Viti i transformimit rrënjësor

Jul 18, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

ditmir bushatiDITMIR BUSHATI

Fillimi i punës përgatitore për procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE-në, apo siç njihet ndryshe “procesi screening”, përbën një moment të rëndësishëm për Shqipërinë si në aspektin politik, ashtu dhe në atë institucional. Para nesh shfaqet mundësia më e mirë e ndërveprimit të ndërsjellë mes Komisionit Europian dhe institucioneve shqiptare në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nuk ka asnjë dilemë se ky është një proces sfidues, i cili pritet të depërtojë në zemër të shtetit. Ne kemi një pasqyrë të qartë për sfidat dhe përgjegjësitë që na presin. Pesë janë drejtimet kryesore ku do të përqendrohen energjitë tona, me qëllim shfrytëzimin e kësaj mundësie me efektivitet të plotë.

Së pari, në konsolidimin e procesit të reformave në pajtim me gjetjet e Raportit të Komisionit Europian dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së. Negociatat janë në horizontin e 2019- s dhe ne duhet të thellojmë kursin e reformave me të njëjtën vendosmëri, pavarësisht rezistencës së aktorëve të ndryshëm politik.

Së dyti, konsolidimi i procesit të reformave, kryesisht në fushat e sundimit të së drejtës në ekonomi, është i lidhur ngushtë dhe merr shtysë të re nga fillimi i procesit të screening, për aq kohë sa angazhimet tona vijnë në rritje. Përmes këtij procesi transformues, jo vetëm në kuptimin ligjor e institucional, por edhe ekonomik e shoqëror, vendi hyn në një rrugë të pakthyeshme ku dallimi mes “kombëtares” dhe “europianes” fillon e fashitet, duke normuar kësisoj sjelljen dhe veprimtarinë institucionale në përputhje me acquis e BE-së.

Nga sot, ne vendosim me Komisionin Europian një kalendar konkret takimesh deri në pranverën e 2019-s për çdo kapitull të acquis. Takime, të cilat do të njohin më në thellësi institucionet tona me gamën e detyrimeve dhe angazhimeve që burojnë prej kapitujve të acquis, duke krijuar në radhë të parë një kuptim më të drejtë rreth nivelit tonë të përputhshmërisë dhe një planifikim më strategjik për hapat që duhen hedhur në drejtim të përputhshmërisë së plotë. Ne e konceptojmë këtë proces të dyanshëm ku shpjegimi i gamës së detyrimeve që burojnë nga kapitujt e acquis dhe angazhimet e pritshme të vendit tonë do të shoqërohen me ofrimin e ekspertizës së BE-së.

Gjithashtu, ne do të ndërtojmë edhe mbi eksperiencën e vyer të pranverës së 2017, për sa i takon punës së përbashkët përgatitore që kemi bërë me Komisionin Europian në lidhje me detyrimet që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24 të acquis.

Së treti, procesi screening që u paraprin bisedimeve për anëtarësim në BE dhe ai i zbatimit të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që do të vijojë deri ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do të ndërthuren e do të ndërtojnë mbi njëri-tjetrin.

Në këtë kontekst, puna e Këshillit të Stabilizim Asociimit, Komitetit të Stabilizim Asociimit dhe nënkomiteteve sektoriale për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit duhet të plotësojë dhe ushqejë procesin analitik që nisim sot. Konvergimi i strukturave bashkërenduese të procesit screening, që i paraprin procesit të negocimit me Bashkimin Europian me ato bashkërenduese për zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ka rëndësi kritike, sidomos për vende të vogla si Shqipëria me burime administrative e njerëzore të kufizuara.

Së katërti, fuqizimi progresiv dhe shndërrimi i strukturave ekzistuese në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në institucionet e linjës, në strukturat bashkërenduese të procesit të screening, që nis nga dita e sotme. Ky proces ka dy anë të së njëjtës medalje. Nga njëra anë, fuqizimi me burime njerëzore dhe financiare dhe nga ana tjetër, planifikimi më strategjik dhe i qëndrueshëm i strukturave ekzistuese në funksion të bashkërendimit ndërinstitucional dhe monitorimit të procesit.

Por suksesi i kësaj pune të madhe do të varet nga gatishmëria e të gjitha institucioneve si në nivelin teknik e administrativ, ashtu edhe të gjithë aktorëve politikë. Cilësia dhe shpejtësia e këtij procesi varet nga kontributi dhe përgjegjshmëria e secilit prej nesh. Së fundmi, komunikimi i këtij procesi ka rëndësi themelore pasi impakti i tij shkon përtej mureve të institucioneve.

Ky proces përfshin grupet e interesit, biznesin, shoqërinë civile, botën akademike dhe atë të ekspertëve. E mbi të gjitha, të rinjtë e këtij vendi që do të jenë përfituesit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne duam të përfshijmë në këtë proces të gjithë ekspertizën më të mirë vendëse dhe të huaj, shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut e dëshirojnë të kontribuojnë për këtë objektiv madhor të vendit. Për ta kthyer këtë proces në suksesin e dëshiruar nga të gjithë.

*Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura