Vizitat e dyshimta të anglezeve që akuzoheshin si spiune

May 16, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Vazhdimisht, në kohë të ndryshme, kemi dëgjuar për vizitat e zonjave të huaja, që pa ndonjë arsye të posaçme vinin në një vend aq të largët e të panjohur si Shqipëria. Thuhej gjithmonë se vinin për arsye studimore, por asgjë konkrete, përveç shënimeve të tyre që këtu te ne u zbuluan dhe erdhën shumë vite më vonë, shkruan Panorama.

Margaret Hasluck
Margaret Hasluck

Më e njohura ndër të gjitha është Edit Durham, por edhe mikeshat e saj, që erdhën më pas, nuk ishin më pak të njohura në rrethet e shoqërisë së lartë. Studiuesi e përkthyesi Afrim Karagjozi (njohësi i mirë i gjuhës angleze), përpara se të ndahej nga jeta, kishte bërë bashkë historitë e shumë grave angleze që patën vizituar Shqipërinë.

Historitë janë mbledhur në një libër të botuar pak ditë më parë. “Zonjat angleze në Shqipëri”, botuar nga “Skanderbeg Books”, në thelb ka të njëjtat rrugëtime, në qendër të të cilave është Shkodra por, në fund, asnjë arsye konkrete të vizitave të tyre “studimore”. Në disa raste, akuzat për spiunazh janë bërë haptazi, në raste të tjera ngjarjet nuk janë aq të bujshme. Kemi shkëputur nga libri copëza nga historia e secilës për t’u njohur më mirë me një të shkuar të panjohur të Shqipërisë dhe vizitoreve të saj.

PJESE NGA LIBRI

MARGARET HASLUCK (1885-1948)

Shumë shqiptarë që e njohin Margaret Hasluck-un, kanë një të dhënë të gabuar: ajo është cilësuar si agjente britanike në Shipëri. E vërteta është se Hasluck nuk ishte agjente, por studiuese. Veprimtarinë e saj në shërbimet e fshehta britanike ajo e filloi pas largimit nga Shqipëria e pushtuar, në vitin 1939. Padrejtësisht quhej armike e popullit shqiptar, kur në të vërtetë ishte mike e dashamirëse e tij.

Margaret, 35-vjeçare, vendosi t’i përkushtohej botimit të shkrimeve të burrit, gjë që e kreu me sukses. Ndërkohë ajo fitoi një bursë nga Wilson Fellawships, e më pas nga Leverhulme Trust, për të bërë studime folklorike në Ballkan e kryesisht në Shqipëri. Aty nga mesi i viteve ’20, Margaret u vendos në Elbasan, ku qëndroi deri në vitin 1939, kur italianët e dëbuan si agjente britanike. U kthye në Athinë, por mbërritja e gjermanëve aty, e detyroi të shkonte në Kajro.

hs-5-121-partisan-girl

Në Kajro, njohuritë për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjuhën e tyre, shërbyen së tepërmi në veprimtarinë e fshehtë britanike kundër komunizmit. Margaret që andej u lidh me shqiptarët e arratisur dhe nëpërmjet tyre, me antikomunistët në Shqipëri. Por me përkeqë- simin e shëndetit, ajo shkoi në Qipro e prej andej në Dublin, për të shkruar librin “Ligji i pashkruar në Shqipëri”.

Më 18 tetor 1948, Margaret Hasluck vdiq nga leucemia. Në 1939-n u detyrua të largohej nga Shqipëria pa dëshirë, ngaqë ishte e lidhur shpirtërisht me të dhe veçanërisht me qytetin ku jetoi për shumë vite, Elbasanin. Që andej nisej për vizita të largëta e të vështira maleve e fshatrave, ashtu si Meri Edit Durhami, disa vjet më parë. Ato nuk qenë shëtitje turistike.

Mblodhi lëndën e parë për librin dhe përshkrimet e saj, shumica e të cilave u botuan pas vdekjes. Larg Shqipërisë, ajo, e detyruar nga rrethanat, e ndryshoi krejt natyrën e punës, ndonëse ajo që bënte ishte e lidhur me Shqipërinë, por këtë herë qe politike. Margaret Hasluck la mbresa dhe kujtime të pashlyeshme kudo ku vajti nëpër Shqipëri.

Por ka edhe bashkëkohës dhe bashkatdhetarë që e kanë njohur nga afër dhe e kanë vlerë- suar, ashtu siç e kanë ndier ndikimin e saj mbi ta. Nuk ka gjë që janë të panjohur për ne shprehësit e mendimeve dhe përshtypjeve, por kanë vlerë ato që lexojmë në kapitullin “Hippolyta of the Albanians” në “The Times”, një javë pas vdekjes së Margaret. Artikulli përfundon: “Kjo është përmbledhja e mirëfilltë e një historie, që më duket drithëruese”.

G.R Cowiu ka lënë një shënim më të gjatë biografik, një pjesë e të cilit është përfshirë në të njëjtin libër. Ai thekson: “Njohuritë e saj ishin të thella dhe intime. Ajo pat udhëtuar me këmbë ose me kalë, kryq e tërthor vendit. Njihte një numër të madh njerëzish në mbarë Shqipërinë, nga zyrtarë minorë e deri te krerë fisesh. Shumë të shquar ishin edhe miqtë e saj personalë. Por ajo njihte edhe fshatarësinë e pavarur dhe krenare; bujarinë dhe mikpritjen e tyre, pavarësisht varfërisë dhe analfabetizmit.

 

Margaret_Hasluck

Ajo i qe dhënë Shqipërisë me mish e me shpirt, dhe kur fliste, zëri i saj qe bindës dhe entuziast. Në Dibër, në Verilindje të Shqipërisë, tregimet u shkruan nga një djalosh në dialektin dibran, por që nuk ndihet fare në përkthimin anglisht, thotë Margaret. Fondi i Ministrisë së Arsimit qe mbledhur me urdhër për të gjithë drejtorët e shkollave në mbarë vendin. Por përmbajtjet e tyre nuk përbënin ndonjë vlerë lokale.

Të gjitha këto u përmblodhën dhe u botuan në një libër në vitin 1932. Vetë Margaret Hasluck shkroi parathënien në shqip dhe disi më gjatë, më në hollësi, anglisht. Ajo thekson se libri synon ndihmesën për të mësuar shqip ose anglisht, për ata emigrantë shqiptarë në SHBA dhe për ata që tani janë të interesuar për Shqipërinë e pavarur. Margaret vëren se përdor shqipen me germa latine, sipas standardit të vendosur në Kongresin e Manastirit – 1908.

Sipas saj, mënyra më e mirë për të mësuar gjuhën janë përrallat e rrëfimet popullore. Ajo shpreh mirënjohjen për redaktimin që i bëri librit intelektuali elbasanas, Lef Nosi. Ky libër u botua vite më vonë, në kujdesin e miqve të saj në Angli. Shumë shënime kanë shkruar edhe oficerë britanikë që bashkëpunuan me Margaret në Stamboll dhe në Kajro, kundër komunizmit në Shqipëri.

Ata na përshkruajnë një portret tjetër të saj, krejt ndryshe nga ajo e një studiuese. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, e dyshuar si spiune, atë e dëbuan nga Elbasani, duke e hedhur në fushën e shërbimeve të fshehta britanike, kryesisht si eksperte për Shqipërinë. Ajo nuk merrej me spiunazh apo kundërspiunazh, por si këshilltare për përgatitjen e një revolte kundër komunizmit. Por David Smiley në librin “Albanian Assignment”, 1984, i kushton më shumë shënime bashkëpunëtores së tij, Margaret Hasluck, të cilat na e përshkruajnë atë në disa profile.

Ai shpjegon se me nxitjen e Çërçillit u formua MO, dega lindore e “Special Operations Executive”, me synim forcimin e qëndresës ndaj gjermanëve në vendet e pushtuara dhe fillimin e lëvizjeve që do të shërbenin si “kolonë e pestë”. Ajo degë lindore ndahej në seksione për secilin vend. Atëherë, në vitin 1943, seksioni shqiptar përbëhej vetëm nga Margaret, e cila qe tërësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë së saj të dashur.

Pasi u largua nga italianët në vitin 1939, ajo u rekrutua nga Shërbimi Inteligjent Britanik. Ajo ishte e bindur se shqiptarët do t’i dëbonin italianët.

Kopertina e librit “Zonjat angleze në Shqipëri”, nga Afrim Karagjozi
Kopertina e librit “Zonjat
angleze në Shqipëri”, nga Afrim Karagjozi

RUTH PENNINGTON (1884-1970)

NDIHMËSJA E OFICERËVE BRITANIKË PËR XHANDARMËRINË

Ruth pranoi një kontratë për katër muaj punë në një vend që nuk e njihte fare, ngaqë nuk kishte asnjë të dhënë dhe asnjë rast për ta njohur. Me t’u caktuar, ajo u njoh me shkrimet e Edit Durham-it dhe krijoi një ide. Ruth Pennington udhëtoi nga Brindisi në Vlorë. Mbërritja nuk ishte dramatike dhe vetë Ruth nuk u befasua.

Po atë ditë u nis për në Durrës, ku e priti gruaja e konsullit, e cila e shpuri në Legatën Britanike për të kaluar natën e parë në Shqipëri, në vitin 1924. Aty në Durrës, Ruth takoi për herë të parë Lady Carnarvon, me të cilën filluan nga puna parapërgatitore që e priste Ruth-in në Kavajë. Ndërkohë në Shqipëri po ndihmonte “American Mission”, si dhe oficerët britanikë për xhandarmërinë.

Kur u kthyen në Durrës, edhe Ruth pati ftesë të shkonte bashkë me stafin e legatës, për çaj, në anijen italiane “Andruce”, që sapo kishte mbërritur. Kaq qe festa e Ruth-it, e cila u kthye në Kavajë ku gjeti miqtë e saj, ndërsa zyrtarët qenë zëvendësuar. Edhe kryebashkiaku qe i ri. Edhe viti ishte në prag të ndërrimit. Për herë të parë, Ruth provoi Vitin e Ri në Shqipëri, që ishte një festë popullore.

Ruth-it iu desh të bënte vizita kortezie. Ajo vuri re se kudo ku kalonte apo ndalte, banorët i hapnin rrugën ose i lironin vendin për t’u ulur. Në fund të shkurtit të vitit 1925, Lady Carnavon bëri një vizitë dhe u befasua nga arritjet e Ruth-it brenda një kohe të shkurtër. Ajo shoqërohej nga deputetë dhe nga prefekti i ri i Durrësit.

U kthyen në po atë banesë në Durrës, vendosur në një vend me pamje të bukur deti, e ngrohtë në dimër, por përvëlim në verë. Vetë puna, sjellja dhe qëndrimi, veprimtaria dhe karakteri i saj i fortë, krijuan një figurë autoritare, drejtuese e shumë të dashur. Nëse shqiptarët e quajtën Edit Durhamin “Mbretëresha e Shqiptarëve”, Ruth-in e quajtën “Zonja”.

GEORGINA MUIR MACKENZIE (1833-1874) DHE ADELINE PAULINA IRBY (1831-1911)

DY MIKESHAT UDHËTARE QË AKUZOHESHIN PËR SPIUNAZH

Ishin dy mikesha britanike që udhëtuan bashkë nëpër Europë dhe bashkë botuan librin “The Turks, the Greeks and the Slavons”. Gjer në vitin 1859, ato patën udhëtuar mjaft, kryesisht për arsye shëndetësore. Por autoritetet austriake nuk e morën parasysh këtë shkak, përkundrazi, gjatë shëtitjeve në malet Karpat, ato shtuan dyshimet dhe në vitin 1858 u arrestuan për “prirjepa sllavike”.

220px-Paulina_irby

Ato u vunë nën mbikëqyrjen e policisë (për shkak të dyshimit që zgjoi një pusullë e lënë në një hotel), madje nuk besoheshin se qenë angleze, ngaqë komunikonin në frëngjisht. Të nesërmen e mbërritjes në Schmocks, dy xhandarë i shoqëruan për te shefi i tyre i cili i akuzoi si spiune me prirje pansllavike. Por ndërhyrja e diplomacisë angleze, i detyroi austriakët t’i linin të lira, madje duke u kërkuar ndjesë.

Për shqiptarët, pasi erdhën në vendin tonë, kanë shkruar: “Shqiptarët ishin europianë që patën humbur jo vetëm lirinë, por edhe fenë. Dikur të gjithë ishin të krishterë! Por nuk kishin humbur veçoritë e tyre, traditat, historinë”. Ndonëse ato nuk merreshin gjatë me shtjellimin e këtyre elementeve të identitetit të shqiptarëve, aty-këtu edhe me një shprehje apo rresht të vetëm, zbulonin qoftë dhe një të vërtetë me pak apo me shumë vlerë dhe rëndësi. Udhëtimi i tyre vazhdoi nga Prizreni për në Shkodër. Shkodra u pëlqeu, kishte një fllad europian.

Konsulli britanik i mirëpriti dhe u dha ndihmën që u duhej. Nga Shkodra shkuan në Tivar dhe Krishtlindjet e atij viti, 1863, i kaluan në Malin e Zi.

WINIFRED GORDON (1872-1937)

SHKRIMTARJA ANGLEZE E RRETHEVE TË LARTA OSMANE

Pse erdhi Winifred Gordon në këtë vend të humbur? Ajo vetë na rrëfen se, për shkak të shëndetit jo të mirë, nuk ishte pjesëmarrëse e përshtatshme për punë. Sigurisht, kjo e vërtetë ishte dyfish e rëndë për të: shëndetligë dhe për punë. Në ato kohë thuhet se burrat ishin për në front ndërsa gratë për në punë. Dhe lufta filloi në Ballkan, prandaj vëmendja e europianëve u drejtua për andej.

Aty u dhanë shenjat e para të një lufte të madhe, por njerëzit, ndër ta edhe Winifred-i, shpresonin se po aty do të jepeshin shenjat e para të paqes. Ballkani u dukej interesant, dhe Shqipëria ca më shumë. “Shqipëria! Çfarë vendi i çuditshëm dhe i ashpër për të vajtur!” Mirëpo kërshëria angleze është më e fortë se çdo e panjohur, prandaj aristokratja “guxoi” që të vinte.

Në Stamboll, aristokratja angleze, e privilegjuar të takonte këdo në sferat e larta osmane, pati rastin të njihej edhe me një shqiptar të famshëm, për të cilin shkroi: “Ferid Pasha ishte shqiptar i pastër, një burrë shumë i pashëm dhe i shquar: I gjatë dhe shtatderdhur, me syrin nën vetullat e dendura. Sjellja e tij dinjitoze i jepte atij atmosferën e racës fisnike, e cila ishte pjesë e trashëgimisë natyrale. Ai ishte Guvernator në Konicë, përpara se të bëhej Grand Vezir i Sulltanit, post që e mbajti disa herë.

Ai ishte burrë me shumë aftësi dhe takt dhe pëlqehej së tepërmi nga ambasadorët”. Winifred bëri një portretizim gati të plotë të malësorëve, të cilët i pa në rrugët dhe dyqanet e Shkodrës dhe i cilësoi si “splendid figures”: “Ata janë burra spikatës, ata bij malesh, mrekullisht trupformuar, dhe që ruajnë një dinjitet madhështor… të gjatë, shtatderdhur, të zhdërvjellët në ato tirqe të bardha e puthitura…

Të gjithë kishin armë kërcënuese në brez, ndërsa pushka varej në supin e çdo burri. Më i gjati i gjindjes-gjashtë këmbë- kishte një çift pisqollash të bukura nga Prizreni… Shpesh armët e tyre kanë vlerë të madhe dhe çmohen së tepërmi prej tyre. Raca e Shkypëtarëve ka tipare të mprehta, sy gri-blu dhe mustaqe kafe ngjyrë kashte”… ka përshkruar Gordon.

MARY DOLLING SANDERS (LADI O’MOLLI), 1891-1974

ANGLEZJA QË SHËTISTE NËPËR SHKODËR ME “KADILLAK”

Me një veturë “Kadillak”, që miku i saj Mr. Waren Langdon e pat porositur, u nis nga Podgorica për në Shkodër. Moti i keq dhe nata e zuri rrugës, dhe ajo sikur po mëdyshej, po pendohej, por Nils Larseni e pat siguruar se jeta në Shqipëri qe ashtu siç përshkruhej në Testamentin e Vjetër dhe ka shumë bukuri dhe forcë. Ajo dukej krejt ndryshe nga çdo gjë që kishte parë, kaq ndryshe, por shumë ngazëlluese.

 

Fair, Elizabeth - author photo from Bramton Wick

Kështu e vazhdoi udhën për në Shkodër, mes errësirës dhe kontureve të pamjeve përqark dhe hera-herës pranë siluetave të kalimtarëve. E gjithë kjo pamje e bëri të mendojë se “…ajo kurrë në jetën e saj nuk kishte parë ndonjë gjë aq dramatike, sa ajo natë shqiptare”. Mbërriti në Shkodër dhe u prit nga kolonel Robinsoni. Të nesërmen doli në qytet, ku qarkullonte thashethemi se kushërira e Anthony Edenit pati ardhur po atë natë.

Qyteti iu duk më pak ballkanik, mjaft modern dhe i bukur, plot me ata banorë me ato kostume që “mbushnin rrugët si me lule me flutura”. Në kishë festohej dhe ajo mundi të shikonte bukurinë e kostumeve të bëra vetë, plot ngjyra e qëndisma. Udhëtarja jonë e befasuar, pa se mbi emrin e rrugës së mikut më të madh të shqiptarëve, Aubrey Herbert, qe zhgaravitur me furçë emri i gjeneral Gracian-it.

Kuptohej se Italia po shtrihej në Shqipëri dhe ashtu si Zogu zëvendësoi ushtarakët britanikë me ata italianë, ashtu edhe rruga “Aubrey Herbert” në Shkodër u quajt rruga “Gjeneral Graciani”. Por ky ndryshim nuk i kishte pakësuar qytetit bukurinë. Miku me “Kadillak” i pat thënë: “Më pëlqejnë tmerrësisht shumë shqiptarët. Janë popull i madh. Ata janë tejet inteligjentë, shumë më tepër se sa mund të duken. Ata kanë, mes këtyre sllavëve, një cilësi shumë dalluese”.

THEODORA BENSON

PJATAT E “GRAND HOTEL” QË ANGLEZET I PAGUANIN ME AR

Hoteli “Grand” në Shkodër ishte “perfekt”, ashtu sikundër qe fort i mirë edhe restoranti, ndonëse pak i shtrenjtë, ngaqë paguhej me ar. Kamerierët qenë të sjellshëm dhe u bënë shërbim të veçantë dy zonjushave angleze. Të nesërmen, njëri prej tyre, u dhuroi nga një tufë me lule, gjë që u la përshtypje fort të mirë. Shoqëruesi shkodran i shëtiti në qytet dhe u miqësua shpejt me to.

Ai i shpuri deri lart në kështjellë, prej nga hapej një panoramë mbresëlënëse. Në kthim, vizituan një shkollë ku mësonin vajza e djem bashkë. Pastaj, festimet në një dasmë shkodrane i tërhoqën vë- mendjen dhe ato, gjithnjë të shoqëruara, u bashkuan me dasmorët. U pritën miqësisht dhe i gostitnin sipas traditës, gjithë kohën të qeshur e gazmorë. Pazari i Shkodrës u bëri përshtypje.

Për to ishte “mahnitës”, plot me zanatçinj që ofronin lloj-lloj punimesh të ndryshme. Pas drekës, shoqëruesi i tyre i ftoi për një shëtitje jashtë qytetit, meqë ishte bukur. Ai u shpreh se ishte diçka e veçantë të shoqëronte dy “mademoiselles”, pasi me vajzat shkodrane ishte krejt e pamundur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura