“Vila ‘Lule’, dhurata për gruan e arkitektit Kristo Sotiri”. Ndërtesa që u përvetësua nga bllokmenët

Aug 13, 2018 | 15:45
SHPËRNDAJE

ULIV ZAJMI/ “Iliria” ka qenë një zonë e njohur edhe për disa vila, ndër të cilat ajo më kryesorja, ka qenë një ndërtesë e bukur trekatëshe, që ka shërbyer edhe si pikë referimi.

Vila "Lule", te Iliria
Vila “Lule”, te Iliria

Prej saj ka mbetur një fotografi e kohës, pronë e familjes, por e rrallë, me të cilën nis historia unikale për kohën e asaj ndërtese të bukur në mes të plazhit, e projektuar nga arkitekti i famshëm Kristo Sotiri, në vitin 1935, të cilën e quajti Vila “Lule”.

Më vonë u shtetëzua, për të vijuar ,e largimin e familjarëve, midis tyre edhe i atij që e projektoi. Si e kujton sot Salvator Sotiri, djali i arkitektit të njohur nderimin e saj.

Salvator Sotiri, duke rrëfyer për "Panorama"
Salvator Sotiri, duke rrëfyer për “Panorama”

z. Salvator, si e projektoi babai atë vilë?

Babai e filloi punimet për ndërtimin e vilës rreth viteve ’30. E kishte projektuar si një ndërtesë trekatëshe me tre kupola, në vijën e parë të plazhit për të kaluar pushimet verore. Për ndërtimin e saj, ai mori ustallarë të njohur edhe nga Tirana, midis tyre Rexhep Çitakun. E pagëzoi me emrin “Vila Lule”.

Një emër i veçantë, cili ishte motivi?

Si një dhuratë për gruan dhe mamanë tonë, Juliana, me të cilën u martua në vitin 1932. Ne jemi dy vëllezër dhe kemi lindur aty, te ajo vilë. Aty u rritëm dhe deri më 1945, aty kemi banuar, pastaj u larguam.

Pse u larguat?

Pasi bashkë me vilat e tjera pranë saj u shtetëzua dhe ne na dërguan për të jetuar e punuar në Durrës. Patëm vështirësi, deri sa u sistemuam në pallatin ku qëndruam deri në ’90-n. E kishim humbur shpresën se një ditë do të riktheheshim aty, ku e kishim lënë e ishim ndarë gjysmë shekulli më parë. Kam qenë 10 vjeç kur e kemi e braktisur për motive që dihen.

E frekuentonit plazhin?

Ne durrsakët shkonim edhe me biçikleta në plazh dhe te vila kishim qendrën. Ajo kishte disa shkallë, një ballkon, verandë, korridor dhe ku ne linim plaçkat apo biçikletat. Jo vetëm ne, por edhe të tjerë që vinin nga sektorët e tjera. Vila mbulohej me dy plepa të mëdhenj dhe te veranda ku vinin rrobat kishte hije. Më vonë atë e rrethuan edhe 3 bunkerë. Bashkë me vëllamë, Vangjelin, që fatkeqësisht është ndarë pak kohë më parë nga jeta, qëndronim pranë saj, pasi aty kishim kaluar fëmijërinë. E vështronim me nostalgji, madje as nuk i thoshim njeriu që ishte e jona. Sa afër dhe aq larg na dukej.

Përreth ka edhe ndërtime të tjera të bukura?

Janë disa, njëra pas tjetrës, njëkatëshe, por edhe dykatëshe të vendosura në vijën e parë e të dytë, pranë rërës, të ndërtuara në kohën e Zogut. Ndërsa kampi i pionierëve ka shërbyer si vilë verore për Ahmet Zogun. Në vilën tonë ne u rikthyhem vetëm pas viteve ’90.

Kush qëndronte në vilën tuaj?

Në periudhën e fluksit të madh, disa prej familjeve të anëtarëve të Komitetit Qendror, apo të qeveritarëve të tjerë i sillnin te vilat e Ilirisë. Ajo që është ngjitur me vilën tonë, u adaptua dhe u bë si mensë për ta. Në dimër ato mbylleshin dhe çelësat i mbante administrata e plazhit e “Bllokut”, që edhe kujdesej për mirëmbajtjen e tyre. Në krahun tjetër, vinte “Blloku”. Vilat e “Ilirisë” i administronte Drejtoria e Pritjes që bashkë me ato të “Bllokut” përkujdesej për to.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura