Vizita në SHBA/ Xhafaj takohet me zëvendës koordinatoren e antiterrorizmit: Vazhdojmë bashkëpunimin

Mar 23, 2018 | 20:12
SHPËRNDAJE

Takimi i radhës në Departamentin e Shtetit, i Ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve kryesorë të Policisë së Shtetit, ishte me Zëvendës Koordinatoren për Antiterrorizmin, znj. Alina Romanowski dhe nënshkrimi i marrëveshjes me të. Ai u fokusua në përpjekjet e Shqipërisë lidhur me parandalimin e fenomenit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe forcimin e luftës kundër terrorizmit.

xhafaj

Ministri Xhafaj, prezantoi në këtë kontekst, reformat e ndërmarra në këtë fushë duke përfshirë edhe ato për Policimin në Komunitet, me qëllim kontrollin më të mirë të territorit dhe përmirësimin e marrëdhënies me komunitetin, me fokus parandalimin e kriminalitetit. Ai theksoi gjithashtu se prioritet për Qeverinë shqiptare mbetet ruajtja dhe menaxhimi i integruar i kufijve, proces i cili asistohet teknikisht edhe nga Departamenti i Shtetit, përmes një sërë projektesh konkrete.

Znh. Romanowski vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe siguroi vazhdimësinë e mbështetjes amerikane sa i takon sigurisë kufitare. Ajo inkurajoi proceset e nisura në Policinë e Shtetit, veçanërisht reformën e Policimit në Komunitet, zbatimi me sukses i të cilës do të ndikojë në parandalimin e kriminalitetit dhe radikalizmit.

Ministri Xhafaj e informoi znj. Romanowski lidhur me reformat e tjera të rëndësishme në luftë kundër krimit të organizuar, operacionin “Forca e Ligjit”, luftën kundër trafikut të drogës, kontrabandimit të migrantëve etj.

Palët nënshkruan një memorandum bashkëpunimi midis dy qeverive, në fushën e luftës kundër terrorizmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura