjata dhe mendojmë se kthesa është bërë. Kemi nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve ndeshjen e ardhshme ku shpresojmë të arrijmë marrjen e tri pikëve.

Ka probleme skuadra në aspektin fizik?

Forma sportive e skuadrës është e mirë edhe e imja personalisht. Personalisht bëj më të mirën për të ndihmuar ekipin, por edhe duke treguar vlerat e mia. Mendoj se duhet të kalojnë problemin psikologjik në të cilin ndodhemi.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura