Vjedhja në BSH, dëshmia e zv.guvernatores për Golemin

Jul 1, 2016 | 14:31
SHPËRNDAJE

Elisabeta Gjoni, zv. guvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, dëshmoi dje në Gjykatën e Tiranës, në procesin gjyqësor në ngarkim të ish-kryeinspektores së BSH, Elivar Golemi.

Elivar Golemi ne gjyq
Elivar Golemi ne gjyq

Në këtë gjykim, Golemi përballet me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me vjedhjen e 713 milionëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Në një dëshmi që ka zgjatur vetëm pak minuta, zv.guvernatorja Gjoni theksoi se vjedhja e kryer në Bankën e Shqipërisë ka ardhur si pasojë e familjarizimit të punonjësve në Departamentin e Emisionit.

Në lidhje me ishkolegen e saj Golemi, të pandehur në gjykim, dëshmitarja Gjoni tha se prej saj ishin zbatuar me korrektësi detyrimet që i diktonte detyra që ushtronte në institucionin financiar.

“Elivar Golemi, në rolin e kryeinspektores së Bankës së Shqipërisë, ka bërë raportime çdo tre muaj. Gjatë veprimtarisë së saj ka qenë korrekte në zbatimin e rregulloreve”, është shprehur Gjoni gjatë dëshmisë. Po sipas dëshmitares Golemi, ka qenë e gatshme të jetë prezente në të gjitha mbledhjet e kërkuara nga ana e Këshillit Mbikëqyrës. Seanca e djeshme në ngarkim të Elivar Golemit ishte seanca e 21-të në radhën e seancave të këtij gjykimi.

Në seancën e radhës, e caktuar për t’u zhvilluar më 11 korrik, janë njoftuar për t’u paraqitur tre dëshmitarë, mes të cilëve ishkryeinspektorja e BSH-s ë, Teuta Baleta, si edhe anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi.

GJYKIMET

Vjedhja e 713 milionë lekevë në Bankën e Shqipërisë dërgoi 19 persona në bankën e të akuzuarve, mes të cilëve edhe ish-guvernatorin dhe ish-kryeinspektoren Elivar Golemi.

Fillimisht Prokuroria dërgoi tri dosje në gjyq, të cilat u copëtuan në vijim për shkak të kërkesave për gjykim të shkurtuar të të pandehurve. Vjedhja u vetëdenoncua nga ish-përgjegjësi i arkës për veprim, Ardian Bitraj, i cili pranoi të kishte marrë të gjithë shumën dhe t’i kishte shpenzuar në baste sportive.

Në maj 2015, ai u dënua me 13 vjet e 4 muaj burg, ndërsa e bashkëpandehura e tij, Mimoza Bruzia, me 10 vjet burg. I akuzuari Fullani fitoi pafajësi në të gjitha shkallët e Gjyqësorit. Ish-punonjësit e tjerë të BSHsë, të pandehur, u deklaruan të fajshëm dhe morën dënime që varionin nga 1 në 4 vjet heqje lirie.

Gjykimi ndaj Elivar Golemit është i vetmi i papërfunduar në Shkallën e Parë, kjo edhe prej faktit se ky është i vetmi gjykim i kësaj dosjeje, i cili po zhvillohet me një procedurë të zakonshme dhe jo me gjykim të shkurtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura