Virgjinesha Starova, pasardhëse e Mehdi Frashërit: Ende s’i kam gjetur eshtrat e tim eti në Burgun e Burrelit

Jan 14, 2013 | 13:22
SHPËRNDAJE
FOTO: Vlasov Sulaj

Flet stërmbesa e ish-kryeministrit të vendit, Mehdi bej Frashërit. Prejardhja nga një familje bejlerësh, jetesa komode me shërbëtore që vinin rrotull nëpër shtëpi, deri te vitet e vështira në internim mes punës në ndërtim dhe bujqësi. Goditja e familjes për shkak të lidhjes së gjakut me familjen Frashëri nga ana e së ëmës dhe pasojat që patën pas burgosjes së të atit Tefik Kolonja, me pozicionin major në qeverinë e Zogut, por që përfundoi në Burgun e Burrelit, derisa vdiq aty. Sot, babai i saj rezulton pa një varr dhe kjo është një tjetër tragjedi për 82-vjeçaren

Shërbëtoret që silleshin rrotull nëpër shtëpi, punët e bëra me sqimë e të gatuarit nga duart e tyre, i ngjajnë sot si përrallë nga e kaluara. Kishte fatin e madh që gjaku i bejlerëve nga ana e së ëmës, mbesë e Mehdi bej Frashërit, t’ia bënte jetën më komode, duke iu gëzuar pasurisë që ndofta pak bashkëmoshatare të sajat mund ta kishin asokohe. Por gjithçka në jetën e Virgjinesha Starovës u përmbys me vendosjen e regjimit komunist. Babai, Tefik Kolonja, ish-nxënës i Enver Hoxhës në Liceun Francez të Korçës, vdiq në Burgun e Burrelit dhe ende sot eshtrat e tij nuk janë gjetur. E bija ka jetuar për vite me radhë me brengën e të mos pasurit të një varri ku të qajë e të vendosë një buqetë me lule për të atin. Por, më e keqja do të vinte pas… Dëbimi nga Tirana me shkresë zyrtare të nënshkruar nga Manush Myftiu dhe martesa me Uran Starovën, një prej aktivistëve të Ballit Kombëtar, por me baba të pushkatuar, bën që Xhina, siç e thërrasin të njohurit e saj, të përfundojë në kampin e internimit në Kosovë të Elbasanit. Vitet e vështira të jetesës në internim, në një kasolle ku mungonin kushtet minimale, mes tyre edhe banja, gjithashtu përkeqësimi i gjendjes shëndetësore, ishin një pjesë e kostos që ajo mori në kurriz së bashku me të shoqin. Sot, në moshën 82- vjeçare, nga këndvështrimi i retrospektivës, shumë ngjarje kanë lënë gjurmë në jetën e saj, e shumë të tjera i duken sikur sapo e kanë zgjuar nga një gjumë i rëndë… Ajo, stërmbesa e Mehdi Beut, e rritur në bollëk dhe me shërbëtore, përfundoi me kazmë në dorë, duke kryer në internim edhe punët më të rëndomta.

Virgjinesha Starova në rininë e saj

Çfarë lidhje gjaku keni me Mehdi bej Frashërin?
Mamaja ime ka qenë mbesa e tij, e kishte dajë Mehdi bej Frashërin. Kështu që unë jam stërmbesa. Ime më, Sanija, në Luftën e Parë Botërore humbi të dy prindërit dhe duke mbetur e vetme e pa përkrahje, shpesh gjente mbështetjen e dajës, Mehediut, të cilin e konsideronte si prind. Gjatë kohës që ai shkoi në Stamboll, ku Mehdiu kishte edhe një vëlla deputet, Gani Frashërin, mamanë e mori me vete dhe atje ajo bëri disa vite shkollë, derisa vendosën që të ktheheshin në Shqipëri, për t’u vendosur në Tiranë.
Një familje tipike bejlerësh ajo e nënës suaj. Familje të mëdha, me pasuri, prona. Si ka qenë fëmijëria juaj?
Kam pasur një fëmijëri të mirë, ku nuk më ka munguar asgjë. Kishim të gjitha kushtet për të jetuar në bollëk, sikundër edhe disa guvernante që merreshin me punët e shtëpisë, e gatimet e përditshme. Nga ana e sime mëje ishin të gjithë fis bejlerësh, këtë e dëshmon edhe lidhja familjare me Frashërllinjtë e Përmetit, të cilët kanë qenë njerëz fisnikë dhe të dëgjuar, sidomos në Jugun e Shqipërisë. Di që të parët e mamasë sime kanë qenë feudalë të njohur, ndaj nuk u mungonte pasuria, por divergjencat e ndryshme mes sistemeve bënë që edhe ata të kishin një fund tragjik, me konfiskim pasurie, derisa i internuan jo vetëm në Shqipëri, por një pjesë e mirë edhe në Turqi, dajallarë, apo fis i nënës sime. Gjithsesi, për disa vite unë e ndjeva privilegjin e të jetuarit mjaftueshëm në komoditet.

Vajza e Mehdi Bej Frashërit, Shehriari me të shoqin, Remzi Çelo me vajzën

Po privilegjin e të qenët stërmbesa e Mehdi bej Frashërit, a e keni ndier ndër vite?
Nuk mund ta mohoj. Ka qenë politikan i jashtëzakonshëm, me kontribute të shquara në ruajtjen e kufijve të shtetit shqiptar, e më pas gjithë lëvizjet e tij diplomatike të njohura në historinë e vendit tonë. Kontributi i Mehdi Frashërit në politikën shqiptare apo ajo thirrja e famshme në radio për të cilën kanë shkruar shumë media… Gjatë kohës që forcat italiane hynë në vend për të na pushtuar, ai shkoi në radio, mori mikrofonin dhe u bëri thirrje gjithë shqiptarëve që të ngriheshin për të mbrojtur interesat e vendit. Pas kësaj, ata i internuan familjarisht në Itali, ndërsa shpëtoi vetëm vajza e madhe Shehriari, e cila ishte e martuar dhe jetonte në Selanik, ndaj dhe nuk e çuan në internim.
Ç’marrëdhënie kishe me të bijën e tij?
Kisha marrëdhënie të ngushtë me Shehriarin. Sepse, jo vetëm që ajo vinte për të na takuar në Tiranë, por ndodhte që edhe unë të udhëtoja në Selanik, ndaj edhe ruanim fort lidhjen tonë të gjakut. Ajo kishte një familje të mrekullueshme. E kishte ruajtur gjakun fisnik dhe kjo e forconte edhe më tej raportin tonë, ndonëse Shehriari e kishte zemrën të copëtuar, gjithë familjen në internim e me të cilët shikohej shumë rrallë.
Ju jeni në dijeni të lëvizjeve politike dhe atyre diplomatike të Mehdi Frashërit. Besoni se ka diçka të errët në rrjedhën e ngjarjeve që identifikuan rolin e tij politik, mandej si kryeministër në regjimin zogist?
Meritat e tij, kryesisht si një politikan i zoti, i kanë njohur të gjithë ata që kanë punuar me të. Por besoj se ka ende diçka të errët… fakti që e akuzuan si bashkëpunues me gjermanët. Mbaj mend, nga diskutimet e shumta mes familjeve, edhe vite më vonë që kjo akuzë e vrau shumë Mehdiun, por kjo nuk do të thotë që ai ishte tradhtar. Besoj se ai më tepër druante se mos qëndresa ndaj gjermanëve dhe konflikti në ashpërsim e sipër midis Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare mund ta dobësonte Shqipërinë, deri në atë pikë sa të bëhej pre e shteteve fqinje.
Më pas, mbështetjen dhe rolin më të qenësishëm e kishte gjatë periudhës së vendosjes së regjimit të monarkisë, ku në vitin 1935 Mbreti Zog e emëron në detyrën e kryeministrit të vendit, post të cilin e mbajti përreth një vit. Në çdo kohë ai kishte përkrahjen absolute të Mbretit…

Xhina me të shoqin, Uran Starova, dalë në kampin e internimit në Kosovë të Elbasanit

Ishin raporte miqësore apo profesionale… çfarë i bënte kaq të afërt Mehdi beun me Mbretin Zog?
Ishte më shumë se kaq. Lidhja e gjakut. E shoqja e Mehdiut e kishte dajë Mbretin Zog, ndaj kjo ishte arsye e mjaftueshme që marrëdhënia e tyre të ishte jo thjesht reciproke në kuadër të punës, por edhe familjare.
Me vendosjen e regjimit komunist, ju dhe familja juaj do të goditeshit egërsisht dhe këtë radhë shkaku nuk ishte daja i mamasë suaj Mehdiu, sesa ishte burgosja e babait, Tefik Kolonjës. Na flisni pak për të?
Babain e kam pasur nga Kolonja. Ishte pjesë e strukturave të Ballit Kombëtar dhe në kohën e monarkisë ishte major pranë qeverisë së Zogut. Natyrisht, me vendosjen e regjimit komunist, të shumta ishin akuzat në drejtim të tij, e kjo bëri që të dilte para gjyqit. Ishte Nevzat Haznedari që e arrestoi në vitin 1945, dhe në gjyqin e drejtuar nga Koço Prifti babain e dënojnë me vdekje, masë dënimi të cilën më pas ia ulën në burgim të përjetshëm. Akuzat ishin: eksponent i Ballit, kriminel lufte etj. Kam qenë 14 vjeçe në kohën kur e arrestuan babain, e më pas e dërguan në Burgun e Burrelit për të vuajtur masën e dënimit. Vetëm dy vite më vonë, në 1947-n, na vjen telegrami që babai vdiq në burg. Fundi tragjik i babait ndodhi në kohën kur po atë ditë kishin vdekur në burg edhe 120 burra të tjerë. Nga ajo që tregonte Fuat Kostreci, kushëriri i nënës sime edhe ai i burgosur në Burrel, këtyre njerëzve u jepnin për të ngrënë çdo ditë bukë të mykur e me shije të hidhur. Ata i zinte një dhimbje e tmerrshme stomaku dhe po në atë gjendje i çonin nëpër biruca, e i linin pa ngrënë derisa vdisnin. Kështu mund të ketë ndodhur edhe me tim atë.

Prindërit e Xhinës, Tefik dhe Sanie Kolonja

I keni gjetur eshtrat e babait tuaj?
Jo! Që ditën që morëm telegramin, bashkë me nënën dhe vëllain ne shkuam në Burgun e Burrelit që të shikonim nga afër kufomën, o të merrnim trupin, gjë që rezultoi e pamundur. Besoj se babain e kanë zhdukur në burg dhe duhet ta kenë hedhur në gropën e famshme prapa godinës së burgut, që dikur ka funksionuar si fushë sporti. Po në atë vend thuhet që kanë groposur të vdekur e të gjallë bashkë, shumë të burgosur të tjerë, e që sot nuk u gjendet varri. Sepse më vonë, ajo fushë sporti u kthye në pallate e ndërtime shumëkatëshe, kështu që askush nuk mori më përsipër hapjen e tokës në atë vend.
Kjo jua bën dhimbjen edhe më të thellë, besoj…
Nuk ia uroj askujt. Për mua është pengu dhe dhimbja më e madhe e jetës, sepse asnjëherë nuk e kam gjetur varrin e tim eti, ku të qaja sa herë të mbushesha shpirtërisht, ose të vendosja një kurorë me lule në raste përkujtimoresh. Por gjej ngushëllim vetëm kur mendoj që si unë janë dhe shumë bija të tjera, baballarët e të cilave e pësuan keq nga ai sistem i egër komunist.
Jeta nuk do të ishte e thjeshtë për ju, aq më tepër gjatë viteve të internimit. Ku ju çuan?
Fillimisht na kërkuan që të largoheshin nga Tirana, kjo ndodhi në vitin 1957. Në moshën 26-vjeçare familja ime u nda sërish. Nuk mjaftoi humbja e babait, por njerëz të Sigurimit na trokitën në derë pasi paraqitën shkresën, se me urdhër të Degës së Brendshme të rrethit të Tiranës, ime më Sanija duhej dëbuar nga kryeqyteti, ndërsa mua dhe vëllain na dërguan në Milot. Aty jetonim në kushte të vështira, me të cilat nuk ishim ndeshur më parë. Gjithsesi, u ndamë për ca kohë nga mamaja, por atje në Milot u njoha edhe me Uran Starovën, njeriun që më pas do të bëhej edhe bashkëshorti i jetës sime, martesë prej së cilës unë do të vuaja në kurriz disa vite internim.
Domethënë ju u goditët nga të dyja anët… për shkak të babait, dhe të bashkëshortit, apo jo?
Gjithë kohës na etiketonin si familje e deklasuar, derisa një ditë, në një mbledhje të lagjes, i thanë që ai ishte i biri i një të pushkatuari, Xhevat Starovës, dhe dhëndër i Mehdi bej Frashërit. Ndaj për këto shkaqe na vjen në shtëpi një letër e firmosur nga Manush Myftiu dhe Dega e Brendshme e Tiranës, ku cilësohej internimi në Kosovë të Elbasanit. Kam qenë 45 vjeçe kur na internuan bashkë me tim shoq, sepse fëmijë nuk kishim (edhe sot në moshën 82-vjeçare ajo nuk ka fëmijë). Jetuam për pesë vite në një kasolle me kushte të tmerrshme dhe aspak jetike për një jetë normale.
Është e vërtetë që yt shoq ka qenë nxënës i Enver Hoxhës?
Plotësisht e vërtetë. Urani gjatë kohës që ishte i aktivizuar në rininë e Ballit Kombëtar në Korçë, ndiqte njëherësh edhe Liceun Francez, ku mësues mes të tjerëve ishte edhe Enver Hoxha. Ky i fundit i ka dhënë lëndën e “Edukatës morale”, dhe im shoq e kujton gjithmonë si një njeri korrekt dhe të mirëkuptueshëm. Nuk e kuptoi dot asnjëherë transformimin e tij në një lider diktator, që kujtohet për të këqijat që u shkaktoi njerëzve.
Si i kaluat 5 vite internim?
Vështirë të gjej fjalët e duhura për ta përshkruar atë vuajtje që kalova së bashku me tim shoq në internim, në Kosovë të Elbasanit. Kemi jetuar për pesë vite pa një banjë në dhomë…
Është gati e turpshme kur e shpreh, por nuk ishin aspak normale ato kushte, në një kasolle ku nuk kishte ndriçim, ku ushqimi i përditshëm ndahej me racione, e ku duhet të shtroje kurrizin për të bërë punë nga të më rëndomtat. Personalisht, çdo ditë kam punuar në kanale vaditëse, me kazmë e lopatë, kam punuar në bujqësi… Mbaj mend, njëherë që isha e sëmurë nga tiroidet dhe duhet doemos të vizitohesha sepse më rrezikohej shëndeti, dhe aty në internim nuk më dhanë leje të shkoja te doktori, derisa u sëmura rëndë dhe nuk u ngrita nga shtrati për javë të tëra.
Kishim shumë bashkëvuajtës të tjerë me të cilët lidhëm edhe miqësi aty në internim: familja e Ilmi Lekës, e Skënder Qytezës etj.
Nga fëmijëria me shërbëtore te vitet në internim. E kishit menduar kështu rrjedhën e jetës suaj?
Asnjëherë nuk më kishte shkuar ndër mend që do të vuaja, sidomos vitet e vështira të internimit bashkë me tim shoq. Jo vetëm që na rrënuan moralisht, por na dëmtuan edhe shëndetin. Kur fillon e rritesh, ndërgjegjësohesh më shumë për faktin që jetës asnjëherë nuk i dihet si të merr… sikundër ndodhi edhe me mua. Nga një fëmijëri në komoditet, e rritur me shërbëtore, sepse nga ana e mamasë ishin pasanikë e me prona, jeta e pruri që të goditesha familjarisht. Sot nuk kam një varr ku të qaj babain. Peripecitë që hoqa për shkak të martesës me Uranin, vjehrri i pushkatuar, lidhja e gjakut me Mehdi Frashërin, e njëzëri të gjithë këta faktorë deri te vitet e internimit, na rënduan shumë mbi shpatulla.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura