“Vlerësim minimal për aftësitë”, zbardhet vendimi i KPK për prokurorin Staka

Aug 22, 2018 | 20:08
SHPËRNDAJE

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se prokurori i Shkodrës Vatë Staka, njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kaloi lehtësisht vetingun. Staka sipas KPK-së plotësoi të tre kriteret e rivlerësimit përfshi “një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”.

Në vendimin e arsyetuar të publikuar sëfundmi KPK thekson megjithatë se vlerësimi nuk ishte i gjithi pozitiv. “Vendimet e marra dhe aktet e kryera prej tij (Staka) kanë shtjellim relativisht të kuptueshëm”, thuhet në raport.

trupa-vate-staka-600x338

Vatë Staka iu nënshtrua procesit të rivlerësimit në listën prioritare si kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe u konfirmua pas hetimit administrativ nga treshja gjykuese Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine  dhe Etleda Çiftja.

Në rreth 10 faqe arsyetim, një ndër vendimet më të shkurtra të KPK, del se Staka nuk pati problem të dokumentimin e pasurisë, një shtëpi e ndërtuar në fillim të viteve 90’ në Shkodër, një makinë e blerë nga nipi dhe llogari bankare.

Nga hetimi mbi pasuritë KPK doli në përfundimin se Staka kishte të ardhura për të ndërtuar shtëpinë. “Komisioni hetoi mbi të ardhurat e ligjshme të subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur/bashkshortes , ku bazuar në analizën financiare që kishte si referim dokumentacionin e depozituar nga subjekti i rivlerësimit si dhe në provat e administruara nga institucionet publike dhe private, rezultoi se subjekti i rivlerësimit kishte të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e truallit dhe ndërtimin e shtëpisë”, thuhet në vendim.

Po aty është sqaruar përdorimi dhe më pas blerja e një makine që ishte në pronësi të nipit të Stakës. KPK thotë se fillimisht hetoi faktin që prokurori kishte përdorur shpesh makinën e nipit, duke dyshuar për pasuri të fshehur, por Staka solli dokumente që sqaronin se makina kishte qenë në përdorim dhe më pas ishte blerë prej tij.

KPK gjithashtu gjeti se një llogari kursimi në vlerën 2.3 milion lekë justifikohej nga të ardhurat e familjes. Staka po ashtu u cilësua i përshtatshëm edhe në kriterin e pastërtisë së figurës.

Në arsyetimin e shkurtër për aftësitë profesionale KPK thotë se më herët Prokuroria e Përgjithshme kishte vlerësuar Stakën “shumë mirë”, por vetë KPK duket se ka vënë në dyshim aftësitë e stakës për të shtjelluar vendimet.  “Nga vlerësimet e punës së subjektit Vatë Staka për vitet 2014, 2015 dhe 2016 të bëra nga Prokurori i Përgjithshëm, rezulton se subjekti Vatë Staka është vlerësuar “shumë mirë”  mbështetur në treguesit vjetorë të punës së këtyre viteve”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Po ashtu në vendimin e zbardhur thuhet se Staka nuk ka pasur më herët procedime disiplinore dhe se hetimi i Komisionit nuk ka gjetur te çështjet e hetuara prej tij probleme proceduriale apo të ndonjë natyre tjetër.  “Rezultoi se subjekti i rivlerësimit është i aftë, pasi ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve dhe është efiçent dhe efektiv në masë të pranueshme”, thuhet në konkluzionin e nxjerrë nga KPK.

Procesi i vetingut apo i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve në vend filloi në muajin mars të këtij viti me seancat dëgjimore për 57 subjektet e listës prioritare, përfshi kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë dhe anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas 48 seancash dëgjimore deri në fillim të gushtit janë shkarkuar 27 gjyqtarë dhe prokurorë dhe janë rikonfirmuar në detyrë 21 subjekte.

Marrë nga Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura