Vjen dita e “Tartufit”, më 30 maj në Teatrin Kombëtar

May 22, 2015 | 13:23
SHPËRNDAJE

Po afron nata e “Tartufit”. Më datë 30 maj, në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet komedia e Molierit, nën regjinë e Erion Kames. Me një kast të ndryshuar tashmë, me protagonistë Laert Vasilin, Ligoraq Rizën, Justina Aliajn etj., vjen komedia e hipokrizisë. Për regjisorin Kame, hipokrizia është nga problemet e mëdha të kohëve tona, që përfshin që nga politika, te marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Posteri i shfaqjes “Tartufi”

Me manovrat e tij, Tartufi, një njeri gjoja i “përshpirtshëm”, arrin t’u hedhë hi syve Orgonit, ta shndërrojë atë, t’i rrëmbejë gjithçka, por sado mashtrues e hipokrit të jetë ai, në fund të fundit mbetet njeri. Në shfaqjen që ngjitet në skenë fundjavën e ardhshme, regjisori Kame vë në dukje edhe dobësinë humane përpara dashurisë. Tartufin do ta thyejë vetëm dashuria. “Tartufi” është edhe premiera e fundit për këtë sezon artistik.

Ndërkohë, Teatri Kombëtar ka nisur punën për shpalljen e kalendarit të sezonit të ardhshëm artistik. Përveçse ka shpallur konkursin për regjisorët, ka mbyllur edhe fazën e parë të “Netëve të leximit të dramës shqipe 2”. Teatri Kombëtar ka bërë publike listën përfundimtare të dramave të paraqitura në fazën e parë të “Netëve”. Mësohet se numërohen 42 pjesë të paraqitura në këtë konkurs, që do të nxjerrë fituesit e vet në fund të qershorit.

Mes dramaturgëve pjesëmarrës, janë autorë si: Ruzhdi Pulaha, Ferdinand Hysi, Fadil Hysaj, Bashkim Hoxha, Kiço Blushi, Bashkim Kozeli, Odise Plaku, Jani Duri, Jeton Neziraj etj. Mes autorëve edhe shumë të rinj, të cilët synojnë të sjellin një frymë të re në dramaturgjinë shqipe. Mes 42 pjesëve do të përzgjidhen më të mirat, që do të lexohen në skenën e teatrit dhe ato me impakt më të mirë në publik, do të bëhen pjesë e kalendarit të shfaqjeve në TK.

“TARTUFI”

Regjia: Erion Kame
Skenograf: Kristo Çala
Kostumograf:
Noset Shijaku
Në role aktorët:
Laert Vasili
Ligoraq Riza
Justina Aliaj
Rajmonda Bulku
Vasjan Lami
Olta Daku
Lulzim Zeqja
Niada Saliasi
Dasara Xhangolli
Genti Deçka
Mehdi Malka
Vangjel Toçe

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura