Virion Graçi për Çmimin Kadare që akordon Instituti Pashko: Jo mbi dorëshkrime por mbi librat e botuar

Aug 11, 2018 | 21:46
SHPËRNDAJE

cmimi-kadare-1024x541Nga Virion Graçi

Është domosdoshmëri që prodhimi letrar-kulturor t’i nënshtrohet periodikisht, çdo vit, mbase, edhe një procesi vlerësues; njerëz të kualifikuar, struktura të përherëshme a sezonale me njerëz të fushës, të rishkojnë nëpër duar botimet e një viti dhe të bëjnë një bilanc të përkohshëm duke evidentuar librat (sipas tyre) më të dalluar, dhe një libër fitues.

Ministria e Kulturës e ka prej dekadash një institucion të tillë të analizës e të nënvizimit të vlerave më të spikatura; po ashtu çmime (institucione të vlerësimit, le t’i quajmë) të tjera kanë bërë tashmë vend në kërshërinë tonë qytetare : Çmimet Kult; Çmimi At Zef Pllumi, Çmimet e Fondacionit Harpa, ato të Pen Klub Albania, çmimet e përvitëshme të panaireve të librit në Tiranë e në Prishtinë, çmimet Buzuku për romanin e për gjini të tjera letrare. Duket se çmime ka për të gjithë, nëse bëjmë pak shaka; shaka sepse nuk besoj se çdo vit ka më shumë se 7-8 libra realisht të spikatur për nga origjinaliteti, rëndësia, ndikimi. Më i riu ndër çmimet e rëndësishme, autoritare është çmimi Kadare, themeluar gati pesë vitë më parë. Jo vetëm emri që ky çmim mban, jo vetëm honorari i deklaruar për fituesin, por edhe stafi i afishuar i punës përgatitiore, përzgjedhëse, janë një premtim serioz për të ardhmen që ky çmim të ketë jetëgjatësi, autoritet, efekte pozitive në jetën tonë letrare-botuese e në mbarëvjatjen emëtejshme të çdo autori fitues.

Çdo nismë në këtë fushë duhet mirëpritur e inkurajuar, por edhe ato- çmimet letrare, sikurse çdo gjë tjetër duhet të kalojnë nëpër filtrin e masës dhe nëpër shpatin e thikët të besueshmërisë. Me masë kam parasysh dendurinë e çmimeve kombëtare a mbarë kombëtare; mirë është që janë disa, sikurse i përmendëm kryesorët,, por nëse numëri i çmimeve letrare është më i madh se numëri i librarive që kemi në vend, më duket një investim pa bereqet që shpie në humbje kohe, humbje energjish, fiktivitet, banalizim, farsë. E për të shmangur dëmet që mund të vijnë prej çmimesh, kriteresh e praktikash amatoreske, po rendis më poshtë përvojën time të paktë që kur kam filluar të mendoj si e qysh mund të konstituohet një çmim letrar serioz, jetëgjatë.

E përvoja ime modeste, teorizuese në këtë fushë zë fill kur po hidhej ideja e çmimit që MAPO tashmë e ka…

Kur po diskutohej dikur në rreth shoqëror ideja e çmimit Kadare, rastësisht isha në linjë me mendimet e ndryshme si e qysh do tëkonceptohej e jepej ai çmim; mbaj mend të kem sugjeruar dy mendime : 1- Juria duhet të jetë më e larmishme, jo një grup i njohur shokësh, të cilët në të njëjtën tryezë i bashkon tre herë dita profesioni por dhe miqësia mes tyre; përderisa pretendohet një çmim mbarë kombëtar duhet që figura bindëse të fushës së letrave, nga tërë hapërsira kulturore shqip-folëse e shqip-shkruajtëse, të jenë deri diku të përfshira në etapat përzgjedhëse e vlerësuese të librave në konkurim; së dyti, mbaj mend të kem thënë (me shkrim dhe kjo)vlera ekonomike e premtuar e çmimit të  mos jetë kaq e lartë, por, ajo shumë, të shfrytëzohet ndryshe po në dobi të atij çmimi.
Sot nuk iu heq asgjë propozimeve të dikurshme, veçse do të shtoja : nëse konkursi ngelet konkurs dorëshkrimesh, të katër-pesë librat finalist të botohen bashkë me fituesin, me cilësi të mirë botimi; kostot e botim/promovimit t’i zbriten shumës së përgjithëshme të premtuar për fituesin.

Personalisht nuk mendoj se një çmim për dorëshkrimet mund të bindë dikë se është çmim për librin më të mirë për vitin përkatës, për arsyen themelore se gjatë të njëjtit vit, shumica e shkrimtarëve shqiptarë  i kanë librat nëpër  dhjetëra shtëpi botuese të tjera; prandaj mendoj se si procedurë ky çmim, për të rritur besueshmërinë, seriozitetin, ndikimin duhet të jepet për libra të botuar të cilët kanë qenë në treg, kanë qenë në duart e lexuesëve, kritikës dhe opinioni libër-dashës e ka, pak a shumë, një pamje të përgjithëshme të prurjeve letrare mbarëkombëtare të vitit përkatës; pretendimi se nëpërmjet jurive tona, duke gjykuar nëpërmjet dorëshkrimeve zbulojmë e promovojmë talente të veçanta, vlera të rralla elitare-estetike, është tepër i bukur për të qenë i realizueshëm, i mundshëm.

Përsëris, shumica e shkrimtarëve domethëns të letërsisë shqipe mund të kenë kontrata e marrdhënie profesionale me botuesit përkatës e nuk mund t’i shpërndajnë dorëshkrimet tyre në konkurse dorëshkrimesh…
Sa për të qëndruar te çmimi Kadare, është pa dyshim investim serioz; ai sa ka nisur rrugëtimin në kohë e duke u modifikuar nga pak në rrjedhë të viteve, pa shpërfillur me ndihmën e propozimet qëllim-mira të çdo njeriu të interesuar, letrar ose jo qoftë ai, do te behet me siguri nje institucion i dobishëm në hetimin, nxitjen dhe sistemimin e prurjeve cilësore krijiuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura