Vladimir Myrtezai: Si e rikthyem Vangjush Mion në Venecia

Mar 28, 2018 | 14:49
SHPËRNDAJE

ALMA MILE

Ai u rikthye në vendin ku pikturoi. Ndoshta do të ketë qenë amaneti i tij, por i së bijës, pa dyshim që po. Veprat e Vangjush Mios u ekspozuan pak ditë më parë në Venecia, në galerinë “Don Orione Artigianelli”. Një homazh për mjeshtrin e madh të pikturës shqiptare, kuruar nga artisti Vladimir Myrtezai Grosha.

Përmes një interviste, kuratori rrëfen sesi u bë e mundur ëndrra e trashëgimtares së Mios, ndërsa tregon se cili është vendi i këtij piktori në artin shqiptar, cilat janë tiparet e veprës së tij, si nuk u “përlye” në politikë dhe sesi mund të jetë pjesë e padyshimtë e një tregu ndërkombëtar. “Ai dëshmon edhe njëherë se mund të qëndrojë me nder në muzetë e rëndësishëm, me mbarsjen e duhur të një misionari të kulturës në tërësi dhe vendit të tij në veçanti”, thotë ai. 

vladimir myrtezai

Sapo keni “çuar” Mion në Venecia. Çfarë e nxiti këtë nismë? Pse Mio?

Drejtori i Galerisë së Korçës, miku im Kristi Ktona, më njohu me Aurel Naumin që kërkonte të më takonte. E mora si një ftesë mes miqsh. Ata më thanë se e bija e piktorit Vangjush Mio kishte diçka për të biseduar. Për një moment u stepa, pasi kisha kohë që i shmangesha projekteve të lodhshme që kanë të bëjnë me pikturën, por pas këmbënguljes së tyre, mora rrugën drejt Korçës, ku u takova pikërisht me Rozeta Mion.

U preka nga ky takim, me thënë të drejtën, pasi kisha përpara një dëshmi të gjallë që lidhej me Mion; mu duk diçka e pazakontë edhe për faktin se ajo ruan akoma një pasuri të konsiderueshme të një prej piktorëve shtresë e emblematikë. Ajo më rrëfeu se e kishte ëndërr ta ekspozonte të atin jashtë Shqipërisë. E pranova menjëherë këtë propozim, pa u menduar gjatë, pasi mendova se cili do të ishte fati i punëve të mia vite më pas, kur të mos jem, e ime bijë të kërkojë ndihmë për ekspozimin e veprave të mia. Qe një ndërlidhje që më bëri të pranoja aty për aty.

Ka një lidhje shpirtërore apo një arsye tjetër pse u zgjodh Venecia?

Mu desh të mendohesha për kontaktet dhe të tjerë përbërës që mund ta bënin të mundur shfaqjen e Mios jashtë vendit. Dihet që Mio ishte një piktor që dilte në natyrë për të kërkuar subjekte dhe Venecia ishte një prej këtyre hapësirave. Ndodhi një përkim mahnitës në Venecia, pasi galeria që gjetëm për këtë aktivitet është në të njëjtin vend ku ai ka pikturuar dikur ‘Chiesa di San Vidal”, afër pjacës së Akademisë, Qendra Kulturore “Don Oione Artiganelli”, “Sala Tiziano”. Një rastësi e mrekullueshme, që të udhëhiqte bashkë me mënyrën sesi mund të mbaja një fjalë hyrëse për Mion, pikërisht aty ku ai kishte pikturuar. Kjo dhe për faktin se shumë prej punimeve të tij evokojnë hapësira të njohura që lidhen me Venecian. Pati dhe një shtysë shpirtërore, si një tangent i nëndheshëm, pasi e bija donte me çdo kusht ta çonte pikërisht në atë vend ku kishte shkelur i ati, për të kryer kështu një mision të heshtur të saj, që i lexohej në çdo bisedë.

Si u prezantua Mio në këtë ekspozitë? Me ç’punë, me ç’aspekt të krijimtarisë së tij?

Në fakt, prezantimi i punëve qe befasues, pasi sa herë shkonim për të rilevuar në studion e tij, por edhe në shtëpinë e Rozeta Mios, na dilnin përpara gjëra të reja, të pazbuluara nga unë. Ishte si një histori underground, ku pak nga pak po zbulonim autorin në laboratorin e së bijës tashmë, që e ruante si një kujtim shumë të dhimbshëm. Bisedat qenë të gjata e me shumë histori, ku veç tij, në forma afrimiteti zbuloja histori nga ato të kryerat, por që në pavetëdije janë të ngjashme me shumë histori mërmëritëse artistësh që nuk u shkruan kurrë.

Veprat e Mios janë pjesë e trashëgimisë kombëtare. Ishte kjo ekspozitë një mundësi edhe për të prezantuar këtë trashëgimi?

Me patjetër që po. Kam vëzhguar nga afër profesionalitetin nga ligjvënësit e mbrojtjes së kësaj trashëgimie, që për fatin tonë na ndoqën e punuan pa u lodhur në këtë projekt, me pavarësisht se ishte një sipërmarrje krejt private, që menaxhohej si pasuri e familjes së piktorit Vangjush Mio, e veçmas nga e bija. Tabloja ishte e qartë në një përmbushje që do mund të krijonte një ekspozim të kësaj trashëgimie.

vangjush mio

A ka edhe karakter komercial kjo ekspozitë, edhe pse është pjesë e trashëgimisë kombëtare?

Jetojmë në një botë të hapur sipërmarrjesh dhe interesash. Me patjetër që po, për t’i dhënë një krah këtij autori të jetë i dukshëm tashmë në tregjet botërore.

Meqë na jepet rasti, le të flasim pak për Mion. Çfarë vendi zë ai në këtë “fshatin” tonë të vogël? Po në atë global?

Pyetje me interes. Pa dyshim që e gjithë krijimtaria e Mios ka interes kombëtar, pasi vjen e shfaqet si një fenomen i artit figurativ pas një periudhe të kanonizuar të veprës së artit dhe zë një vend të rëndësishëm në të gjithë spektrin përshkues të historisë së artit në vendin tonë, në atë që quhet Rilindje Kombëtare, ku u përfshinë shumë personalitete tashmë të njohura nga historia, por dhe për faktin se, siç e kam thënë, i lexuar dhe i rilexuar brenda kontekstit, Vangjush Mio mbetet një nga pionierët e dritës në pikturë ose një përvojë e plein air-it në rrethanat e lirisë.

Në postimet e opinioneve ai u ravijëzua si një pelegrin, që e ndërtoi të gjithë energjinë e tij mbi aktin e madh të rilindjes së imazhit kombëtar të vendit. Një synim i përzierë në përpjekjet e gjithë elitave të grupuara në njësi të vogla qytetare, për ta rritur këtë ndjeshmëri, që në fakt ishte një moto e intelektualëve të kohës: shkrimtarë, dijetarë, mistikë, artizanë, tregtarë sporadikë e atdhetarë të mëdhenj. Kjo shtysë e drejtoi të gjithë shpurën e intelektualëve në një kredo të vetën. Nuk qe e shkruar, por po ta studiosh këtë fazë historike ku Mio la ndikimin e tij publik, ndien pikërisht këtë atmosferë. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë të riprodhimit gati realist, ai po strukturonte rindërtimin e gjasave pamore, ku pjesë pas pjese formuan një imazh optimist të atdheut të tij.

A është Mio, siç e quan Campopiano, “piktor i popullit”?

Ramë dakord, pasi ai donte ta zhvendoste në kohë me një titull mbyllës, që i akordoi koha. Ndërsa në konceptin tim është një titull që e përkufizon artistin në kornizat e një sistemi të mbyllur, me kufij të përcaktuar kombëtarë, si pjesë e stimujve të kohës për ta pozuar në publik si të plotë. A ka më kuptim një titull i tillë në një botë të hapur e pa kufij, në një botë ku vetë atdheu është vetëmjaftueshmëria e tij për të qenë një energji pa territore dhe kohë?! Por, ne jemi të hapur që ta lexojmë qartë mesazhin e çdo kritike, që e rilevon një artist në një fluks tjetër. Imagjinoni sot të duam të atdhetarizojmë veprën e Anri Salës në një kohë që është pasuri e galerive më prestigjioze në botë. Tingëllon thashethem pa rëndësi i një fshati të mbyllur.

A është Mio një përjashtim në kohën e vet apo vazhdim i një tradite ekzistuese?

Mio është shtresë kulturore e rëndësishme në opinionin tim. Ai nuk pati zellin e mjaftë për t’iu afruar sadopak kornizave të reja të realizmit socialist, por ka dhe opinione që e lidhin me ndikimin që pati gjatë studimeve.

A i është dhënë Mios vendi që meriton në kulturën shqiptare?

Ne po e risjellim në fluks të kritikës, duke provokuar territore të ngjashme me 1900-ën, ku shtrihet krijimtaria e tij, u prit ngrohtë nga përkorja e fjalëve të Enzo di Martino, Myriam Zerbi, studiuese e artit të 1900-ës, Nico Stringa, profesor në Ca’Foscari të Venecias. Për sa i përket figurës së tij në vendin tonë, kam një tjetër opinion. Ka një kthim pas në kohë të artistit, që politika mund ta shfrytëzojë, siç ka dhe një korrent favorizues që i shkon për shtat politikave. Këtë rrezik Mio e kaloi, pasi nuk u pleks si kohë fizike me rëndimin e regjimit, si dhe nuk jetoi gjatë. Për shkaqe të vetë talentit të tij dhe për shkakun madhor se ai na la një trashëgimi shenjë, me shumë rëndësi për fillimet e shekullit XX, politikisht e meritonte këtë nderim. Qëllimi ynë është ta rikthejmë në korrentet e mëdha të komunikimit, si një autor që mund të lëshojë mesazhe a kumte si një lirik i madh.

Si ruhen veprat e Mios aktualisht?

Nga ekspertët që sonduan të gjithë materialin e ruajtur nga e bija, Roseta Mio, ka rezerva, pasi nuk mjafton vetëm dashuria për të ruajtur, por duhen kushte teknike për t’i dhënë jetëgjatësi. Jeta është plot propozime dhe familja duhet të jetë mendjehapur ta ketë këtë investim. Sot jemi në Venecia për të parakaluar me dëshmitë e tij krijuese, duke i riprekur këto treva të kulturës nën ajrin e komunikimit të përbotshëm. Një rrezatim pa kufij e ngastra ndarëse, si përpjekje që rrit diversitetin kulturor në shërbim të mirëqenies intelektuale e shpirtërore. Mio i ka të gjitha hiret për të joshur përtej konvencioneve të guidave kulturore apo turistike në një hapësirë si Venecia. Mio tenton të jetë një pasaportë e vlefshme në stacionin jashtë kufirit, si një nga pelegrinët e lajmit të madh të një bote pa kufij. Ai dëshmon edhe njëherë se mund të qëndrojë me nder në muzetë e rëndësishëm, me mbarsjen e duhur të një misionari të kulturës në tërësi dhe vendit të tij në veçanti.

Çfarë ndodh pas Venecias? Mio kthehet në shtëpi apo vijon rrugëtimi?

I gjithë ky rrugëtim më dha të kuptoj nevojën se si duhen kuotuar shumë artistë shqiptarë, që vepra e tyre të komunikojë hapur në një territor të zgjeruar e shëtitës. Pas Venecias kemi ambicien ta çojmë në Nju Jork, e më pas nëpër shtegtime të reja, për ta bërë të njohur si një vlerë që duhet konsultuar, pasi vepra e tij “ligjëron” akoma dhe sot. Nga ana tjetër, po shihet me seriozitet edhe një raport i veprës me tregun e artit.

Ky udhëtim do të ishte krejt i mangët pa referencat dhe punën e palodhur për ta bërë të mundur këtë strapacë: Galeria Blu-Art, me koordinatore dhe bashkëpronare Carlo Façhinato, dhe Migena Hajdari, një femër me një grintë impresionuese që e bëri të mundur në mënyrën profesionale realizimin e këtij eventi, duke menaxhuar me talent dhe duke nxitur interesin e medias dhe kritikës. Ankorimi i veprave nga uji me vaporet dhe anijet shoqëruese e bëri këtë udhëtim të pazakontë e të paharrueshëm. Çdo gjë e mbuluar teknikisht dhe çdo gjë e pasaportizuar sipas rregullave ndërkombëtare të lëvizjes së veprave të artit. U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që i dhanë një dorë këtij aktiviteti. Do ishte një falënderim i gjatë, gjë që e bëra gjatë fjalës së hapjes. Mirënjohës !

A ka një moto lëvizja juaj?

Motoja jonë do të ishte adekuate me veprën e Maurizzio Nannuci-it: Changing Place. Changing Time. Changing Thoughts. Changing Future.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura