Viti i parë i Trump, rritje e sigurisë europiane

Feb 2, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

arjan-starovaARIAN STAROVA

Prej një takimi dyditor pune ku bëjnë pjesë  rreth shtatëdhjetë zyrtarë dhe ekspertë amerikanë dhe europianë të sigurisë dhe të marrëdhënieve transatlantike (ShBA-BE), ku mund të diskutohet hapur mbi gjithçka në lidhje me temën kryesore, sipas rregullave të “Chattam House” (që nuk lejon të shënohen dhe të përdoren publikisht emrat e njerëzve të veçantë pjesëmarrës për idetë e shprehura gjatë diskutimeve), është e natyrshme që të mund të nxirren ide kryesore të rëndësishme dhe udhërrëfyese si për politikat, edhe për opinionin e gjerë publik.

Në një botë të sotme ku siguria është e brishtë dhe e paparashikueshme, por njëkohësisht edhe jashtëzakonisht e rëndë- sishme për të zhvilluar normalisht çdo veprimtari njerëzore, çështjet e sigurisë u interesojnë dhe duhet t’u interesojnë të gjithë njerëzve. Tema e konferencës së organizuar nga Qendra Europiane Marshall e Studimeve mbi Sigurinë për të cilën po flas, që u zhvillua në Berlin në datat 18-19 janar të këtij viti, ishte “Marrëdhëniet transatlantike: E ardhmja dhe drejtimet e reja në rrethanat e ndryshimit politik”.

Risitë që ka sjellë Presidenca Trump në politikat e ShBA-ve dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare përgjatë vitit të saj të parë janë shoqëruar me diskutime, kritika, shqetësime dhe debate të forta dhe të larmishme. Një pjesë e tyre kanë përfshirë edhe aleatët europianë të NATO-s dhe përgjithësisht vendet e Europës. Është e natyrshme që e gjithë kjo rrymë e fortë dhe e larmishme e të menduarit të tërhiqte vëmendje edhe mbi gjendjen e marrëdhënieve transatlantike, ose marrëdhëniet ndërmjet ShBA-ve dhe Europës, të cilat vështrohen dhe mendohen si themeli i sigurisë euroatlantike dhe i sukseseve të NATO-s.

Do të doja të theksoj katër prej ideve të saj më të rëndësishme, për të cilat ishin të të njëjtit mendim të gjithë pjesëmarrësit amerikanë dhe europianë të konferencës. E para, rëndësia e jashtëzakonshme e marrëdhënies transatlantike. Përkundër theksit të veçantë që Presidenca Trump ka vendosur mbi interesat e Amerikës si diç- ka përparësore (Amerika e Para), kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë se ShBA është duke i shpërfillur interesat e saj për Europën dhe i ka “kthyer sytë” drejt Azisë.

Faktet tregojnë se investimet amerikanë në Europë vazhdojnë të jenë sa trefishi i atyre në Azi, kurse theksimi i Presidentit Trump i përparësisë së Amerikës bart vetëm mesazhin e nxitjes së bizneseve amerikanë, me synimin e lehtësimit të deficitit buxhetor të trashëguar që prej viteve 1970. Prandaj, të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi ishin të të njëjtit mendim se marrëdhëniet ShBAEuropë janë vendimtare për sigurinë euroatlantike dhe se ato duhet të forcohen më shumë.

E dyta, vendosja mbi baza më të drejta e marrëdhënies transatlantike brenda NATO-s. Thirrja e Presidencës Trump për rritjen e mbështetjes financiare nga aleatët europianë të NATO-s nuk është tërheqje prej mbajtjes nga ShBA-të të përgjegjësive politike dhe të peshës kryesore financiare në NATO, por nxitje për vendet e Europës që kuptojnë nevojën e një ndarjeje më të drejtë të shpenzimeve financiare brenda NATO-s, në rrethanat e rritjes së nevojave për sigurinë euroatlantike.

Ky përkushtim ndaj NATO-s u përforcua edhe nga Dokumenti i ri i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve. Saktësinë e këtij qëndrimi politik e tregoi edhe fakti që thuajse të gjithë vendet e Aleancës Atlantike i rritën buxhetet e tyre të mbrojtjes për vitin 2018. Të gjithë ekspertët e këtij takimi mbështetën idenë e nevojës së jashtëzakonshme për të zhvilluar aftësitë ushtarake të NATO-s duke e “mbajtur barrën” e shpenzimeve në mënyrë më të harmonizuar ndërmjet aleatëve atlantiko-veriorë.

E treta, qëndrimi më i fortë ndaj sjelljes politike të Rusisë në thyerje të rregullave ndërkombëtare. Të gjithë pjesëmarrësit e takimit ndanin mendimin se Rusia përbën rrezik për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Europës. Kjo është edhe arsyeja se përse ShBA i jep rëndësi të jashtëzakonshme qëndrimit të njëjtë të të gjithë aleatëve të NATO-s në lidhje me zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Ndryshe prej vendeve euroatlantikë që armët bërthamore i vështrojnë vetëm si mjet të trysnisë politike dhe diplomatike, Rusia i vështron ato si pjesë e arsenalit të saj ushtarak të përdorshëm në luftë.

Prandaj, NATO është garancia e sigurisë së Europës, në një kohë kur bota ka hyrë në periudhën e një konkurrence gjeopolitike në të cilën Rusia kërkon të rrisë aftësitë e saj ushtarake aq sa të mund t’i barazojë dhe t’ua kalojë atyre të NATO-s në pesë vjetët e ardhshëm. E katërta, rëndësia e nevojës për forcimin dhe zhvillimin e forcës ushtarake të përbashkët europiane me vende anëtarë dhe joanëtarë të NATO-s. Kjo forcë është vetëm shtim dhe plotësim i aftësive ushtarake të NATO-s, por kurrsesi konkurrencë kundrejt NATO-s.

Mesazhi kryesor i takimit të Berlinit ishte se lidhja transatlantike është e patjetërsueshme, sepse mbështetet në vlera shoqërore demokratike të përbashkëta dhe në mendime të njëjta mbi rreziqet ndaj sigurisë euroatlantike të të gjithë vendeve të NATO-s. Si pjesë e pandarë dhe e rëndësishme e Europës, Ballkani ynë Perëndimor është pjesë e pandarë e kësaj marrëdhënieje transatlantike kaq jetike për sigurinë rajonale dhe euroatlantike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura