Viti i ri/ 32 mijë fëmijë, për herë të parë në shkollë. Premtimi i ministres Nikolla

Sep 17, 2018 | 8:29
SHPËRNDAJE

Mësimi me dy turne, mbingarkesa e klasave dhe ambientet e papërshtatshme me shkolla, në të cilat nuk është vënë dorë asnjëherë, janë disa nga problematikat e vjetra që do të shoqërojnë edhe këtë vit të ri shkollor.

lindita nikolla

Rreth 32 mijë fëmijë nisin sot ditën e parë të shkollës, duke hedhur kështu edhe hapin e parë drejt një udhe të pafund, siç është dija. Edhe këtë vit, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, nuk ka munguar me mesazhin e urimit.

Përmes një video-mesazhi shpërndarë në rrjetet sociale, Nikolla u ndal edhe në risitë, nga të cilat do të përfitojnë nxënësit dhe gjimnazistët.

“Ju përshëndes së pari ju, 32 mijë vogëlushëve, që po ju rreh zemra fort me padurimin e pritjes së ziles së parë të shkollës. Ju premtoj se po nisni një rrugëtim të sigurt dhe cilësor. Gjithë vëmendja jonë është për ju, për secilin prej jush 480 mijë nxënësit e sistemit parauniversitar. Ju do të mësoni me tekste të reja të standardeve ndërkombëtare, do të studioni me programe mësimore të lehtësuara dhe të larguara nga metoda e vjetër e mësimit përmendësh. Ju do të keni mësuesit më të mirë që vijën përmes meritës nga portali ‘mësues për Shqipërinë’.

Për të gjithë ju gjimnazistë që do të vijoni vitin e ri shkollor në gjimnaze të unifikuar, të orintetuar drejt karrierës dhe prirjeve. Po ashtu 39 mijë maturantët e këtij viti do të kenë shansin të provojnë maturën e re, maturën e lidhur me universitetin dhe tregun e punë”, tha Nikolla, e cila edhe në këtë urim nuk la pa përmendur largimin e politikës nga shkolla. Me falënderime dhe mirënjohje, ministrja Nikolla u është drejtuar edhe mësuesve, duke kujtuar se çdo punësim në sistemin arsimor po bëhet nëpërmjet meritës.

“Nga ky vit mësuesia është shpallur prioritet i qeverisë. Jo më zgjedhja e fundit dhe për më të dobëtit mësuesia, por mbështetje për më të mirët maturantë që zgjedhin mësuesinë pas një reformimi të plotë që i është bërë fakulteteve të edukimit. Pasi hoqëm politikën dhe korrupsionin në emërime, perfeksionuam portalin ‘mësues për Shqipërinë’, duke iu dhënë, që këtë vit, mundësinë që të zgjidhni online vendin e punës. Kemi ndërtuar po ashtu një sistem të ri kualifikimi bazuar në nevojat tuaja reale”.

Urimet nuk kanë munguar as për prindërit. Nga ofrimi i teksteve falas për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e katërt, vuri në dukje Nikolla, prindërit kanë kursyer 610 milionë lekë. “Ky vit ishte vit i parë i teksteve falas për çdo fëmijë nga klasa e parë në të katërtën. Janë plot 190 mijë nxënës nga 400 mijë nxënës që punojnë me tekstet e kurrikulës së re. 610 milionë lekë nga taksat tuaja u rikthyen sërish te ju prindër për tekstet e fëmijëve tuaj”, shtoi Nikolla, e cila në fund të fjalës së saj nuk la pa përmendur edhe nismën 3 lëndë në 6 orë, të cilën e konsideroi të suksesshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura