VKM për pronat që u bë mollë sherri, MPJ reagon ndaj Greqisë

Dec 12, 2018 | 20:48
SHPËRNDAJE

Një vendim i Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të Ministrisë së Turizmit të disa pronave në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë, ka sjellë përplasje diplomatike mes Shqipërisë e Greqisë.

Athina zyrtare pretendon se tokat janë pronë private, i përkasin anëtarëve të pakicës kombëtare greke dhe e quan vendimin e qeverisë shqiptare arbitrar. Ndërkohë, Tirana zyrtare, në përgjigje të pretendimit të Ministrisë së Jashtme greke, shprehet se pala helene “mbështetet në shtrembërim të fakteve” dhe se pronat më fjalë gëzojnë statusin e pronës shtetërore.

Edhe në VKM-në e 21 nëntorit, e publikuar në Fletoren Zyrtare më 4 Dhjetor, sqarohet se pronat që i kalojnë në administrim Ministrisë së Turizmit, janë prona shtetërore.

VKM

Ministria e Jashtme greke

“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ti dorëzuar në mënyrë arbitrare një pjesë toke Ministrisë së Turizmit, për qëllime të zhvillimit të turizmit, që përfshijnë pronën private që i përket anëtarëve të pakicës kombëtare greke. Një vendim i tillë është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me vendimet e gjykatave shqiptare”, thuhet në një reagim zyrtar të Athinës zyrtare.

“Vendimi dhe projektligji i propozuar përkatës përbëjnë një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pronësisë së pakicës kombëtare indigjene greke në Shqipëri. Veprime të tilla nuk janë në përputhje me aspiratat e deklaruara evropiane të Shqipërisë dhe janë në kundërshtim me detyrimet e saj përkatëse. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të anulojë këtë vendim dhe të rishqyrtojë ligjin, duke siguruar që pronat do tu jepen pronarëve të ligjshëm. Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë ta ndjekë çështjen duke përsëritur angazhimin e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të besimit dhe bashkëpunimit me fqinjët tanë Shqipëria”, thuhet më tej në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Reagon Tirana zyrtare

Një ditë pas deklaratës së Athinës zyrtare vjen përgjigja nga Tirana.  Këtë të mërkurë, Ministria Për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh “habi” për deklaratën e MPJ greke.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh habinë e saj për deklaratën e MPJ greke të datës 11.12.2018.

Si nje vend evropian,  anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj.

E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave.

MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me “Pronësisë Shtetërore”.

MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.  Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri  i pasur ligjor, në pajtim  me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës  shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon”, thuhet në reagimin e Tiranës zyrtare.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura