Virgjëri e shitur!

Oct 29, 2012 | 15:28
SHPËRNDAJE

Lajmi i bujshëm i ditëve të fundit ka bërë xhiron e botës. Një braziliane 20-vjeçare nxori në ankand virgjërinë e saj, ndërsa blerësi është një djalë japonez, të cilit himeni i Catarina Migliorinit i kushtoi plot 780 mijë dollarë. Shumëkush e quajti prostitutë, ndërsa sipas vetë protagonistes arsyet e këtij veprimi kishin pas vetëm qëllimin pozitiv të bamirësisë. Ngjarja ka ngjallur jo pak reagime, por si përtypet kjo në realitetin shqiptar? Edhe pse jo i pari në llojin e tij, ky “ankand” i rrallë nuk ka kaluar pa vëmendje në radhët e psikologëve e sociologëve në vend.

Disa do ta kalonin thjesht me një rrudhje buzësh dhe me indiferencë, por shumica do të skandalizoheshin nga ky lajm. Në një shoqëri në ndryshim priten të dyja reagimet dhe janë të ligjshme. Kur ka ndodhur më herët, të dëgjojmë që një shqiptare ka shitur virgjërinë e saj?! Po ta mendosh, publikisht nuk ka ndodhur ndonjëherë, por ama mund të ketë ndodhur për qëllime prostitucioni me shuma shumë më të vogla sigurisht, ndërkohë që në traditën zakonore shqiptare është e njohur martesa e vajzës (që pa dyshim duhet të ishte e virgjër) përkundrejt të hollave. Por kjo kryhej nga prindërit, fisi dhe kurrsesi nga vetë vajza. (Çmimi, qi nepej për varza a gra, tash 50 vjet e andej, përbahej prej 50, 100, 200 mijë 400 groshësh. Çmimi i kanus së vonë përbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues. Kanuni i Lek Dukagjinit, Libri III, Nye 19). Mes realitetesh të varfra që nga Kanuni i Lekë Dukagjinit e deri në hapjen e horizonteve moderne të ditëve të sotme, me një shoqëri tonën që çartet herë drejt prirjes patriarkale dhe herë drejt asaj të moderuar, shitja e virgjërisë bëhet një dukuri e zëshme vetëm përmes objektit të informimit. Rasti i nxehtë i këtyre ditëve vjeshtore, kur një vajzë braziliane ka shitur virgjërinë e saj për qëllime bamirësie ka kaluar jo pa vëmendjen e psikologëve shqiptarë, të cilët theksojnë se raste të ngjashme me këtë bëhen të bujshme në sajë të shout mediatik, por realiteti që ofron vendi ynë qëndron vite dritë larg situatave të ngjashme. Po si e shpjegojnë ata këtë dukuri të veçantë dhe paralelizmi me realitetin e vërtetë, atë shqiptar! Sociologia Entela Binjaku dhe psikologia Albana Balilaj shpalosin tezat e tyre…

Entela Binjaku, sociologe

Para në vend të aktit të dëlirësisë
Shumë vite të shkuara, rëndësia e virgjërisë te një femër ishte jo vetëm absolute, por ajo vuloste edhe vijimësinë e martesës mes një çifti. Themi të martesës, pasi përpara saj, në fejesë, apo më herët gjatë fazës së njohjes, as nuk çohej nëpër mend kryerja e një raporti intim, përpara natës së parë të kurorëzimit në martesë. Rëndësia, e cila varej në cipën e himenit, ishte vendimtare dhe çdo vajzë e ruante si të shenjtë, për t’ia dhuruar njeriut me të cilin do të ndante jetën. Koha ka kaluar, sikundër edhe mendësitë kanë ndryshuar. Jo vetëm hapja e kufijve, shpërndarja e re demografike, por edhe mjetet e informimit deri tek librat kanë luajtur një rol të qenësishëm në kultivimin e një fryme të re të konceptuari të virgjërisë, pasi prania e skenave të seksit apo dhe trilleve të dashurisë në to kanë pasur jo pak ndikim tek ata që i kanë parë me kërshëri apo i kanë shfletuar kësi botimesh. Por, aktin e të kthyerit të virgjërisë në një objekt shitjeje shumë rrallë na e kish dëgjuar veshi, kjo sa i takon realiteteve të huaja, sepse për ato shqiptare ka gjasa që do të kalojnë shumë vite e nuk do të marrim dot vesh identitetin e një vajze shqiptare që pranon publikisht të shesë virgjërinë e saj. Sociologia Entela Binjaku thotë se intimiteti ndër shqiptarë ka qenë një subjekt shumë i rëndësishëm, i paprekshëm, i pazëshëm. Bisedat e lidhura me të kanë qenë tabu për shumë kohë. Qëndrimi ndaj virgjërisë ka qenë legjitimuar edhe në normat kanunore, ku në Kanunin e Skënderbeut dhe të Dukagjinit, në paragrafë të veçantë të tyre, flitet për të drejtën e burrit për divorc, në rast se nusja nuk ishte e virgjër. Pas ndryshimit të formës së regjimit, i cili u shoqërua edhe me një realitet të ri shoqëror, mentaliteti ndër shqiptarë ka njohur një lloj liberalizimi apo demokratizimi, gjë e cila është reflektuar edhe në qëndrimet më pak të ngurta ndaj virgjërisë femërore. “Aktualisht shoqëria shqiptare gjendet nën një presion të gjithanshëm, jashtë të cilit nuk ka mbetur as shenjtëria e virgjërisë. Simbolet me natyrë seksuale janë shumë të pranishme, duke nisur me filmat e mbushur më skena seksi, prania e shtuar e erotizmit në letërsinë e kohës, për të vazhduar me shumë prej produkteve që përfshijnë që nga veshjet, parfumet, makinat, të cilat shihen kryesisht në funksion të seksualitetit. Si rezultat i këtij presioni ka njerëz që e amplifikojnë jetën seksuale apo ka të tjerë që edhe e nxitojnë atë. Sot, një 18 vjeçare e virgjër shihet ende si qenie delikate dhe subjekt emocionues, ndërsa një femër mbi të 30-at e virgjër përbën kryesisht një objekt ironie apo humori”, cilëson Binjaku.
Gjithashtu, rëndësia e elementit të virgjërisë duket se ka edhe ndasi me ngjyresa fetare, apo demografike. Për psikologen Albana Balilaj, “Aktiviteti seksual njerëzor, si shumë lloje të tjera të aktivitetit të angazhuar nga njerëzit, është ndikuar përgjithësisht nga rregullat shoqërore që janë kulturalisht të veçanta. Në vendet lindore virgjëria shihet si një element shumë i rëndësishëm i karakterit dhe i personalitetit  të njeriut. Ndërsa në vendet perëndimore ajo nuk shihet më si një vlerë. Humbja e saj konsiderohet pjesë e një procesi normal të nevojshëm. Duke iu referuar edhe rastit të sipërpërmendur, nocioni i shitjes së virgjërisë në kulturën shqiptare shihet në mënyra të ndryshme. Sigurisht që në zonat rurale perceptimi i saj ka një konotacion negativ, pavarësisht shkaqeve. Kjo lidhet ngushtë me normat dhe rregullat sociale të ndërtuara në shoqërinë tonë”.

Albana Balilaj, psikologe

Raste të ngjashme shqiptare!
Rasti në fjalë, i brazilianes që bëri pazar me virgjërinë e saj kundrejt 780 mijë dollarëve, shihet nga psikologët edhe si situatë ekzibicioni mediatik. Disa vajza e konsiderojnë virgjërinë shumë të çmuar dhe mendojnë se është shumë më mirë të marrësh para në këmbim të kësaj, sesa t’ia dhurosh një burri dëlirësinë e vërtetë. Nga ana tjetër situatat kanë ndryshuar edhe nga pikëpamja financiare, sepse ja që ekzistojnë edhe burra të gatshëm të paguajnë shifra të larta për një natë me një vajzë të virgjër. Ndërsa, në rastet e bëra publike, shitja e saj bëhet herë e nxitur nga qëllime përfitimi, herë të shout publik, herë të nevojës për të eksperimentuar apo edhe si e vetmja rrugë për të dalë nga vështirësi të caktuara ekonomike. Por, media dhe mjetet e informimit ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e modeleve të forta, apo herë të tjera të gatshme për t’u ndjekur. “Kjo prani e madhe e medias, nga njëra anë e bën më të lehtë qarkullimin e informacioneve, por nga ana tjetër përbën një rrezik në termat e formimit, sepse shpërndarja pa kriter e mesazheve mund të jetë përcaktuese për dukuritë e deviacionit, siç është edhe qëndrimi ndaj virgjërisë apo intimitetit. Në shoqërinë tonë nuk jemi përballur ende me dukuri të ngjashme të shitjes së virgjërisë.  Nëse do të dëgjonim, atëherë kjo do të nënkuptonte një tronditje të rëndë të qëndrimeve tona ndaj vlerave të qenies njerëzore. Vlerat janë të një rëndësie të madhe sepse përcaktojnë edhe normat e sjelljes sonë shoqërore në një situatë të caktuar, siç është dhe shitja e virgjërisë. Gjithmonë ose më shpesh, normat janë të heshtura, pra nuk përfliten hapur, por të gjithë e dinë se është e nevojshme të ndiqen”, përfundon sociologia Entela Binjaku.

Ankandi i pazakontë
Lajmi ka qarkulluar thuajse në të gjitha mediat ndërkombëtare, kur u mor vesh se një studente braziliane ka shitur, përmes një ankandi online, virgjërinë e saj për një shumë prej 780 mijë dollarësh (rreth 600 mijë euro). Ankandi i pazakontë është fituar nga një djalë japonez, i cili konkurroi me dy djem amerikanë dhe një indian për të fituar “çmimin” e tij. Studentja italo- braziliane, Catarina Migliorini, e kishte ofruar virgjërinë e saj përmes një siti me titull “virginswanted.com”. Kritikat kanë qenë të shumta lidhur me këtë nismë, sidomos pasi është përhapur lajmi se do të realizohet edhe një dokumentar mbi këtë ngjarje të bujshme, nga ideja e 20-vjeçares, te shitja e bamirësia. Vetë protagonistja është shprehur mjaft e kënaqur nga shifra e arritur për blerjen e përvojës së saj të parë seksuale, ndërsa paratë që do të përfitojë do të shkojnë për bamirësi, me qëllim përmirësimin e jetesës së komunitetit ku ajo jeton, në Brazil.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura