Virion Graçi e Romeo Çollaku marrin Çmimet Letrare Kombëtare

Dec 14, 2015 | 14:56
SHPËRNDAJE

“Stina e hijeve” i solli fat shkrimtarit Virion Graçi. Plot një vit pasi u nderua me çmimin “At Zef Pllumi”, si prozatori më i mirë për vitin 2014, ditën e shtunë, Ministria e Kulturës e shpall si prozatorin e vitit.

Virion Graçi, në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare
Virion Graçi, në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare

Ndërsa përkthyesi më i mirë u shpall Romeo Çollaku, për shqipërimin e poezive të Paul Claudel. Tashmë, siç është kthyer në traditë, MK ndau çmimet e mëdha të letërsisë, një për letërsinë dhe një për përkthimin më të mirë. Një javë përpara organizimit të ceremonisë, juria bëri publike emrat e kandidatëve për çmimet “Vepra më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”.

Juria e përbërë nga drejtuesja e departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, studiuesja Dhurata Shehri, në cilësinë e kryetares së jurisë dhe anëtarët: Parid Teferiçi, Arta Marku, Edmond Çali dhe Jeton Neziraj, kanë shqyrtuar dhe përzgjedhur emrat e kandidatëve në mes të 1300 titujve, si nga letërsia artistike, ashtu dhe nga letërsia artistike e përkthyer, të botuara gjatë vitit 2014.

Dhe, në këtë garë, Virion Graçi konkurronte në krah të Arben Dedjas, Ferik Ferrës, Rita Petros e Lazër Stanit. Ndërsa Romeo Çollaku garonte me Agron Tufën, Rudi Erebarën, Edlira Llohën e Bajram Karabollin.

Përzgjedhja nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë, në një kohë, që për të njëjtin çmim konkurron edhe proza, edhe poezia. Por në fund, do të zgjidheshin dy fitues dhe ata ishin Virion Graçi dhe Romeo Çollaku. E pranishme në ceremoni ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, vlerësoi autorët dhe botuesit dhe punën e vështirë më të cilën përballen çdo ditë. Gjithashtu, Kumbaro do të cekte edhe vështirësinë që krijon në evidentimin e vlerave, mungesa e kritikës letrare.

Sipas ministres Kumbaro, mbështetja e institucionit që ajo drejton, do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, jo vetëm në panairet brenda vendit, por edhe jashtë tij, kjo falë marrëveshjeve që ministria ka firmosur me shtetet fqinje për promovimin e autorëve shqiptarë. Një nga këto nisma është edhe botimi i katalogut dhe hapja e portalit “Albanian boks”, që do të promovojë fillimisht krijimtarinë e 32 autorëve shqiptarë, duke u pasuruar vit pas viti me të tjerë.

ÇMIMET

Prej dy vitesh, Ministria e Kulturës ndan vetëm dy çmime letrare, duke e rrudhur në maksimum listën e çmimeve që ndahej çdo vit nga ish-Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo e fundit ndante çmime për çdo kategori: prozë, poezi, letërsi për fëmijë, publicistikë, libër studimor, përkthim etj.

Tashmë, MK ndan vetëm një për letërsinë, qoftë ajo prozë apo poezi dhe një në përkthim, duke lënë mënjanë në fakt kritikën apo studimin. Në të njëjtën kohë, kanë fituar “pushtet” çmimet e Panairit të Librit, që ndahen çdo nëntor, duke “kënaqur” edhe ato gjini që mbeten jashtë liste nga Ministria. Për tre vjet me radhë është ndarë edhe çmimit “At Zef Pllumi”, që lakmohej për emrin e madh që mbante.

Çmime ndan edhe qendra “Pen”. Ndërsa këtë vit, për herë të parë u nda çmimi “Kadare”, krijuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni “MAPO”. Këtë të fundit e fitoi shkrimtari dhe poeti Rudolf Marku me romanin “Tri divorcet e Viktor N.”. Mirë apo keq, shumë apo pak, me kontestime ose jo, çmimet janë konsideruar si një nxitje për autorët. Edhe pse këta të fundit do të krijojnë gjithsesi, edhe nëse nuk ndahen fare çmime, këto të fundit, të paktën promovojnë fituesit.

FITUESIT

Virion Graçi, fituesi i çmimit si “Autori i vitit”, është tashmë një emër i konsoliduar e letrave shqipe të pas viteve ’90. Është autor i disa romaneve dhe fitues i disa çmimeve letrare. Romani që e ka bërë dy herë fitues, “Stina e hijeve”, merr shkas nga një histori e vërtetë, të cilën autori e rindërton duke hequr një paralele me baladën e Kostandinit dhe Doruntinës. Një histori tragjike që vë gishtin në plagët e tranzicionit shqiptar. Është historia e një prindi shqiptar, vajza e të cilit luftonte nga një sëmundje e pashërueshme.

Ata e çojnë për t’u mjekuar në Greqi, duke shfrytëzuar dokumentet e sigurimit shëndetësor të kushërirës së saj, por nuk mbijeton. Vajzën e vdekur e sjellin në fshehtësi në Shqipëri, duke i shpëtuar zbulimit nga policia, duke e vendosur në pozicionin e një pasagjeri. Të tjera vepra të Graçit janë “Zonja pa emër”, “Babai në shi”, “Bijtë e zotit majmun” etj. Romeo Çollaku, po ashtu është një nga emrat më aktivë me krijimet origjinale dhe përkthimet e tij. Ka botuar poezi, prozë, si dhe përkthime nga letërsia greke dhe franceze.

Është vlerësuar me çmimin e revistës “Aleph” për përkthimin në vitin 2000, si dhe me çmimet kombëtare “Fan Noli” (për përkthimin, 2007) dhe “Mitrush Kuteli” (për tregimin, 2009). Shumë pjesë nga krijimtaria e Romeo Çollakut janë botuar nëpër antologji e revista letrare në gjuhët anglisht, bullgarisht, frëngjisht, greqisht dhe gjermanisht. Çollaku është autor i librave: “Zemër virgjine”, “Ar e fosfor”, “Gjithë diell e natë”, “Kumbaraja e kohës”, “Për shtegtarët e pak metrave katrorë”.

GARA

1. Kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit”

“Histori (e)skatologjike” – Arben Dedja

“Poezi e zgjedhur” – Ferik Ferra

“Stina e hijeve” – Virion Graçi

“Vrima” – Rita Petro

“Kohë për nuse” – Lazër Stani

2. Kandidatët për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”

“Poezi” – Paul Claudel – Romeo Çollaku

“Mobi Dik”- Herman Melville – Rudi Erebara

“Pedro Paramo” dhe “Rrafshina në flakë” – Juan Rulfo – Bajram Karabolli

“Ferdydurke” – Witold Marian Gombroëicz – Edlira Lloha

“Ne” – Evgenij I. Zamâtin – Agron Tufa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura