Viti letrar 2015, shtohen poetët, “bien” klasikët

Apr 26, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Ç’ka ndodhur në letërsinë shqipe gjatë një viti përmes shifrave dhe trendeve. Studiuesja Dhurata Shehri në shkrim në “Panorama” bën analizën e vitit letrat.

“Një shije e re për kanonin e letërsisë botërore, asgjë e re për fëmijët, vijojnë toposet banale në poezi”- shkruan Shehri.

DHURATA SHEHRI 

Dhurata Shehri
Dhurata Shehri

Gjatë vitit 2015, sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare, në Shqipëri janë botuar 856 libra letrarë (rreth 100 më pak se vitin e kaluar) të ndarë në këtë mënyrë sipas gjinive: 300 vëllime me poezi, 271 romane; 95 vëllime me tregime dhe novela; 13 drama; 44 kritikë letrare dhe 133 libra të letërsisë për fëmijë. Botimet nga autorët shqiptarë mbeten dominues edhe këtë vit me 67%.

Përqindja e poetëve mbetet më e larta edhe këtë vit ndër autorët shqiptarë me 52%, në ngritje krahasuar me një vit më parë; ndërsa prozatorët 39%; kritikët 8% dhe dramaturgët më pak se një për qind. Raporti është i përmbysur në letërsinë e përkthyer ku kryeson proza me 82%, më pas poezia me 13% dhe vetëm 5% dramat. Letërsia amerikane është më e përfaqësuara edhe këtë vit me 62 tituj prej të cilëve, të paktën një e treta i përkasin kategorisë best seller dhe kanë për autore tri gra: D. Steel, J. Holub dhe S. Kline.

Letërsia franceze këtë vit kalon në vendin e dytë me 35 tituj, italiania me 33, anglezja zbret në 31 tituj, e vijojnë letërsia gjermane, turke, greke e ruse etj. Panorama e botimeve letrare na përvijon disa prirje domethënëse për procesin letrar.

Edhe në vitin 2015, vazhdon ulja e numrit të botimeve nga autorët klasikë të letërsisë shqipe, të përfaqësuar këtë vit vetëm me Naim Frashërin, Çajupin dhe Kutelin. Edhe klasikët e letërsisë botërore janë në rënie si numër, por të mirëpërfaqësuar nga: Homeri, Dante, Shakespeare, Racine, Goethe, Balzac, Hugo, Ibsen, Kafka, Sartre etj.

Ndërsa përkthimet e këtij viti nga klasikët modernë si Proust, Ungaretti, Hamsun, Foster, Hölderlin, Austen, Svevo, Moravia, Melvile, Kundera, Symborska, Kazanzakis, Rulfo, Llosa, Adunis, Wallace etj. po përvijojnë një shije të re për kanonin e letërsisë botërore në shqip.

Ndër ta, përkthimi i shkëlqyer i “Robinjës” së Proust-it nga Edit Dibra e bën lexuesin shqiptar ta gjejë “kohën e humbur” në kërkim të së cilës është prej vitesh dhe, me ndihmën e po të njëjtës përkthyese, me të njëjtën cilësi, të shijojë dy romanet provokative të Michel Houellbecq (“Thërrmijat elementare” dhe “Nënshtrimi”). Bashkëkohësia me botimet botërore, këtë vit në shqip shpërfaqet edhe me autorë si novelistja Munro (“E shtrenjta jetë”), Murakami (“Kafka në breg”), J. Marias (“Nesër në betejë mendo për mua”), R. Galbraith (“Krimbi i mëndafshit”), M. Haddom (“Rasti i çuditshëm i vrasjes së qenit në mesnatë”), J.G. Ballard (“Perandoria e diellit”), J. Archer (“Bija plëngprishëse”), R. Pilcher (“Kërkuesit e guaskave”), M. Paviç (“Peizazhe të pikturuara në çaj”) etj.

Në vitin 2015 janë botuar vetëm 133 libra për fëmijë nga të cilët 65% janë vepra të përkthyera, 9% më pak se vitin e kaluar, kur veprat e përkthyera zinin 74%. Seritë e mirënjohura “Akademia e futbollit” (Tom Palmer), “Aventurat e Jeronim Stiltonit” (Elisabetta Dami), “Një familje e paparë” (Christine Sagnier), “Shoqja ime Koni” (Julia Boehme), “Vajzat perëndesha” (Joan Holub) etj. janë shtuar edhe më 2015 me tituj të rinj “gazmorë”.

Asgjë për t’u shënuar nga veprat e letërsisë shqipe për fëmijë, të njëjtat tema, e njëjta rëndomësi në të shkruar që të bën të mendosh se autorët shqiptarë nuk kanë mësuar ende ta rikrijojnë botën e lexuesve të vegjël përtej klisheve démodé.

Edhe këtë vit librat “e zhurmshëm” nuk kanë munguar në skenën editoriale shqiptare. Pas zhurmës… asgjë për t’u mbajtur mend. Të tjerë janë librat që besoj se do të mbahen mend gjatë ndër lexuesit shqiptarë që kanë pritur në heshtje sa të qetohej zhurma.

“Kukulla” e Kadaresë, “Gurit të varrit ia rrëfej” e Tufës, “E zeza dhe e kuqja” e Krajës, “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” e Shehut, në prozë, “Largësia ideale” e Teferiçit, “Homo Arktarcticus” e Lleshanakut, “Zbulesa” e Shalës në poezi, si dhe dy romanet e më të rinjve E. Steiner (“Tokëmjalta”) dhe D. Levani (“Dopio gjashta”).

Po të përjashtojmë dy-tre vëllime me poezi që përmenda, toposet banale të poezisë shqipe nuk mungojnë edhe këtë vit, dhe janë po ato: Ëndrra, përfaqësuar me: “Ëndrra vrastare”; “Zgjimi i një ëndrre”; “Ëndrra si re”; “Ëndrrës i dhashë jetë…!”; “Mjellma ëndrrash të purpurta”; “Më lër të fle në ëndrrat e tua” (na vjen ta urojmë: gjumë të ëmbël!); “Ëndërr e mërguar” etj. Loti, përfaqësuar nga: “Lot nga cicërimat”; “Fjala e lotit”; “Hiri i lotëve”; “Një det lotësh” (sa mund të përmbytesh). Malli, përfaqësuar nga: “Vargjet pikojnë mall”; “Mall që nuk e tretin vitet”; “Më dogji Malli”; “Malli i bjeshkës”; “Dhemkë e mall” (dyfish e dhimbshme besoj!); “Antologji poetike për mallin”; “Dallga e mallit dhe e dhimbjes…”.

Dashuria, përfaqësuar nga: “Pak Shqipëri dhe pak dashuri”; “Stinët e dashurisë”; “Dashuria dhemb”; “Dashurinë ta lë në shpirt” (që mund të përfshihet në dy topikë); “Shtigje dashurie”; “Nuanca dashurie”; “Rrëfenjat e dashurisë”; “Vraga e dashurisë”; Shpirti, i përfaqësuar denjësisht nga: “Kur shpirti flet”; “Shpirt klandestin”; “Shenja shpirti”; por edhe nga “Jargavanët e shpirtit”; “Hukamë shpirti”; “Shpirti i fjalës”; “Vals i tingujve të shpirtit”; “Psherëtima të shpirtit”; “Jehona e shpirtit”; “Zëri i shpirtit të brishtë” etj. …. aq sa mund të na plasë shpirtin…. Edhe këtë vit mbetem e mëdyshur në konkursin për titullin më të mirë poetik, mes “Hingëllima e geneve” dhe “Britma e trëndafilit”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura