Mbesa vret gjyshen me të dashurin për t’i grabitur paratë dhe florinjtë. Ngjarja nuk ishte raportuar

May 24, 2015 | 20:15
SHPËRNDAJE

Mbesa mbyt me të dashurin gjyshen 82 vjeçe për ta grabitur. E moshuara është përcjellë në banesën e fundit duke menduar për një vdekje natyrale, por krimi i rëndë është zbuluar tre muaj më vonë. Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, bënë të mundur zbardhjen e krimit të rëndë të ndodhur më 22 shkurt të këtij viti, që bën fjalë për vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen.

Banesa ku jetonte 82-vjeçarja që u mbyt nga mbesa

Sipas Policisë, të arrestuarit janë Erando Qatipi, 27 vjeç dhe Xhoana Hila (mbesa e viktimës), 32 vjeçe, që të dy banues në Tiranë. “Nga veprimet hetimore intensive nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Shkodër, ka rezultuar se ata janë autorë të dyshuar të vjedhjes me dhunë me pasojë vdekjen e shtetases A. H., ndodhur më datë 25.02.2015”, bëri të ditur Policia. 

NGJARJA
Sipas Prokurorisë së Shkodrës, Xhoana Hila (mbesa e viktimës) është rritur nga gjyshja (viktima) dhe ka jetuar me të deri në ditët kur ka ndodhur krimi. Mësohet se 32-vjeçarja ka qenë e martuar, por pasi është divorcuar, është kthyer të jetojë me gjyshen në banesën e saj dhe prej rreth një viti aty ka shkuar edhe Erando Qatipi, i cili është në një lidhje me 32-vjeçaren dhe bashkëjetonte me të në banesën e gjyshes së saj.

Ngjarja ndodhi më 22 shkurt, kur ata dyshohet se janë pikasur nga e moshuara teksa po i vidhnin paratë. Dyshohet se 82-vjeçarja ka reaguar kur ka parë çiftin që kishin zbuluar vendin ku ajo i kishte fshehur ato e në këtë moment ata kanë vendosur ta mbysin atë. Burime nga Policia bënë të ditur se e moshuara është mbytur me jastëk, por ndërkaq ekspertiza e kryer ka zbuluar edhe mbytje me duar.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata i kanë vjedhur viktimës disa bizhuteri floriri, dy unaza, një orë floriri dhe një shumë të hollash (lekë)”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shkodrës. Vdekja e 82- vjeçares A.Hila është zbuluar kur Tonini, djali i madh i saj, i cili jetonte në Shkodër, e ka telefonuar. Por kur ka parë se nëna nuk po i përgjigjej, atëherë ai është lidhur me vëllain tjetër për të mësuar nëse kishte dijeni se mos nëna është e sëmurë, pasi nuk po i përgjigjej në telefon. Ata janë shqetësuar dhe janë nisur menjëherë drejt banesës, nga ku e kanë gjetur të pajetë. Ndonëse nëna e tyre nuk kishte shenja të dukshme dhune në trup, ata kanë konstatuar rrëmujë dhe disa sirtarë të lënë hapur.

HETIMI
Pas ngjarjes së ndodhur në shkurt të këtij viti, vdekja e të moshuarës është cilësuar fillimisht nga djemtë e saj si natyrale. Djali tjetër i viktimës ka ardhur nga Italia dy ditë pas varrimit dhe, teksa qëndronte në Shkodër duke pritur njerëz që vinin për ngush- ëllim, nga bisedat në familje si dhe shpjegimet që i janë dhënë, i është krijuar dyshimi se nëna e tij nuk kishte vdekur në mënyrë natyrale. Ai madje ka dyshuar se në vdekjen e të moshuarës kishte gisht mbesa e tyre, Xhoana Hila.

Ky dyshim ka lindur edhe për shkakun se në ato ditë, ajo bashkë me të dashurin 27-vjeçar janë zhvendosur nga banesa e gjyshes në Tiranë. Ata u kanë shpjeguar të afërmve se do të largoheshin në Tiranë për mundë- si më të mira jetese dhe për të qenë më të qetë me njëri-tjetrin.

Por kjo ka ngjallur dyshime te djemtë e viktimës, e madje edhe te Tonini, djali i madh i cili është babai i 32-vjeçares. Mësohet se ai ishte i divorcuar nga e shoqja. Dyshimet e tyre kanë qenë që në momentet e para, ndaj edhe kanë sinjalizuar policinë për t’u kryer autopsia.

Ata i kanë dhënë lamtumirën e fundit nënës, duke u shpjeguar të afërmve se kishte vdekur në mënyrë natyrale. Por autopsia ka nxjerrë në pah se e moshuara kishte vdekur si pasojë e mbytjes. Xhaxhai i 32-vjeçares ka deponuar në polici se e dyshuara kryesore ishte pikërisht mbesa e tij, bashkë me të dashurin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura