Vjedhja e bankës, Bitraj i shpëton dënimit maksimal

Mar 25, 2015 | 13:15
SHPËRNDAJE

TIRANE- Ardian Bitraj, i akuzuari kryesor për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, do të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit, nëse shpallet fajtor nga Gjykata e Tiranës.

Bitraj, Bejtaj dhe Bruzia sot ne gjyq

Ditën e djeshme treshja gjykuese që po shqyrton çështjen e tij, pranoi kërkesën e Bitrajt për zhvillim të gjyqit me procedurën e gjykimit të shkurtuar. “Çështja gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Ardian Bitraj mund të zgjidhet në gjendjen që ndodhen aktet”, lexoi vendimin e ndërmjetëm gjyqtari Lazer Sallaku. I njëjtë ishte qëndrimi i Gjykatës edhe për ishvartësen e Bitrajt në Bankën e Shqipërisë, të pandehurën Mimoza Bruzia. Edhe ajo do të gjykohet më procedurën e gjykimit të shkurtuar. 
Për të pandehurin e tretë të kësaj çështjeje, Klevis Bejtaj, Gjykata vendosi veçim të çështjes. Trupi gjykues vendosi veçim edhe për padinë civile të paraqitur nga përfaqësues ligjorë të Bankës së Shqipërisë për dëmshpërblim, kthimin e shumës 713 milionë lekë nga të pandehurit. “Padia civile veçohet dhe i dërgohet Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës. Gjykata vlerëson se shqyrtimi i padisë civile në procesin penal do të sillte vështirësi në procesin penal”, u shpreh Gjykata. Me leje të trupit gjykues i pandehuri Bejtaj dhe mbrojtësit e tij u larguan nga salla e gjyqit, ndërsa gjykata u njoh me kërkesën për gjykim. Përfaqësuesja e Prokurorisë, rindërtoi edhe një herë para Gjykatës mënyrën se si ishte kryer vjedhja e shumës marramendëse në Thesarin e Shtetit, si dhe shkeljet ligjore për të cilat akuzohen të pandehurit. Sipas Prokurorisë, Bitraj dyshohet të jetë autori i vjedhjes së 713 milionëve, që i ka shpenzuar në loto brenda vendit.

Në përfundim, Gjykata shtyu seancën për në datën 8 prill, ku pritet të shfaqen konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë për të pandehurit Bitraj dhe Bruzia, të akuzuar për “vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit”. Hetimi për këtë çështje filloi më datë 21 korrik 2014 pas vetëdorëzimit të Ardian Bitrajt në Policinë e Shtetit dhe pranimit prej tij të akuzës në lidhje me ngjarjen. Prokuroria arrestoi 19 persona në lidhje me këtë çështje, të cilët janë dërguar të gjithë në Gjykatë me akuza të ndryshme, me përjashtim të ishguvernatorit Ardian Fullani. Ky i fundit është ende nën hetim, pasi Prokuroria ka mbajtur të hapur dosjen penale ndaj tij në njësinë Task Forcë, në Prokurorinë e Tiranës. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga veçimi i kësaj dosjeje, ende nga Prokuroria nuk është bërë me dije ndonjë vendimmarrje përfundimtare për akuzat ndaj Ardian Fullanit. Ai u arrestua në shtator 2014 me kërkesë të Prokurorisë, por më pas u la i lirë nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura