Poeti dhe shkrimtari i njohur Skënder Sherifi ka risjellë botimin “Love” në dimensione të reja si një imazh poetik, erotik filozofik dhe romantik.
Në emisionin “Jeto me Orën” në RTV ORA, Sherifi tregoi më shumë rreth librit ku u shpreh se brenda tij janë 100 poezi që i janë kushtuar femrave të 5 kontinenteve të planetit.
“Është 700 faqe gati si një fjalor. Nuk është një përmbledhje e rëndomtë poezie, ku vjen një poet me 100 poezi e prezanton një libër. Këtu ke 500 citate autorësh, autorë të Afrikës, Azisë, Evropës, Amerikës. Ke 500 vizitorë të ftuar në libër, muzikantë, piktorë, kineastë, fotografë, arkitektë, tërë paleta e krijimtarisë botërore është e ftuar dhe 100 poezi të miat kushtuar femrave të 5 kontinenteve të planetit”.
Shkrimtari Skënder Sherifi i cili ndan jetën e tij mes Shqipërisë dhe Belgjikës, me librin Love ka arritur të futet në “skutat” më të errëta të femrës.
“Perceptimi i dashurisë varet nga konteksti kultutor i shteteve, zakoneve, historia, ritet, protokollet që kanë dhe ti e kupton që gjendja e dashurisë nuk përjetohet njësoj si në Paris Vjenë Amsterdam Londër si në një qytet të Afrikës apo Azisë dhe e shprehin komplet ndryshe. Diçka misterioze, si lidhet me memorien e shpirtin antik të atyre kontinenteve.
Të gjithë kemi qenë nga një seri femrash që kanë qenë shkencëtare të mëdha, politikane, artiste, aktore, muzikante. Një moment ke dëshirë në jetën tënde ke dëshirë ti thuash faleminderit atyre personave që kanë lënë një gjurmë në memorien tënde e i thua vetes po pse këta persona më kanë përcjellë mua gjatë këtyre viteve, e vjen një moment ku i falënderon në mënyrën tënde”, u shpreh ai.
Sherifi thotë se gjithë bota vjen në një libër, tërësinë e librit e konsideron si rruzulli tokësor.
Skënder Sherifi: Nuk e beson as vetë se çfarë do të lexosh në këtë libër. Vjen tërë bota në këtë libër. Vijnë artistët e botës, vijnë si mysafir dhe janë poezi të kushtuara femrave në 5 kontinente. Tërësia e librit është si tërë rruzulli tokësor. Libri i mbushur me filozof me shkrimtar, me femra, ndaj nuk është libër krejt normal.
I pyetur a mund të kuptohet dashuria, Skënder Sherifi tha:
“Dashuria sado ta përjetosh, sado mendon se e kupton aq shumë të shpëton. Gjithmonë ngelet pikëpyetje, gjithmonë ngelet gjithçka që nuk e ke kuptuar, nuk e ke kuptuar te tjetri se nuk e ke kuptuar te vetja. Ajo që është misterioze shprehet në dashuri se shfaqesh, zhvishesh shpirtërisht e fizikisht por gjithmonë e ruan një sekret për veten.
Çfarë ke arritur të zbulosh për një vajzë a grua. Heshtja e një femre ndoshta thotë më shumë se ta thotë, ndoshta fjala e maskon mesazhin real. Çfarë thotë shikimi yt te unë dhe çfarë thotë shikimi im te ti. Çfarë e mban të fshehtë si rezervë. Janë shumë nuanca. E kupton deri diku por nuk e kupton kurrë tjetrin 100 për qind. Misteri të nxit të provokon, pjesa e paalfabetizuar, dhe ti duke e zbuluar mashkullin zbulon dhe misterin tënd dhe anasjelltas”.
Për ta përkufizuar dashurinë, shkrimtari Sherfi nuk i vë limite dhe shprehet.
“Dashuria është e pafundme si kozmosi ndaj është interesante se të kishte një fund do ta kishim formuluar. Por nuk mund të formulosh gjithë botën ndaj është eksituese, romantike, fizike, si një diamant me shumë anë”, shprehet ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al