Viktima vëllai i ish-anëtarit të “Bandës së Fierit” dhe pronar i disa bizneseve në jug të vendit! Kush është Demir Backa i vrarë mbrëmjen e sotme

Oct 23, 2021 | 22:31
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje dalin nga vrasja e Demir Backës në Fier mbrëmjen e sotme. Sipas News24. 57-vjeçari është pronar i një lokali në qendër të qytetit, si dhe pronar i disa bizneseve në jug të vendit.

Mësohet se ai është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën, Medi Backa. Vëllai i tij kishte vjedhur një bankë në Sarandë, 24 vite më parë gjatë kthimit së bashku me 16 persona të tjerë janë vrarë.

Mësohet se policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve rreth vendngjarjes si dhe ka ngritur pika kontrolli në hyrjet dhe daljet e qytetit të Fierit.

Ngjarja e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme rreth orës 20:40 në rrethrrotullimin e njohur si ish-QTU. Autori ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë në lëvizje drejt viktimës.

57-vjeçari Demir Backa ka qenë në automjetin e tij tip “Audi” të parkuar pranë vendngjarjes në momentin kur i është afruar makina e autorit ose autorëve të përfshirë.

Fillimisht, Backa ka mbetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit, por fatkeqësisht nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Disa minuta pas ngjarjes, policia ka gjetur një makinë të djegur në afërsi të fshatit Daullas pranë Bypassit të Fierit. Duke marrë parasysh ngjarjen, dyshohet se makina u përket autorit ose autorëve.

Deri më tani policia nuk ka bërë me dije ende asnjë pistë hetimi lidhur me këtë vrasje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura