Vjen kiliani dhe një huazim nga Lokomotiva, por Laçi kërkon sërish mbrojtës

Aug 10, 2018 | 15:02
SHPËRNDAJE

Laçi po përgatitet për të qenë gati të dielën, kur dhe do të luhet finalja e Superkupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut, pikërisht në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ora 19:45. Ashtu si kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, dje për llogari të kurbinasve mbërriti nga Kili qendërmbrojtësi 28-vjeçar, Sebastian Patricio Toro.

sebastin-toro-1b4f4759-12c2-4930-b88a-5f27d6ee6c5-resize-750

Ky i fundit ka luajtur deri pak vite më parë edhe me Kombëtaren e Kilit, duke numëruar 5 ndeshje. I rritur në klubin e famshëm, Kolo Kolo, ku për tri sezone radhazi ka qenë titullar i padiskutueshëm, Toro ka vetëm një eksperiencë jashtë vendit të tij. Bëhet fjalë për aktivizimin dy vite më parë me FC Zhunior në Kolumbi. Pas diskutimeve që zgjatën afro një javë, kiliani pranoi ofertën e presidentit Pashk Laska dhe tashmë do të jetë nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi. Mirëpo, afrimi i Toros nuk mjafton për të plotësuar boshllëqet e lëna nga largimet te skuadra kurbinase.

laci

Veçanërisht në mbrojtje, bardhezinjtë janë deficitarë. Burime në klub tregojnë se po bisedohet edhe për afrimin e një tjetër lojtari të huaj, pavarësisht se edhe pista shqiptare nuk është lënë pas dore. Ditët e fundit ka qarkulluar emri i Renato Malotës, një njohje e vjetër e trajnerit Mërgjyshi, që kur ky i fundit ishte në stafin teknik të Dinamos. Lezhjani mbylli sezonin te Vllaznia, por ende nuk ka vendosur për të ardhmen. Nuk përjashtohet mundësia që Malota të jetë goditja e dytë në mbrojtje. Mërgjyshi do të shikojë në Superkupë gjendjen e lojtarëve dhe të mbrojtësit kilien, për të vendosur më pas se cilin do të aktivizojë në qendër, pasi ka mbetur vetëm Eglentin Gjoni.

merisnaj-310x326 (1)

Laçi ka afruar në ekip së fundmi një futbollist që do ti shërbejë për të ardhmen. Bëhet fjalë për Jon Mersinaj. 19-vjeçari ka mbërritur nga Lokomotiva e Zagrebit dhe do të jetë për 1 vit i huazuar te kurbinasit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura