Vjen në shqip romani i Giorgio Bassanit, “Kopshti i Finci-Kontinëve”

Apr 11, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE

Libri
Autori: Giorgio Bassani
Titulli: Kopshti i Finci-Kontinëve
Përktheu: Beti Njuma
Numri i faqeve: 301 fq
Çmimi: 900 lekë
Botues: Botimet IDK
Dashuri në kohërat e Italisë fashiste

Historia e një dashurie fatkeqe në sfondin e Italisë fashiste në prag të Luftës së Dytë Botërore. I tillë është romani “Kopshti i Finci-Kontinëve”, i Giorgio Bassani-t, i cili vjen në shqip nga botimet IDK, nën përkthimin e Beti Njumës. Kritika e ka konsideruar si një ndër romanet më të bukura të letërsisë moderne italiane, prej të cilit është frymëzuar një nga prodhimet kinematografike më të suksesshme italiane, fitues i çmimit “Oskar”, me regjisor Vitorio de Sikën. Sipas kritikut letrar dhe shkrimtarit Alberto Asor Rosa, bëhet fjalë për “një roman të paharrueshëm e mjaft prekës për kujtesën, që rikrijon një periudhë tragjike të historisë. “Kopshti i Finzi-Kontinëve” përfaqëson atë pjesë magjepsëse të së shkuarës sonë që aq shumë e duam, por që pikërisht për këtë arsye, ndiejmë aq nevojë të çlirohemi prej saj në mënyrë që, të kemi mundësi të vazhdojmë të jetojmë e të jemi ata që jemi në të vërtetë”. Një nga ato histori, ku nga personalja kuptohet drama e një brezi të tërë. Dashuri të këputura në mes, jetë të humbura, varre bosh. “Më pikonte në zemër si kurrë më parë nga ideja që në atë varr, të ndërtuar, me sa dukej për të garantuar prehjen e përjetshme të atij që e kishte porositur – të tijin e të pasardhësve të vet-, vetëm njëri mes tërë pjesëtarëve të familjes Finci-Kontini që kisha njohur dhe kisha dashur ia kish dalë të prehej. Në të vërtetë, vetëm Alberto është varrosur aty, fëmija i madh, që vdiq në 1942-shin nga një linfogranulomë. Ndërsa e bija Mikola, fëmija i dytë i familjes, i ati profesor Ermano dhe e ëma, zonja Olga, si dhe zonja Rexhina, nëna e saj tepër plakë dhe e paralizuar, të cilët vjeshtën e 1944-s u deportuan që të gjithë në Gjermani, askush s’e di nëse ka ndonjë varr”, shkruan Bassani në prologun e librit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura