Virtual, Hibrid apo Live? Panairet dhe një industri in limbo

Dec 1, 2020 | 8:35
SHPËRNDAJE

elona agolli

NGA ELONA AGOLLI

Këto ditë do të duhej të niste dhe zhvillohej Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, panair i cili lindi bashkë me bulëzimin e iniciativave të para të sipërmarrjes në Shqipërinë e porsadalë nga “kafazi” i ekonomisë së centralizuar. Nuk u ndërpre përgjatë viteve, as edhe në vitin e çmendur 1997, kur armët ngriheshin drejt qiellit duke iu hakërryer atij për çmendurinë tonë kolektive. E në përballje me këtë frymë, organizuam pikërisht në 26 Nëntor 1997, Panairin e Ringjalljes, ringjalljes së shpresës, rimëkëmbje të besimit dhe rilindje të ekonomisë e biznesit të shëndetshëm.

Nuk e ndërpremë as në vitin 1999, në Vitin e Eksodit thuajse mitologjik të vëllezërve e motrave të një gjaku, shqiptarëve të Përtej Drinit. Përkundrazi, u ndërtua një event me të gjithë mbështetësit e kauzës së drejtë të një Kosove të lirë e të pavarur. Për asnjë arsye dhe në asnjë rast nuk u ndërpre kjo Ngjarje Ndërkombëtare në Tiranë, ngjarje e cila është shënjuesja më e mirë e interesit të investitorëve dhe sipërmarrësit të huaj për të investuar e këmbyer, për të sjellë eksperiencë, por edhe për të krijuar modele biznesi.

Ekonomia e tregut të lirë pazgjidhshmërisht është e lidhur me reklamën, publicitetin, marketingun dhe Panairi është në krye të renditjes si mjeti më i dobishëm dhe efikas. Panairi Ndërkombëtar i Tiranës mbijetoi me standardet e krijuara, me profilin dhe profesionalizimin së çdo detaj të tij, si i vetmi panair mirëfilltazi ndërkombëtar dhe me këtë tipar, drejtpërsëdrejti kontribuues madhor në përcjelljen e një imazhi pozitiv të Shqipërisë. Dhe sigurisht kjo e bën edhe një iniciativë patriotike.

Ishte pandemia e këtij viti, e përhapur anekënd si një mjegullnaje frymëzaptuese ajo që pamundësoi organizimin e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. A mos do të duhej të ishim fleksibël për të propozuar zgjidhjet virtuale, stenda virtuale, webinare, forume online, këmbime përshëndetjes online, ceremoni përurimi online? Nuk ishte befasia e momentit dhe bllokimit të mendimit apo iniciativës ajo që nuk na lejoi vendimin ndryshe.

Ishte bindja si e të shumtëve kolegë, organizatorë eventesh etj., që Panairi live kurrë nuk do të mund të zëvendësohet me “shtrëngim të duarve online”, pasi, siç thotë Jochen Witt, president i JWC: “Esenca e çdo Panairi është prania fizike. Nuk mund të ketë ekspozim virtual dhe po ashtu panaire hibride. Ashtu siç nuk ka ushqim virtual, apo not hibrid”…

Ndërkohë që këto arsyetime e citime përforcojnë mendimin e rimarrjes së nismës pas kalimit të rrezikshmërisë së kësaj pandemie, në kohën kur normaliteti i të bërit biznes do të kthehet, shpresojmë sa më parë në pranverën e vonë të vitit 2021, një shqetësim të cilin nuk do të mund ta anashkalonim, ka të bëjë me indiferencën e institucioneve politikëbërëse, organizmave, misioni i të cilave është promovimi i sipërmarrjes dhe oportuniteteve që ofron Shqipëria, si treg dhe si vend.

Shurdhëri dhe memecëri në një kohë të tillë ku prioritetet janë të tjera, ndoshta edhe do të mund të mirëkuptoheshin. Por sinjale optimiste, shpresëdhënëse, mendime inkurajuese, veprime mbështetëse për një industri qe seriozisht po lëngon, zgjidhje për industrinë e eventeve, do të mirëpriteshin nga aktorët dhe veprimtarët e kësaj industrie. Paul Colston, Drejtori i Përgjithshëm i revistës ndërkombëtare “Exhibition World”, zëri i organizatorëve të panaireve dhe ekspozitave në mbarë botën, tregon: “Falë punës së paqme të kolegëve tanë të industrisë, qeveritë rreth e qark globit, në mënyrë të arsyeshme e të mirëmenduar, kanë bërë hapa përpara me prezantimin e planeve dhe protokolleve-shabllon, për sigurinë gjatë zhvillimit të eventeve.

Sigurisht, sipas rajoneve, ka pasur ndryshime dhe variacione, që janë më se të pritshme dhe që duhen respektuar, por, në një këndvështrim më të gjerë, një industri si kjo, që është e paracaktuar, e lindur për të gjetur zgjidhje, arriti deri këtu sa i duhet të ndeshet ballas me braktisjen (zhgënjimin) në shumicën e rasteve të shkaktuar nga politika dhe politikanët…”.Apo duke folur për mbështetjen që duhej t’u jepnin qeveritë e shteteve të ndryshme kësaj industrie, thotë: “Në disa vende të botës, ligjvënësit thjesht nuk e kuptojnë rëndësinë e asaj që në bëjmë, dhe as se si i ushqejmë ekonomitë, por edhe dijet e diturinë, edhe zhvillimin social.

Atje ku fuqisë së panaireve i njihet mirë vlera – Gjermani, Kinë dhe Azi, i gjithë pushteti i shtetit, është vënë në gatishmëri për të identifikuar, gjurmuar dhe sjellë teknologjitë e fundit për të mbuluar monitorimin e pjesëmarrësve nëpër ekspozita. Për këtë fakt kemi shembuj se si është vepruar, duke përfshirë edhe Caravan Salon në Gjermani, ku 107.000 vizitorë votuan me këmbë, për çështje të sigurisë dhe rëndësisë së pjesëmarrjes, vetë, personalisht, në ekspozita. Për më tepër, më shumë marrëveshje biznesi u nënshkruan aty këtë vit se vitin e shkuar, siç raportojnë organizatorët”.

Do të duhej të merrej shembulli i mirë të paktën në mosshfaqje indiference, apo mosbëzajtje për një sektor të ekonomisë, i cili nuk është me shifra të pakonsiderueshme sa u takon inputeve ekonomike, dhe as i pa rëndësishëm sa i takon marketingut e promovimit në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura