Vjeshtë ankthi për ne dhe Edi Ramën

Oct 5, 2015 | 12:37
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJu2_agrongjekmarkaj

    Stina nuk ka trokitur për të gjithë njësoj. Ilir Metës i solli një mal me telashe. Ndryshe prej shkrimtarit Tomas Eliot, që Prilli i dukej më i egri i muajve, Kryetarit të Parlamentit shqiptar, i cili në ditën e rrenave, më 1 Prill 2013, pat firmosur në të njëjtën kartë me Edi Ramën “aleancën për Shqipërinë europiane”, shtatori do t’i mbetet përgjithmonë i tillë në kujtesë. Uuf çfarë muaji jallan, zeheri vetë!! Do të pështyjë për tokë me tersellimë sa herë të bashkëjetojë me të si mbi një lanet.

Lulzim Basha përkëdhel vetveten me nostalgji tek i vegon si mirazh një shportë me iluzione amerikane prej së cilës duhej të dilte një lider dhe një partner teksa tetori e kthen në realitet. Eksperimenton komisione të reja, i mbetet të themelojë atë të “virtytit kundër vesit” që “të bindë” skeptikët. Premton hapje e kthehet te folklori i kësaj partie. Analizon pa analizë, pa thënë ne humbëm a fituam. Të gjithë ata që ishin mërzitur për “largimin” e Sali Berishës patën rast të gëzohen duke konstatuar se ai është “kthyer” dhe ca punëve vetëm ai ua di “marifetin”. Gëzimi duhet me masë, nuk ia kuptojnë dramën nga shakatë që po i luan fati. Jozefina, Majlinda, Jorida dhe Erion Braçe shfaqen të veshur shik me petka të reja nën rreze paparacësh shtigjeve për në seancë.

Ndërsa në bahçen e Kryeministrit nuk bie më shi. Të mbjellat e tij thahen. Musa Ulqini pikëllohet si socialist i vërtetë. Ben Blushi ia ka këputur gjumit me sy hapur, nuk shkruan e as nuk flet më – pret! Cinikët profesionistë e kanë bërë hazër hipotezën e rastit! Sorrat dhe korbat qukisin bereqetin. Prej disa javësh duket sikur lideri i maxhorancës jeton ndërmjet hiles dhe frikës. Vjeshta mbi të vërtit re me ankth. Qyfyret e tij nuk bëjnë më për të qeshur. Mërziten nostalgjikët e kukurimave që e projektonin si drejtor estrade. Iku në SHBA me Metën në mendje, duke lënë hilen jetim në mexhlisin e Tiranës e sapo u kthye, rendi në zyrën e tij për të larguar frikën prej saj. Pazari duket i paqartë dhe i pambyllur, koka ministrash apo koka e qeverisë!!!

Edi Rama me qeverisjen “rilindase” tashmë pa asnjë lidhje me fushatën e premtimeve elektorale të pranverës së vitit 2013 ka zënë mat mbështetësit e po aq në mos më tepër kundërshtarët. Ata të tradhtuar në besim dhe të tejkaluar në mosbesim shushaten sokaqeve tek mbllaçisin spektaklin e politikës. Skota e burrave dhe grave që na udhëheq, mjeshtërisht na “argëton” duke ngjallur kuriozitetin kush e lagu e kush s’e lagu, pa na lënë kohë për të bashkuar mendimet e për t’i thënë asaj shporru.
Të shumtë janë ata që mendojnë se ky nuk është shtet i ligjit, por i mafias dhe se debati nuk është më politik, por luftë mes grupesh mafioze. Shantazhet nuk e ruajnë aspak dekorin etik të shoqërisë dhe të ligjit, por bëhen haptas duke dëshmuar kalbjen e së parës dhe rrënimin e të dytit. Atmosferës korruptive që ka përfshirë vendin, duke kulmuar me CEZ-in dhe vendimin e qeverisë e të parlamentit për të mos e hetuar kurrë, si fakt në të cilin thuhet se janë groposur 600 milionë euro, nuk i vë fre as “pllaka e Sulejmanit”, i cili rron në zemrat tona. Kjo histori veniti edhe sagën epike të dekriminalizimit, jo të periferive, por të parlamentit.

Loja politike rreth aferës CEZ, e cila ngjan të ketë si regjisor në hije shefin e ekzekutivit, ka dëshmuar rënien morale të kësaj maxhorance bicepale Rama-Meta, të cilët i mban bashkë tashmë vetëm nevoja për të fituar kohë dhe ndarë pushtet. Ekonomia që zbret honeve të frikës nga java në javë, duke rrullur buxhetin me qindra milionë dollarë, ndërsa represioni mbi gjithë hierarkinë e biznesit merr përmasa të frikshme, nuk shtojnë vetëm ankthin e Ramës, por më tepër atë të qytetarëve. Askush nuk i thotë askujt “puna e mbarë”. Askund nuk ndërtohen rrugë, tunele, shkolla, spitale, të cilat nuk kanë ilaçe, shiringa etj., as një shirit nuk shkon si cjapi te kasapi që të pritet. Ministrat të kërtylur në mirëqenie, mbuluar me kostume “emerexhildo zenga” mbajnë fjalime bajate mishelë e dijes së cungët dhe egos së harlisur prej “turkoshakesh”.

Grimasat dhe nervozizmi i tyre kinse si të vuajtur nga pakuptueshmëria dhe keqkuptimet të bëjnë ta rrahësh televizionin me shkop për fyerje inteligjence. Papunësia përmbush çdo ambicie të pakufi zgjerimi. Kryeministrit po i ikën populli. Me mijëra janë ata që çdo muaj kërkojnë azil në qytetet europiane, duke mbajtur vendin e dytë fare pranë Sirisë në luftë civile. Njerëzit vrasin veten me nxitim, më mirë sot se nesër, se nuk kanë të paguajnë dritat, të shikojnë fëmijët e tyre në sy, të tjerë nga mërzia dhe pija shuajnë familjet, atentatet kallin në terror kryeqytetin, kriminelët vrasin policë, hashashi lulëzon krenar brigjeve dhe luginave të atdheut, ndërsa ministri i Brendshëm akuzohet nga mëngjesi në darkë për lloj-lloj gjërash e nuk i dridhet qerpiku. Të gjithë shohin ëndrra të jenë fitues të lotarisë amerikane që të ikin nga këtu.

Kryeministri e di se po i rrëshqet toka nën këmbë si krenaria, duke u ngjitur të shtunën pasdite shkallëve të kryesisë së kuvendit për t’u përbetuar mbi luajalitetin. I duhej një kurban, një fajtor për ta shkarkuar gjithë këtë përgjegjësi, këtë dështim të pakrahasueshëm. Por rrugës ndokush mbase e këshilloi, mbylle, se kësaj pune i dihet fillimi, por jo fundi. Nis me 4 a 5 milionë të pa gjurmë dhe përfundon me 600 të certifikuara.

Në fantazinë kryeministrore, Ilir Meta ishte perfekt për këtë rol. Goditja ndaj tij në pamundësi për t’u përdorur, si kartë morale përballë opinionit publik, do përdorej si gjethe fiku për hallatet politike të Ramës. Ndonëse, dikur mundës, i fuqishëm fizikisht, me gjasë kreu i LSI-së u tut për të pranuar mbi shpatulla një ngarkesë kaq të rëndë nga frika mos e zë nën vete përgjithmonë. Me dëshpërim lëvizi shpejt dhe fort. Zhurma dhe mesazhet e këtij gulçimi ia prishën qetinë njujorkeze Edi Ramës.
Ilir Meta ka pasë marrë rolin e garantit para ndërkombëtarëve në 2009-n dhe në 2013-n. Nuk e ka bërë. Lëviz kur rrezikohet vetë. Nëse do t’i përmbahej këtij roli të pretenduar, do kishte më tepër garanci institucionale. Shkon te Bujar Nishani në orë të vështirë, por s’ka bërë asgjë për të mbrojtur dinjitetin dhe kompetencat e kreut të shtetit nga sulmet dhe deligjitimimet e kësaj maxhorance. Fati nuk buzëqesh gjithmonë njësoj, standardet po.

Tani pas takimit të së shtunës, si qetë në kular ata do ta tërheqin së bashku këtë barrë dështimi e akuzash. Do t’i lërojnë arat duke këqyrur tinëzisht njëri-tjetrin se kush do t’ia mbathë i pari vrapit, ndoshta për disa muaj. Reforma në drejtësi do t’i lodhë së tepërmi tek mundohen që ta hedhin mbi qerre qysh e si e do njëri apo tjetri. Në mbettë ajo si kufomë në rrugë, Rama do vikasë ja dyshja fajtore e “malore” Berisha-Meta që nuk do drejtësi si sllogan i fushatës së re elektorale. I specializuar në “të futur”, nëse shohim historinë nga 2005-a në 2015-n mes Metës dhe tjetrit, është Rama, i cili tanimë e ka aleatin në istikamin e pritjes “me pushkë në faqe” plot vetëdije dhe “masa profilaktike”.

Kur të prishen përfundimisht për publikun se besimin e ndërsjelltë e kanë dënuar me vdekje, kurdo që të ndodhë, ç’do na dëgjojnë veshët! Shamatë që do behet për “parime” për “të gjorën” Shqipëri, për “integrimin”, “të ardhmen” e të tjera lakra.
Kjo është një vjeshtë ankthi për ne dhe kryeministrin. Ai mund të humbasë pushtetin, ndërsa ne shumë më tepër. Por në Shkodër qarkullon një batutë. “Kjo qeveri ka ra, por nuk ka kush e zëvendëson”. Asnjëherë nuk kemi qenë kaq keq.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura