Vizita e Erdoganit dhe atletja Luiza Gega

May 19, 2015 | 11:52
SHPËRNDAJE

BESNIK DIZDARI

    1.
Të shtunën e kaluar, pasi u mora nja një orë të mirë me shtypin shqiptar, thashë të bëj një “hetim” të shpejtë gazetarie. Kështu, u nisa aty afër e pyeta plot dhjetë djem nëse ia kishin dëgjuar emrin atletes botërore të Shqipërisë, Luiza Gega.
Vetëm tre prej tyre ia dinin emrin. Shtatë të tjerë kurrsesi!
E bëra këtë “hetim” të shpejtë, mbasi qeshë mërzitur tejet për injorimin që shtypi shqiptar i së dielës, i kishte bërë arritjes së nivelit botëror të Luizës në atë që quhet “IAAF Diamond League” – që është seria më e rëndësishme e përvitshme e atletikës së lehtë në botë. Kjo e së shtunës që shkoi, ishte seria e Doha-s së Katarit, ku në garën e 1500 metrave Luiza Gega e Shqipërisë u rendit e 5-ta në botë, duke lënë pas bukur 11 atlete. Dhe me rezultatin po të rangut më të parë të botës – 4.02.63 – rekord kombëtar. Ndërkaq, duke qenë se para Luizës kishin arritë vetëm tri shtete të tjera (Etiopia, Holanda dhe Ukraina), kjo do të thotë se Shqipëria është renditur e katërta në këtë garë të botës. Dhe mu këtu më lind pyetja: përjashto peshëngritjen (për fat, e goditur rëndë prej dopingut), ku është sot e katërta në botë Shqipëria? Në ekonomi? Në politikë? Në art e muzikë? Në letërsi? Në kulturë? Në histori? Në rend e qetësi? Në përparim? Në turizëm? Në shkencë? Në nivelin e jetesës?…
E katërta e botës Shqipëria është vetëm në një garë të mbretëreshës së sporteve, që i thonë atletikë e lehtë. Kjo falë  rekordmenes së saj shqiptare, Luiza Gega – një vajzë modeste së cilës nuk i dëgjohet zëri, që ul kryet, që humb ditët në stërvitje rraskapitëse, e drejtuar prej trajnerit të saj Taulant Stërmasi. Dhe vetëm kaq. Nuk di nëse dikush ka shkruar ku jeton Luiza, si jeton, në fund të fundit sa fiton, sa e mbështet shteti apo qeveria, sa sponsorizohet rregullisht, kush e sponzorizon.
Mirëpo, ja që më doli se e njohkan vetëm 30 për qind sipas “hetimit” tim. Dhe prej të dhjetë të rinjve që unë pyeta, nja pesë i gjeta në një pikë lotarie të përkulur te skedat parashikuese të ndeshjeve të shteteve të tjera. Nuk kanë faj assesi. Sepse, për shembull, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka televizione të saj, të cilët në lajmet qendrore para Kampionatit të Shqipërisë japin, edhe me koment madje, qoftë dhe një ndeshje të parëndësishme të Serie A të Italisë. Që është një shtet tjetër, jo Shqipëria! Madje, e japin me një gjakim (pasion) të papamë. Ky nënshtrim italofil nuk ka ndodhur as me gazetën “Fashizmi” gjatë pushtimit musolinian!
Kështu, pra, me arritjen e rëndësishme të saj olimpike të së shtunës, shtypi, media, TV apo radiot shqiptare gati e zhdukën këtë arritje, ose e dhanë si të ishte fjala për një atlete që ishte renditur e pesta e spartakiadës së kooperativave bujqësore. Rreshta të thatë, madje me mangësi të kulturës së njohjes të vetë garës, lajm i thatë gati i fshehur (sa munda të shoh, vetëm gazeta “Panorama Sport” e kishte në faqen e parë). Si të mos ishte një ngjarje e rëndësishme e Shqipërisë. Kur merret vesh se me këtë garë Luiza Gega siguroi pjesëmarrjen në Lojërat e ardhshme Olimpike. Dhe besoj se e dini që Shqipëria është i vetmi vend midis 53 shteteve të Europës, që deri më sot nuk ka fituar asnjë medalje olimpike. Madje, është edhe mbrapa Kosovës me Azis Salihun e Jugosllavisë, bronz në Los Anxhelos, çka statistika e sotme e historianëve në botimet e tyre zyrtare ia regjistrojnë Kosovës.
Vërtet, si ka mundësi që media, shtypi shqiptar “nuk e do” rezultatin e Luiza Gegës?
Dhe është krejt e papranueshme, bie fjala, se si për muaj në shtypin shqiptar gjen lajme për pjesëmarrjen e Shqipërisë në festivalin europian të këngës. Ndërkohë, në javët e fundit përditë. Video, ushtima publiciteti si të ishte fjala për fatin e Shqipërisë së sotme, kur në të vërtetë është fjala thjesht për një këngë që, në fund të fundit, nuk po shkon te ndonjë Oskar hollivudian, por te një festival europian i këngës, ku ka shtete që edhe nuk denjojnë të marrin pjesë, madje shpesh edhe shtete të një autoriteti të madh muzikor.
Kjo është Shqipëria. Nuk ka baraspeshë të mendimit, të kulturës, dijes e baraspeshë rëndese arsyetuese për pasqyrimin e jetës së saj në shumanshmëri.
Për rastin tonë, pa dyshim kjo vjen prej një mosvlerësimi të drejtuesve të gazetave, televizioneve, radiove. Por, duke e pa nga ana profesionale, them se është mosvlerësim i vetë gazetarëve, të cilët nuk e dinë se atletika e lehtë qysh në lashtësinë e njerëzimit është mbretëresha. Them se u mungon kultura e duhur sportive. Sidomos nuk dihet se si të paktën nuk ngulmojnë për të mësuar. Këtu do të përsëris një rast që e kam botuar edhe më parë, të Gianni Brera-s – një prej gazetarëve më të mëdhenj të botës – kur i caktuan që të merrej në gazetë edhe me atletikën e lehtë:
“Për shumë kohë – kujton Brera, – përballova sarkazmin e atletëve. Mandej studiova teknikën e atletikës si për një diplomë universiteti: ligjet e mjekësisë sportive, të teknikës së stërvitjes, të mekanikës, levat e muskujve dhe të kockave, shpërndarjen në kohë të konsumit të energjisë, efikasitetin e frymëmarrjes që shpjegojnë suksesin atletik. Më pas forcova miqësinë me trajnerin Sandro Calvesi, i martuar me atleten Gabre Gabric dhe së bashku me të shkrova një manual”.
Manuali i Gianni Brera-s u botua më 1960 dhe u përkthye në disa gjuhë të huaja nën titullin “Atletika, mbretëresha e Olimpiadës”.
Dhe ne që shkruajmë pandalë me “kompetencë” të plotë për një thënie të Presidentit të Turqisë, Taip Erdogan. Madje, me guxim të rrallë “kompetence”, dhe nuk di të jetë turkolog ndonjë prej këtyre “atdhetarëve” e të ketë shkruar diçka mirëfilli nga Turqia. Qoftë edhe për të thënë për shembull atë që thotë analisti i dëgjuar, i djeshëm dhe i sotëm i “Corriere della Sera”, 86-vjeçari i përditshëm në kolumnet e tij me lexuesit, Sergio Romano, i cili mosbesimin e disa shteteve apo njerëzve në Europë për Turqinë e përcakton si “dembelizëm kulturor”. Çështje dije e kuptimi, pra. Teksa shton se “sa më tepër që Turqia vjen e po bëhet fuqi rajonale, qoftë e admiruar apo tronditëse, aq më tepër mjedisi më kombëtarist i shoqërisë turke do të forcojë mendimin se ajo mund t’ia dalë edhe vetë”. E, papritmas më duket se te ky përcaktim i Sergio Romano-s gjej një paralelizëm me ato çka shkroi 83 vjet më parë (1932) At Gjergj Fishta ynë kur shkoi në Turqi, teksa e përcaktoi atë si “nji Turki… e cila gjet aq energji e vullnet në vedvedi për me përparue moralisht e materialisht, sa mos me muejë me u njoftë ma…”. I pat vënë reportazhit të tij të jashtëzakonshëm, që ia vlen të studiohet në shkollat tona të gazetarisë, këtë titull nënkuptues të një përparimi: “Nji udhëtim në Turki të re”…
2.
Kushedi ku ka shkuar këto ditë për ndonjë vizitë a punë tjetër Presidenti i Turqisë Erdogan, por Shqipëria nuk ndal. Nuk ndalin shkrimet për një deklaratë të tij, a thua se erdhën prapë Sulltan Murati e Sulltan Mehmeti te muret e Krujës! Dhe thuajse në çdo gazetë, emision a televizion gati në çdo çast, po t’i shfletosh apo t’i ndjekish, të del përpara kundërshtimi për deklaratën e Erdoganit.
Qenkemi prekur fort që Presidenti i sotëm i Turqisë paska folur nja tre rreshta fjalë për gjashtëqind vjet vëllazëri midis Shqipërisë dhe Turqisë. Ku, përveç të qenët të Shqipërisë për nja 450 vjet pjesë e Perandorisë Osmane, kufijtë e së cilës nisnin prej mesit të Azisë e shkonin deri në Adriatikun e pranë Romës e tokën afrikane, paska përfshirë edhe këto njëqind e sa vjetët e fundit, kur dihet ndërkaq se në këto vite prej Turqisë Shqipërisë nuk i ka ardhur asnjë e keqe. Për çudi, as edhe gjatë regjimit komunist.
Me një fjalë, ai u dashka të na marrë leje ne se çka do të thotë kur vjen në Shqipëri se mos na preken “atdhetarët” (“patriotët”). Pyes me vete: sa prej këtyre “atdhetarëve” shkruajnë e komentojnë për nivelin e ulët të jetesës në Shqipëri, për autobusin urban që të vjedh kohën tënde të çmuar me pritshmërinë e ngadalësinë e tij, për rendin, për aksidentet dhe shpejtësinë e makinave me mbi 80 km në orë mu në qendrat e banimit, për papunësinë, për rrogat e ulëta, për pensionet që nuk të mjaftojnë as për dhjetë ditë, për korrupsionin e sferave të larta!
Po të paktën t’i japin hapësirë e të shkruajnë për një Luiza Gegë – një të vetme pra, se nuk po kemi një tjetër të nivelit botëror.
Dhe përditë, pandalë, komente e “analistiada” për një thënie, që në fund të fundit nuk i ka bërë asnjë dëm “otoman” Shqipërisë, e cila, nëse e ka kuptuar sadopak lirinë e të folurit, qoftë edhe për politikanët, nuk ka përse të hidhet kësisoj përpjetë, siç po bëhet zakon, sidomos sa herë që vjen dikush nga Turqia. Se ku synojnë me gjithë këtë kundërTurqi një grup njerëzish në Shqipëri, nuk ka zot që e merr vesh. Ndonëse mendja ta do që e kanë një synim. Të paktën mos qoftë i një anësie fetare a të besimit. Mund të mos të pëlqejë ajo çka tha Erdogani, e drejtë me thanë, edhe mua nuk po pëlqen aq fort; mirëpo, përditë me Erdoganin? Aq më tepër në dëm të pasqyrimit në tanësi të pjesës tjetër të jetës shqiptare: qysh prej kritikave ndaj problemeve të mprehta e të vështira që ka ky popull e, pse jo, qoftë edhe deri te një arritje sportive botërore si kjo e atletes Luiza Gega.
Kësisoj, merret me mend se Presidenti i Turqisë nuk do të na marrë leje ne se çka do të thotë. Qoftë dhe për përcaktimin e “600 vjetëve vëllazëri turko–shqiptare”.
E këtu, ndoshta Erdogani ka parasysh Davut Pashën (1482), Ahmet Pashë Dukagjinoglun (1514), Ajaz Mehmet Pashën (1536), Lutfi Çelebi Pashën (1539), Kara Ahmed Pashën (1553), Semiz Ahmed Pashën (1579), Koça Sinan Pashën (1580, 1589, 1593, 1595  – pesë herë), Serdar Ferhad Pashën (1591,1595 – dy herë),  Yemuisci Hasan Pashën (1601), Damat Nasuf Pashën (1611), Hysen Ohirli Pashën (1621), Mere Hysen Pashën (1622, 1623 – dy herë), Tabaniasi Mehmed Pashën (1632), Kemankesh Kara Mustafa Pashën (1638, 1655 – dy herë), Kara Dev Murad Pashën (1649, 1655 – dy herë), Tarhuncu Ahmed Pashën (1652), Zurnazen Mustafa Pashën (1656), Mehmet Qyprili Pashën (1656), Fazil Ahmed Qyprili Pashën (1661), Fazil Qyprili Mustafa Pashën (1689), Arabci Ali Pashën (1691), Haxhi Halil Pashën (1716), Haxhi Ivaz Mehmet Pashën (1739), Nisançi Ali Pashën (1755), Memis Çavusbashi Pashën (1808), Mustafa Giritli Nail Pashën (1853, 1857 – dy herë), Mehmet Ferid Pashë Vlorën (1903), Said Halim Pashën (1913).
Dhe e merrni me mend se çka janë të gjithë këta burra shteti të Turqisë. Janë nja 30 kryeministra (vezirë të mëdhenj) shqiptarë të Turqisë. Janë nga Vlora e Berati, Shkodra e Korça, Elbasani e Peja, Manastiri e deri nga Luma e Mati, siç i përcakton Sami Bej Frashëri në veprën e tij gjigante në të mirë të kulturës së Turqisë – në të famshmin “Kâmûs Al-a’lâm”-in e tij ose “Dictionnaire Universel D’Histoire et de Geographie” , siç ia ka shkruar titullin vetë Sami Bej edhe në frëngjisht.
Ndoshta edhe këta 30 e ma kryeministra shqiptarë ka parasysh Erdogani kur flet për vëllazëri turko–shqiptare. E ndoshta ka parasysh edhe vetë Mustafa Qemalin – Ataturkun – themeluesin e Turqisë moderne me nënë e babë shqiptarë. E ndoshta ka parasysh edhe Sami Frashërin e Hasan Tahsinin, që dihet se çka kanë bërë për Turqinë. Ndërkaq, duke qenë se ka qenë futbollist, me siguri Erdogani ka parasysh edhe Islam Allaman Çupin (1932-2001), që u largua 7 vjeç nga Shqipëria e i cili sot e kësaj dite pranohet prej vetë turqve si gazetari më i madh sportiv në historinë e Turqisë. Se, për sa i përket birit të Samiut, Ali Sami Yen (Frashërit) – themelues i Galatasaray-t dhe i Komitetit Olimpik të Turqisë – president i madh i të cilëve ishte, mendja ma do se Erdogani patjetër që e ka gjithashtu parasysh.
Nuk mund ta harroj kur më 1986, teksa mu në qendër të Stambollit, po nisej Rrethi Çiklistik i Turqisë me emrin e Ataturkut, iu drejtova kryetarit të bashkisë të Stambollit, Nevzat Ajazit, me një pyetje krejt të sinqertë: “I nderuari zoti Ajaz, sa shqiptarë mund të ketë në Stamboll?”. Ai vuri buzën në gaz dhe tha: “1 milion. E edhe unë jam shqiptar”. Nuk mund ta harroj fytyrën e tij të gëzueshme kur, si ministër i Mbrojtjes së Turqisë, në nëntorin 1992 ai erdhi për një vizitë zyrtare tejet mbështetëse në Shqipëri.
Po aq sa si edhe të gjithë bashkatdhetarët e mi, nuk mund të harroj vendimin e madh të Turqisë kur sapo regjimi ra, ajo tha: “Shqiptarët në Turqi mund të vijnë pa viza”.
Mirëpo, ne harrojmë. Harrojmë dhe injorojmë. Madje, edhe veten tonë. Dhe nuk merremi me problemet tona, nuk merremi as me problemet jetike tonat. Merremi ditë të tana me një thënie të Presidentit të Turqisë në Shqipëri. Kësisoj, natyrisht nuk merremi as me atlete si Luiza Gega, edhe pse kjo nuk është e nivelit lokal shqiptar, por e nivelit botëror!
Do t’i mbyll këto radhë me titullin e një shkrimi të shkëlqyeshëm, botuar të shtunën në gazetën “Panorama”, shkruar nga Mentor Nazarko: “Të merremi me veten, jo me Erdoganin”.
Me shpresë se atletja e nivelit botëror, olimpistja e sapotitulluar shqiptare, Luiza Gega, do ta gjejë vendin që i takon në shtypin, televizionet, median, në krejt vendin e lartë që i takon në jetën shqiptare. Dhe jo vetëm ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura