Vizita e Vuçiç, flet ish-kreu i policisë: Ja sa policë duhen, nëse precipiton situata atëherë …

SHPËRNDAJE

Sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimit, për vizitën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic në Kosovë mjaftojnë 300 policë. Ai në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se në kushte të zakonshme 100 policë do të mjaftonin që ta përcjellin Vuçiqin që prej hyrjes në territorin e Kosovës e deri në dalje, gjersa thotë se edhe 200 të tjerë do të duhej të ishin në gatishmëri në rast të eskalimit të situatës. Selimi agjendën e presidentit serb po e konsideron se tepër sfiduese dhe sprovë për aspektin e sigurisë, ndërsa beson se do të kalojë pa incidente, shkruan Express.

police

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Kosovë. Ai në këtë intervistë tregon për atë se si duhet të veprojnë institucionet e sigurisë, për incidentet e mundshme, përfshirjen e BIA-së serbe në këtë vizitë, si dhe për numrin e policëve që do të mund ta mbulonin këtë ngjarje dhe të parandalonin incidentet.

Gazeta Express: Si duhet të sillen institucionet e sigurisë në vend me rastin e vizitës së Vuçiqit?

Selimi: Agjenda e Vuçiqit është tepër sfiduese dhe sprovë në aspektin e sigurisë. Përveç kësaj, ajo agjendë në aspektin politik është paralajmërim për synimet e tyre në negociatat e ardhshme. Është agjendë e karakterit skajshmërisht populist, prandaj edhe sfiduese edhe për institucionet politike, por edhe ato të sigurisë. Institucionet e sigurisë e kanë për obligim që ta respektojnë lejen e lëshuar nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme, dhe ata duhet me provu që ajo agjendë të kalojë ashtu sikurse është lejuar. Në fund të fundit, pavarësisht të krekosjeve të Beogradit për një ardhje dhe një fitoreje për ardhjen e tij, është me rëndësi që të kuptohet se pavarësisht kësaj ai po hyn me leje në Kosovë, dhe se leja është imponuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë që ta lejojnë të vijë me agjendën që e ka kërkuar. Me gjithë faktin që po vjen, ai po vjen me propotencë, megjithatë e ka siguruar lejen tonë, e cila është leje e ndikuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë të cilëve u kemi borxh dhe mirë është që i  kemi dëgjuar, nuk prish punë. Është e karakterit populist nuk diskutohet, është sprovë, por edhe është një lloj paralajmërimi nga ta se nuk iu intereson ndarja, por insistojnë edhe synojnë në një autonomi me karakter ekzekutiv dhe synojnë pasuritë në veri. Ata nuk janë për ndarje, pasi që me ndarje do të humbisnin shumë.

Gazeta Express: A mendoni se ka rrezik që sot të ndodhë ndonjë incident, dhe si do të duhej të reagonin institucionet e sigurisë në rast të incidenteve?

Selimi: Nuk besoj se mund të ketë ndonjë incident të përmasave të mëdha, eventualisht në agjendë mund të ketë shkëputje, mund të ketë deklarata të karakterit politik, por që nuk e cenojnë në aspektin operacional sigurinë. Ndërkohë që nëse ndodhë , ngase incidentet është vështirë t’i parashikosh, institucionet tona duhet të reagojnë. Në Kosovë e kemi Policinë e Kosovës si reaguesin e parë, sidomos në veri. Pastaj është kompetencë ndërkombëtare , dmth në rast se rendi dhe qetësia prishen në përmasa shumë të mëdha që e rrezikojnë edhe sigurinë kombëtare, atëherë përgjegjësinë e ka KFOR-i, sepse në aspektin e sigurisë publike përgjegjësia i bie Policisë së Kosovës që të reagojë dhe të parandalojë eskalimin eventual të situatës.

Gazeta Express: A mendoni se ka rrezik që të përfshihet edhe BIA serbe?

Selimi: BIA serbe përfshinë prej moti, sidomos në pjesën veriore. Por, BIA serbe duke e ditur se është Shërbim Intelegjent serb ka rrjetin e vet, ku ata duan që ta kenë, por sidomos në veri. Kurse për rastin konkret, prej momentit kur është paralajmëruar vizita, BIA serbe ka marrë detyrën që të kujdeset për ardhjen e Vuçiqit në Kosovë, sepse fundja është presidenti i tyre, pra të mbledhin informacione që të realizohet me sukses ajo. Përveç asaj , nëse politika serbe përfundimisht synon në destabilizim këtë e bëjnë përmes BIA-s serbe. Pra, BIA prej kur është dhënë lajmi, unë besoj se është e përfshirë edhe operacionalisht në mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve, lidhur me presidentin e tyre, sigurisë së tij sepse ai presidenti nuk është bash i mirëpritur prej serbëve në Veri, prandaj BIA serbe ka punë edhe me komunitetin serb, i cili nuk është se e mirëpret shumë Vuçiqin, kështu që BIA është e angazhuar në funksion të realizimit të agjendës së presidentit të tyre. BIA vepron me pak njerëz, por me shumë bashkëpunëtorë. BIA serbe është pararojë e agjendës së Vuçiqit në veri.

Sa pjesëtarë të Policisë së Kosovës mendoni se do të mund ta mbulonin këtë vizitë e të parandalonin incidentet e mundshme?

Selimi: Në rrethana të zakonshme, por tash duhet të merren parasysh edhe veriun e tjerë, një numër prej 100 vetash do të mjaftonte prej kufirit e deri në kthimin e tij prapë në kufi, pra oficerë të shpërndarë nëpër detyra të ndryshme, mjafton për tu realizuar ajo agjendë. Ndërsa 200 veta do të duhej të liheshin në gatishmëri, në rast të eskalimit të situatës e ku cenohet rendi publik./GazetaExpress

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakFansat e akuzuan se vrau reperin e famshëm, Ariana Grande merr vendimin drastik
Artikulli tjetërMinistri i përgjigjet kontabilistit: Sistemi i ri për kontrollin e faturave ul evazionin

S'KA KOMENTE

Comments are closed.