“Vini këtu vetëm për të kërkuar”, Fino debat me komisionerin Dervishi: Më rezulton që…

Nov 9, 2018 | 21:53
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve do të kontrollojë lëvizjet jashtë shtetit të kryetarëve dhe anëtarëve të institucioneve kushtetuese.

Besnik Dervishi

Gjatë zhvillimit të seancave dëgjimore për buxhetin e shtetit për vitin 2018, Bashkim Fino dhe Ulsi Manja u përfshinë në debat me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.

Komisioneri, nga ana e tij, paraqiti kërkesa për shtim fondi prej 49 milionë lekësh për vitin 2019 nga ku lindi debati. Deputeti Fino u shpreh se krerët e institucioneve kushtetuese lëvizin jashtë vendit me fondin e buxhetit, duke ngritur pikëpyetje mbi veprimtarinë e tyre.

“Ne nuk bëjmë punën tonë si deputetë dhe si Komision të Ligjeve se ne kemi të drejtë t’i monitorojmë këto. Më thuaj, sa herë ke ikur jashtë shtetit ti, në vitin 2018? Ju punoni vetëm, nuk doni të punoni me deputetët. Vini këtu vetëm për të kërkuar, vini këtu sa për të kaluar radhën për të raportuar. Dua të di të gjithë pagat e institucioneve të pavarura dhe gjithë lëvizjet e tyre jashtë shtetit. Se më rezulton, se edhe këto dy ditë që ne po bëjmë buxhetin, thonë jo nuk vij dot sot, jo do vij nesër”, u shpreh Fino.

Në të njëjtën linjë me të ishte edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, i cili shprehu rezerva se përse deputetët e Komisionit nuk ftohen në delegacione nga këto institucioneve.

“Këto institucione vijnë, kërkojnë mbështetje buxhetore, i kemi mbështetur për aq mundësi sa ka pasur buxheti, por me keqardhje nuk na ka ardhur mbështetja reciproke. Brenda javës që vjen, të tre nënkomisionet e këtij komisioni, të miratojnë një kalendar veprimi sepse, duke filluar nga sesioni i janarit që vjen, do të duhet ta ushtrojë fuqishëm mbikëqyrjen dhe kontrollin. Është krejt normale të ftohen edhe deputetë të këtij komisioni në këto delegacione”, tha Manja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura