Viti i Skënderbeut, a do të jenë të “përbashkuar” shqiptarët?

Jan 16, 2018 | 12:38
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Pesë shekuj e gjysmë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të kremtohen këtë vit nga shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre. Por, a do të jetë ky kremtim në lartësinë e merituar? Nuk mund të paragjykohet, aq më tepër që dëshira është për më të mirën nga institucionet dhe individët, paçka se e mbara do të ishte që Viti i Skënderbeut të mos shpallej  vetëm nga qeveria e Shqipërisë, por me një vendim të përbashkët me qeverinë e Kosovës. Nëse kjo nuk mund të ndodhte gjysmë shekulli më parë, në vitin 1968, tani ishte krejt e mundur.

Madje, dhe mund të “korrigjohet” disi, duke u marrë dhe një tjetër vendim, kësaj here i dy qeverive, që mund të ishte kalendari i përbashkët i veprimtarive kryesore etj.. Se nuk do të ketë kuptim, ta zëmë, të zhvillohen dy sesione shkencore, një nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe një tjetër nga ajo e Kosovës, po një i përbashkët. Ashtu siç Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të organizojnë së bashku veprimtarinë “Figura e Skënderbeut në letërsi”.

Ndërkohë, një komision i ngritur nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë për këtë kremtim madhor në linjën e kishës katolike, duke synuar gjithëpërfshirjen, ka propozuar dhe një konferencë shkencore jubilare në Prishtinë në nëntor, në bashkëpunim me Ipeshkvinë e Kosovës, duke ngarkuar që tani studiues të mirënjohur të lëmit të historisë të kërkojnë dokumente të panjohura në arkivat e Vjenës, Dubrovnikut, Romës, Stambollit, Ankonës, Napolit etj..

Për figura të përmasave të Gjergj Kastriotit e Nënë Terezës nuk mund të ketë vetëm qasje shtetërore, por gjithëinstitucionale e mbarëkombëtare, apo dhe për figura të tjera të shquara të kombit, që zakonisht iu kushtohet një vit, si Gjon Gazulli, Pjetër Bogdani, Ismail Qemali, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi, Aleksandër Moisiu, Ismail Kadare, Musine Kokalari, Ibrahim Rugova etj..

Janë praktikë e njohur tashmë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, po për çfarë më parë se për ngjarje historike kulmore, apo për unifikime në rrafshin arsimor e kulturor kombëtar, mund të bashkëpunohet? Kanë rëndësinë e vet programet e përbashkëta të shkëmbimeve tregtare, zhvillimit të agroturizmit, lehtësimit të procedurave doganore etj., por “përbashkimi” kulturologjik amtar është i pari. Ndaj. është rasti që të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës të bëhen një për Heroin Kombëtar, dy presidentët, dy qeveritë, dy palë diplomacitë.

Shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi. Arbëreshët e Italisë. Shqiptarët e Diasporës. Duke qenë i mirëpritur dhe një unifikim i simbolikave, logove, që do të prodhohen me këtë rast. Bile, mund të kishte dhe një këshill koordinues mbarëshqiptar të kremtimit të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nuk do të vlente protagonizmi i askujt në këtë gjë. Politika nuk mund të fitojë kapital dhe këtu.

Do të ishte e padëshiruar që lidhur me Heroin Kombëtar të kishte dy axhenda, njëra e qeverisë dhe tjetra e Presidentit, në Tiranë apo në Prishtinë. Shqiptarët i bëri bashkë lufta, viti tronditës 1999, kur kosovarët e dëbuar nga trojet e veta u strehuan vëllazërisht në Kukës, Tiranë e gjer në Sarandë, e si të mos i bëjë bashkë kryekrenaria e së shkuarës? Siç është prej vitesh dhe Rruga e Kombit një arterie ndërlidhëse e vëllezërve të një gjaku dhe e vlerave të ndërsjella mes tyre.

Ashtu përmendoret e Skënderbeut që, si në Tiranë e Krujë, lartësohen dhe në Prishtinë, Shkup, Dibër të Madhe etj.. Ka kohë që shqiptarët këndej me ata andej Morinit shkojnë e vijnë lirisht te njëri-tjetri në dasma, festa, tubime letrare, kulturore, turistike etj., çka do të thotë se janë përbashkuar librat, këngët, vallet, urimet. Nuk ka më “doganë” për këto. Aq më pak. do të ketë këtë vit, kur na ka thirrur kryezoti ynë i Motit të Madh të festojmë e të reflektojmë.

Ndër shumë përbashkime të këtij viti emblematik, në Lezhë, në maj, krahas grupeve nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Malit të Zi e të tjerë, do të mbërrijë dhe një grup folklorik arbëresh, si dëshmi e asaj që kurrë atje nuk u bjerr kujtimi lavdimadh i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Veçse ajo që është arritur në nivel “popullor”, nuk ka arsye të mos arrihet dhe në nivel akademik, në rastin e një tubimi shkencor dy-akademish etj.. Sapo mësuam se Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shpallur konkursin për veprën më të mirë shkencore kushtuar Skënderbeut.

A nuk do të ishte më mirë që ky konkurs të ishte i përbashkët me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës? (Në njëfarë mënyre, kështu do të shkohej natyrshëm drejt një akademie shkencash të përbashkët me Kosovën, një lidhjeje shkrimtarësh të përbashkët, pasi një është albanologjia dhe letërsia shqiptare andej e këndej, anise shkencëtarët dhe shkrimtarët rrojnë në dy shtete shqiptare. Një është në thelb edhe teatri, kinematografia, festivalet e këngës, humori shqiptar, që do të thotë se shfaqjet e ndryshme janë të një hullie.)

Fundja, përbashkimi për ngjarje kulturore të rrafshit kombëtar nuk është hera e parë që ndodh. Edhe dje, kur kishte një mbyllje hermetike të vendit, ka pasur raste që është arritur përbashkimi i elitës kombëtare, si me 1972-in, ku firmëtarët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ishin dhe nga shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, apo në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ku kishte gjithnjë dhe grupe arbëreshe etj.. Kjo, assesi nuk do të thotë që të ketë një bashkim mekanik të gjithë veprimtarive kushtuar Skënderbeut, pasi natyrshëm institucionet do të zhvillojnë dhe veprimtari të vetat.

Viti i Skënderbeut do të zgjojë energji të reja te të gjithë ne. Historianët do të vijojnë të botojnë studimet e tyre rreth figurës së papërsëritshme të kalorësit të qytetërimit shqiptar. Qeveritarët do të përmbushin axhendat zyrtare me protokolle strikte. Televizionet, gazetat, portalet, arkivat dhe bibliotekat do të bëjnë të tyren përmes dokumentarësh, dosierësh, shpalimesh, konferencash etj..

Armët dhe përkrenarja e Skënderbeut, ndoshta, do të shtegtojnë sërish nga Vjena drejt Tiranës si 6 vite më parë. Shkollarët do të shkruajnë esetë e tyre të thukëta. Rapsodët e mbetur gjallë nuk do ta kursejnë muzën e tyre “homerike”, si dhe ansamblet e folkut, apo Tetari i Operës, që do të shfaqë operën “Skënderbeu” etj.. Instituti i Monumenteve të Kulturës do të ndërhyjë në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë etj.. Në Labinot do të përfundojë portreti madhështor i Skënderbeut në faqen e malit.

Gravura, portrete, statute, akte juridike, armë dhe relikte të tjera të epokës së Skënderbeut do të ekspozohen në Tiranë, Lezhë etj.. Por, në këtë gjithëpërfshirje, do të ishin të lutur shkruesit e palodhur të rrjeteve sociale ta kursenin mundin e tyre për të gjetur medoemos vendlindjen e Gjergj Kastriotit, origjinën e tij me rrënjë e me degë, të kenë urtinë e të dëgjojnë mjeshtrit e historisë, letrave, arteve. Të na shërbejë ky vit për ta njohur me themel historinë e Skënderbeut dhe jo të vazhdohet të flitet me patetikë e romantizëm për figurën e tij, si për një “legjendë” mesjetare mbitokë- sore, me të cilën vetëm duhet të mburremi.

Përkundrazi, ta përdorim veprën e tij si model idealiteti për të sotmen. Studiuesit me kohë kanë provuar vlerat shtetformuese, qeverisëse, luftarake e diplomatike të Skënderbeut për 25 vite në arenën gjeopolitike të kohës. Nëse historia jonë ka pasur aq shumë humbje dhe humbës, për fatin e saj, ka pasur dhe një strateg të pashembullt fitimtar në rrënjë të Europës rilindëse.

Jemi në vigjilje të hapjes së negociatave për anëtarë- simin në Bashkimin Europian dhe nuk mund të ketë një simbol më domethënës për këtë, sesa fytyra e madhnueshme e Gjergj Kastriotit, që ishte njëherësh dhe hero i mbrojtjes së qytetërimit dhe vlerave europiane. Apo, ç’vlerë themelore të identitetit tonë mund t’i ofrojmë shoqërisë globale, ku kemi filluar të integrohemi, më parë se qëndresën skënderbegiane për liri të shekullit XV? Edhe për këtë, Viti i Skënderbeut meriton “përbashkimin” dhe kurorëzimin më të lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura