Vjedhjet e vilave të VIP-ave, kamerat dhe i dënuari në Itali zbuluan grupin

Aug 25, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Një grup kriminal prej tre personash, të akuzuar deri tani për të paktën nëntë vjedhje, u shkatërrua dje nga Policia e Tiranës.

Disa nga sendet e sekuestruara
Disa nga sendet e sekuestruara

Tre të dyshuarit, sipas Policisë së Tiranës, akuzohen se kanë kryer një seri vjedhjesh në banesa dhe në mënyrë të veçantë në zonën luksoze të banimit “Long Hill”, në periferi të Tiranës, në Farkë. Burimet zyrtare nga policia kanë thënë se arrestimi i tre të dyshuarve është bërë nga efektivat e Komisariatit nr. 1 në Tiranë.

Njëri prej personave që ra në pranga është dënuar vite më parë në Itali për të njëjtin aktivitet kriminal, “grabitje me armë”. Aksioni është koduar me emrin “Vila”, pasi, sipas policisë, tre të dyshuarit shënjestronin kryesisht vilat e biznesmenëve dhe personave të pasur për t’i grabitur.

“Ditën e djeshme nga efektivët e Komisariati nr. 1, pas një operacioni të koduar ‘Vila’, u ndaluan 3 shtetas, të cilët kryenin vjedhje në kryeqytet”, kanë thënë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, gjatë aksionit në fjalë, u ndaluan shtetasit: Ardian Suti, 31 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë në Itali për “vjedhje me armë”, Armend Krosi, 45 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Krujë, dhe Durim Rama, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Të dëmtuar nga aktiviteti kriminal i tre të arrestuarve mësohet se kanë mbetur biznesmenë shqiptarë dhe në disa raste edhe shtetas të huaj me qëndrim në Shqipëri.

VJEDHJET
Gjatë periudhës korrikgusht 2015, Policia e Tiranës ka marrë një numër denoncimesh për vjedhje banesash luksoze në zonën e banimit që njihet me emrin “Long Hill” në Tiranë. Kjo zonë ndodhet në periferi të Tiranës, në Farkë, dhe ka në brendësi të saj vila disakatëshe, që iu përkasin personazheve të njohur brenda dhe jashtë vendit.

Vjedhjet e ndodhura gjatë muajit korrik dhe gusht kanë alarmuar policinë edhe për faktin se kompleksi i vilave në fjalë ka roje private. Përkundër këtij fakti, tre të arrestuarit, shtetasit Ardian Suti, Armend Krosi dhe Durim Rama, arrinin të futeshin në zonën luksoze të banimit dhe më pas grabisnin vila.

Strategjia e ndjekur nga tre të arrestuarit ka qenë mjaft e menduar, pasi ata i survejonin vilat për disa ditë dhe vepronin kur siguroheshin se pronarët e banesave luksoze nuk ishin aty. Vjedhjet janë kryer në korrik dhe në gusht, për shkak se pronarët e vilave luksoze në këtë kohë ndodheshin me pushime. Pas denoncimeve të bëra, policia ka nisur hetimet në lidhje me fenomenin e grabitjes së vilave luksoze, duke finalizuar edhe aksionin e kapjes së autorëve.

HETIMI
Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë me dije dje se arrestimi i këtyre tre personave të dyshuar është bërë pasi ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë kohore prej 2 muajsh kanë kryer një seri vjedhjesh te komplekset e rezidencave të banimit në zonën e Farkës.

Gjatë aktivitetit të tyre, tre të dyshuarit kanë grabitur telefona, tabletë, laptopë të markave nga më të njohurat. Ata po ashtu kanë vjedhur edhe telefona celularë të kushtueshëm dhe bizhuteri. Me vete mbanin një detektor për kërkim metalesh, me qëllim që të zbulonin bizhuteritë e fshehura në banesat që grabisnin. Një pjesë e sendeve të vjedhura së fundi prej tre personave është bërë e mundur të sekuestrohen nga policia.

NËNTË VJEDHJET

1-Vjedhje e ndodhur me date 13.07.2015 tek kompleksi i rezidencave Long Hill nje shtetasi te huaj me iniciale C.D.

2-Vjedhje e ndodhur me date 22.07.2015 tek kompleksi i rezidencave Long Hill e nje shtetase te huaj H.K TH.

3-Vjedhje e ndodhur me date 22.07.2015 tek kompleksi i rezidencave Long Hill e nje shtetasi te huaj A.B

4-Vjedhje e ndodhur me date 19.08.2015 tek kompleksi i rezidencave Long Hill

5-Vjedhje e ndodhur me date 21.08.2015 tek kompleksi i rezidencave ACACIA HILL e nje shtetasi B.M

6-Vjedhje e banese me date 18.03.2015 ndodhur tek Kopeshti Zoologjik e nje shtetasi E.T.

7-Vjedhje e banese me date 27.03.2015 ndodhur tek Kopeshti Zoologjik e nje shtetasi K.T.

8-Vjedhje e banese me date 20.04.2015 ndodhur tek Kopeshti Zoologjik e nje shtetasi G.G.

9-Vjedhje e banese me date 29.04.2015 ndodhur tek Kopeshti Zoologjik e nje shtetasi M.RR.

SENDET E SEKUESTRUARA

Policia sqaron se në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar një sërë sendesh si më poshtë:

-2 laptope te markes HP;

-3 laptope te markes APPLE;

-3 i.pode;

-1 telefon i.phone 6S;

-1 detektor per kerkim metalesh;

-10 ora te markave te ndryshme

-Bizhuteri floriri si (unaza, varse, veth )

-Paisje shtepiake si gjeneratore, kompresore, navigatore, amlikfikator kuti me vegla pune, targa automjetesh.

Kamerat dhe i dënuari në Itali zbuluan gjithë grupin

Tre të arrestuarit nga Policia e Tiranës, me akuzën e grabitjes së vilave rezidenciale në kompleksin “Long Hill”, kishin marrë përsipër një risk të lartë. Krejt zona monitorohet me roje private, ndërsa kompleksi i banimit ka edhe survejim me kamera pa ndërprerje. Megjithatë, të dhënat që e ndihmuan policinë në identifikimin e grupit ishin shenjat e gishtave të shtetasit Ardian Suti. Ky person rezultonte në databazën e Policisë së Shtetit si i dënuar në Itali. Shenjat e tij të gishtave mësohet se janë gjetur në një nga grabitjet e ndodhura në zonën e vilave luksoze të Farkës.

Më pas, policia ka sekuestruar pamjet filmike të kompleksit dhe i ka verifikuar ato duke gjetur pamjet e disa vjedhjeve. Burimet nga grupi i hetimit kanë thënë se pamjet filmike dhe gjurmët e gishtave të lëna në banesat ku kanë vjedhur, kanë shërbyer edhe për identifikimin e autorëve të serisë së ngjarjeve të ndodhura në këtë zonë. 

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura