Vjen në shqip romani “Natë e ditë”. Pyetjet që Virginia Woolf ngrinte para 100 vjetësh

Dec 1, 2014 | 14:53
SHPËRNDAJE

A duhet të shkojmë gjithnjë pas rrymës dhe a mjafton martesa për të qenë i lumtur? Këto pyetje Virginia Woolf i ka bërë thuajse 100 vjet më parë. “Natë e ditë”, i botuar për herë të parë në 1919-n, romani i Woolf, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”, nën përkthimin e Engjëllushe Shqarrit. I vendosur në Londrën eduardiane, “Natë e ditë” paraqet kontrastet midis jetëve të përditshme dhe lidhjeve romantike të dy grave. Romani analizon raportet midis dashurisë, martesës, lumturisë dhe suksesit. Romani prek tema si e drejta e grave për të votuar; nëse dashuria dhe martesa mund të ekzistojnë së bashku dhe nëse martesa është e nevojshme për lumturinë. “Natë e ditë” flet për dallimet midis burrave dhe grave, por flet edhe për dallimet midis shpirtit e shoqërisë, si dhe se si ne shpesh jemi të detyruar të sillemi në një mënyrë krejt të kundërt me atë çfarë dëshirojmë vërtet, vetëm për të kënaqur të tjerët dhe për t’u konformuar me pritshmëritë e të ngjashmëve tanë.
Katerinë Hilberi është e bukur dhe e privilegjuar, por me një të ardhme të paqartë. Ajo duhet të zgjedhë midis poetit të pazakontë Uilliam Rodni dhe pasionit të saj të rrezikshëm për Ralf Denhamin. Teksa ajo mundohet të vendosë, jetët e dy grave të tjera – aktivistja për të drejtat e grave, Meri Daçit, dhe nëna e Katerinës, Margaret, e cila po mundohet të mbledhë dokumentet, historitë dhe kujtimet e babait të saj në një biografi – përzihen
me të sajën, duke pasur kështu pasoja intriguese. Romani i dytë i Virginia Woolf-it është një histori delikate dashurie, një komedi shoqërore, por ai edhe minon këto tradita, duke ngritur pyetje mbi rolin e gruas dhe natyrën e vërtetë të jetës njerëzore. Një përzierje intriguese e shekullit XIX dhe XX, e klasikes dhe e modernes, e ndikimit të së kaluarës dhe e risive të së ardhmes. Me gjithë ndryshimin e madh që kjo vepër ka nga veprat e mëvonshme të saj, ajo ka lënë aty shenjën e saj të pangatërrueshme.

Titulli: Natë e ditë
Autori: Virginia Woolf
Përktheu: Engjëllushe Shqarri
Zhanri: Roman
Data e botimit: Nëntor, 2014
Numri i faqeve: 556
Çmimi: 1200 lekë

Autorja
Adeline Virginia Woolf (1882-1941) ishte një shkrimtare angleze dhe një nga modernistet më të spikatura të shekullit XX. Në periudhën midis dy luftërave, Woolf-i ishte një figurë e rëndësishme në Londrën letrare dhe figura qendrore e grupit intelektual të Boomsbury-it. Punët e saj kryesore përfshijnë “Zonja Dalloway” (1925), “Te fari” (1927) dhe “Orlando” (1928), si dhe esenë “Një dhomë më vete” (1929), me citimin e famshëm: “Një grua duhet të ketë para dhe një dhomë më vete, nëse ajo do të shkruajë prozë”. Woolf-i vuante shpesh nga shqetësime psikike serioze, të cilat mendohen se kanë qenë pasojat e një sëmundjeje, që sot përkufizohet si bipolarizëm. Ajo kreu vetëvrasje në moshën 59-vjeçare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura