Vizitat e fshehta të Nexhmije Hoxhës në teqenë e Dervish Hatixhesë, Nënë Rukija rrëfen bisedat me Ramën dhe Lindën

SHPËRNDAJE

Raimonda Shundi Dervishi 

Nënë Rukija është një nga personazhet e dashura dhe shumë të njohura, jo vetëm nga rrethet e komunitetit mysliman, por edhe ata që nuk janë të tillë. Konsideratat, lëvdimet si dhe ftesat pafund i vijnë edhe nga jashtë kufijve të vendit, duke rritur interesin për vendin tonë të vogël. Teqeja e Dervish Hatixhesë, nga viti 1992 drejtohet nga 90-vjeçarja nënë Rukija.

Nënë Rukija
Nënë Rukija

Vetë nënë Rukija thotë se i kanë ardhur shumë dhurata nga Irani apo vende, ku fama dhe emri i saj ka shkuar. Është krenare për punën që ajo ka bërë, por edhe familjen nga e cila vjen, familja e tregtarëve Tabaku. Flet me mburrje për mbesën Jorida Tabaku si dhe bamirësitë e vendit të mirë që atë e rriti. Rrëfimet mbresëlënëse që na

kanë mbërritur si të freskëta gojë pas goje, na lënë të lirë imagjinatën, duke u bërë pjesë e viteve që u referohen gojëdhënat. Nënë Rukija thotë se nga miqtë e saj nuk ka mbetur askush. Të gjithëkanë vdekur. Jetëgjatësia e saj është një bekim jo i vogël për banorët e Tiranës. Të gjithë mundemi ta shohim e prekim me sytë eduart tona mrekullinë e radhës së nënë Rukijes sonë.

Kur thua se ndodhesh te Dervish Hatixheja, nuk ka tiranas që të pulisë sytë dy herë për ta kuptuar pozicionin gjeografik, në të cilin ndodhesh. Është nga adresat e rralla që nuk ka ndryshuar dhe na sjell një copëz të shkuare sa herë e përmendim. Teqeja ka qenë dhe mbetet pika më e pandryshueshme, kur do të rrish në paqe me veten dhe problemet e tua.

Je në lëndinën e parajsës tënde, ku ti guxon të mendosh për të pamundurat e tua, të cilat flenë kaq thellë, saqë i ke harruar edhe ku ndodhen (për ata që kanë një besim). Ky vend të fton t’i kërkosh në qetësi ato, duke ta bërë dhimbjen më optimiste, trishtimin më të lehtë, shpresën shumë herë më të madhe. Ndaj ky vend që rri i strukur pas ndërtesës së maternitetit të vjetër të Tiranës, ka kaq shumë vizitorë të thjeshtë, të çuditshëm apo shumë të komplikuar.

Si mundi Hatixhe Skënderi (Dervish Hatixheja), një mjeke -grua e apasionuar pas mjekësisë popullore dhe përkushtimit, të realizonte mrekullinë e kurimit të sëmurëve nga kolera, pa u infektuar nga ky virus?! Hatixheja vuri në dispozicion jo vetëm pronat e saj për t’i varrosur trupat e pajetë, por mundësoi duke e kthyer shtëpinë në një spital me shumë shtretër në shërbim të sëmurëve të pashpresë. Ishte kjo grua, e cila ndonëse ka kaluar shumë më shumë se 200 vjet, ka bërë që emri dhe bamirësitë e saj të mbesin në memorien tonë.
Nënë Rukija, (pasardhësja e fundit e Dervish Hatixhesë) tregon se në kohërat e zeza të internimeve (vitet 45-80), kjo shtëpi ishte e mbipopulluar nga numri i madh i lutësve. Rrëfen edhe për djegien dhe rimëkëmbjen e teqesë. Por, ajo që më befasoi në këtë intervistë përveç situatave të vështira që ka kaluar, janë edhe raportet e nënë Rukijes me politikën. Ishim vendi i vetëm ateist dhe diktatori organizoi çudinë e shembjes së të gjitha objekteve të kultit.

Nene-Rukija-e-re-Dervish-Hatixheja-Panorama
Nënë Rukija në moshë të re

Sot, zonja e parë e diktatorit, Nexhmije Hoxha, ndez qiri te vendi i mirë. Në këtë bisedë, nënë Rukija flet për raportet me këto personazhe. Rrallë ose aspak kemi dëgjuar për qirinjtë që ndizen në këtë vend nga personazhet e njohura. Nënë Rukija nuk e fsheh simpatinë për Kryeministrin Rama. Flet edhe për Ilir Metën, Sali Berishën, por është evidente zemërata me jetëgjatësinë e Nexhmije Hoxhës, si dhe qirinjtë që punëtorja e saj i ndez vazhdimisht, duke i përcjellë edhe përshëndetjet e zonjës së parë të diktatorit shqiptar

Në shtëpinë tuaj, a vijnë politikanë?

Kur Edi Rama u martua te “Xibraku”, më ftoi, por unë nuk mundesha t’i shkoja dot se isha e sëmurë. Kur ai erdhi te kjo shkolla që kam këtu, dy vjet më parë më tha: “O nënë Rukije, të rrosh 100 vjeç dhe ta mbash mirë këtë vend, se këtu kanë lindur dhe janë rritur të gjithë emrat e bekuar të familjes suaj. “Një ditë unë isha duke shkuar për të marrë mish te dyqani i lagjes, kur tamam si tani, para festës së Kurban Bajramit, përballem me Kryeministrin: “Ku po shkon nënë Rukije?” – Po marr mish se jam e sëmurë. Ju si jeni?,- thashë. Ta kaloni mirë me Lindën e Zahon. Kur isha e ftuar te Baba Mondi në Kryegjyshatën Botërore, aty gjeta këmbë përmbi këmbë Edi Ramën. Më mori në qafë, më përqafoi edhe Linda, edhe Edi dhe më tha: “Eja tani në makinën time. Shkojmë bashkë në komunitetin islamik”. Dhe ashtu bëmë. Sot mevludin nuk dinë ta këndojnë mirë se janë hapur shumë pika të kota.
Rama është ortodoks dhe i pagëzuar si katolik, si e shpjegoni lidhjen e tij me komunitetet myslimane?
Unë Ramës ia kam njohur edhe nënën. Është e vërtetë se ka fenë ortodokse, por kur unë e kam pyetur, më është përgjigjur duke më thënë: “Unë i respektoj të gjitha fetë njësoj”.
Cili nga politikanët ju pëlqen më shumë?
Ramën e pëlqej shumë se ai do që Shqipëria të ecë. Ka lënë shumë gjëra që njerëzit të punojnë privatisht si dhe emigracionin e shumtë.
Rikonstruktimet i keni bërë ju apo jeni ndihmuar nga bashkia?

Deri tani, qeveria e Ramës për këtë vend nuk ka dhënë asnjë ndihmë. Por ama, ai nuk i ndalon njerëzit që të vijnë këtu te vendi i shenjtë. Do i kërkoja që të ma sistemojë më mirë rrugën. Ne e kemi bërë privatisht. Po vetë kemi vendosur edhe një tra në hyrje të saj, se na hynin në rrugicë dhe na bllokonin kalimin. Vinin ca karroca të mëdha dhe i fshihnin këtu. Kjo s’bëhet se është ven i shenjtë. Këtu vijnë shumë personalitete. Ka ardhur edhe ambasadori i Iranit, i cili edhe më ka ftuar në Iran.  Atë dhomën e faljes e kam dhuratë nga ai. Pra, të jetë për mua, unë dua më shumë se ky vend ka më shumë se 200 vjet që është, por çfarë të bëjmë?
Çfarë moshe keni nënë Rukije?
Më 21 mars bëj 90 vjeç.
Si ishin fillimet tuaja si nuse në këtë shtëpi?
Në jemi nga familja e njohur Tabaku. Ali Tabaku është im atë. Ai ishte biznesmen

Si ishte kjo shtëpi kur erdhët nuse?
Në kohën kur unë erdha, feja ishte e lirë dhe besoje pa problemet që u krijuan më vonë. Shtëpia ishte e dëmtuar shumë. E sistemuam vetë dhe pasi e rregulluam pas rreth një muaji, u dogj nga qirinjtë (1,2 vjet pas ardhjes sime). Atëherë ishin me mijëra ata që kërkonin paqe te kjo shtëpi. Kur e risistemuam dhe krijuam vendin e qirinjve, nuk ka ndodhur më asgjë e keqe. Njerëzit vinin pa fund, edhe kur shtëpia ishte e parregulluar. Diku rrinin shtrirë, diku duke u lutur. Ishin tufa- tufa njerëzit. O zot sa shumë na vinin të internuarit. Nuk e harroj ditën kur varën me litar Shefqet Ndroqin nga Durrësi. E varën këtu, se ai vetë e kishte lënë me amanet të varej para derës së Dervish Hatixhesë. Dikur këtu, përpara shtëpisë sonë, ishte një lulishte e madhe dhe njerëzia rinin për qejf para se të hynin te shtëpia jonë. Kur u ndërruan sistemet diktatori e prishi lulishten, por vendin e shenjtë nuk e preku. Në atë kohë, ai sistem kur vendosi të shembte shumë parqe apo banesa, i prishi të gjitha çfarë ishin rreth e rrotull, por këtë vend nuk e shembi. Sot i përballojmë vetë të gjitha dëmet apo hyrje-daljet e besimtarëve. Mua më ka vdekur burri shpejt dhe m’u desh forcë e madhe ta çoja përpara. Im shoq, në kohën e Enverit ka punuar në Gardën e Republikës. Diktatori i prishi të gjitha vendet e shenjta, ndaj ia hoqi zoti gojën në vitet e fundit të jetës nëse të kujtohet. Ndërsa Nexhmija rron akoma. Si ka mundësi?! Unë vetë nuk kam mundur ta njoh, por ajo sjell vazhdimisht në këtë vend punëtoren e saj të ndezi qirinj. Kur punëtorja e saj vjen këtu, më thotë: “Të bën të fala Nexhmija që e ke ruajtur atë baltë të shenjtë”. Çudi për zotin!

Me Ramën, sa herë jeni takuar?

Dy herë gjithsej. Kur erdhi për ndërtimin e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, më përqafoi dhe folëm. Në fakt, tani dua ta takoj Ramën e t’i them ca gjëra. Kur më përqafoi së fundmi, më tha: “Shyqyr që je plakë, se të ishe e re…
Si i keni raportet me politikanët e tjerë?

Me Sali Berishën jam parë te “Vila 14”, kur kishim Ramazanin. Ai më dërgoi makinën e tij dhe shkuam të bënim iftarin. Ndërsa me Ilir Metën dhe Monikën jemi miq. Ilirin e takova ne Kryegjyshatën Botërore. Por e kam takuar edhe njëherë tjetër në Durrës te një miku im, Laze Hysenbelliu. Janë besimtarë të mirë të gjithë këta që thashë.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.