Ekzekutimi me snajper, nga Kalaja e Shkodrës, policia: Në dosjen e Shegas, 6 të vdekur. Autori, vrasës me pagesë

Jun 13, 2015 | 11:12
SHPËRNDAJE

Xhabir Shega, i njohur ndryshe si Vid Shega, është vrarë nga profesionistë. Policia e Shkodrës thotë se porositësit kanë paguar një person të aftë në përdorimin e snajperit, duke e goditur në shenjë “prenë” 51- vjeçar, duke i shkaktuar vdekjen. 

Viktika Xhabir Shega

Atentati që i mori jetën Xhabir Shegës ka çuar policinë drejt faktit se krimi ka ndodhur për hakmarrje, nisur nga e kaluara e viktimës, por deri tani gishti nuk i është drejtuar askujt si porositës.

Në dosjen e Xhabir Shegës rezultojnë 6 të vdekur, por vetëm për një prej krimeve ai u dënua me 12 vjet burg. Për 5 viktimat e tjera, të vrarë në vitin 1999, Shega mbeti vetëm i dyshuar. Sipas burimeve të Policisë së Shkodrës, emri i Xhabir Shegës ishte i përfshirë që nga krimi i vrasjes e deri te kërcënimet e gjobëvëniet, si në qytetin e tij, ashtu edhe në Lezhë.

“Personat që kanë dashur eliminimin fizik të tij janë të shumtë, duke pasur parasysh të kaluarën e Shegës. Ai doli nga burgu një vit më parë dhe që nga ajo kohë iu bënë dy atentate, ku në rastin e dytë mbeti i vrarë”, thanë burime nga grupi hetimor i ngritur për vrasjen e ndodhur brenda rrethimit të banesës së familjes Shega. Megjithëse policia ka shoqëruar mbi 20 persona, nuk ka asnjë person të izoluar në qeli, pasi nuk ka pasur prova për fajësimin e tyre.

Personat e shoqëruar që prej mbrëmjes së të enjtes kur ndodhi krimi, si dhe ditën e djeshme, janë pyetur kryesisht në lidhje me atë nëse kanë dijeni për autorët e mundshëm të vrasjes së 51-vjeçarit Shega, si dhe janë pyetur se ku kanë qenë konkretisht gjatë orëve të atentatit. Pasi kanë marrë dëshmitë e tyre, ata më pas janë lënë të lirë. Nisur nga këqyrja e vendit të ngjarjes, e kryesisht vendndodhjes së shtëpisë së viktimës, bëhet e ditur se autori i kësaj ngjarjeje ka qenë një person profesionist, i cili ka pasur njohuri të mira në përdorimin e armëve të zjarrit me precizion nga distanca të largëta.

Në rastin e Shegës, autori qëlloi nga Kalaja e Rozafës drejt oborrit të Xhabir Shegës, ku ai ndodhej i vetëm. Një plumb i vetëm në gjoks i shkaktoi vdekjen 51-vjeçarit.

VRASJET
Janë dy ngjarje të rënda, për të cilën është përmendur emri i Xhabir Shegës. E para ka ndodhur në vitin 1999, kur u vranë brenda në një lokal 5 veta. Dyshohet se Shega ka qenë një prej personave që qëlluan drejt viktimave. Në atë kohë, në bazë të informacioneve që kishte policia, dyshohej se disa persona nga fshati Grudë e Re ishin bërë problematikë, pasi ata vinin gjoba në bizneset e ndryshme të rrugës nga kryqëzimi i Rusit deri te kryqëzimi pranë teatrit “Migjeni”.

Të rinjtë përfitonin nga situata e vështirë që po kalonte Policia e Shkodrës pas ngjarjeve të vështira të vitit 1997 dhe pas djegies së komisariatit të Policisë në vitin 1998. Mes të gjobiturve ishin edhe kushërinjtë e Shegës, lokali i të cilëve ndodhej në lagjen “Vasil Shanto”. Gjobëvënësve u është lënë një takim për t’u paguar gjobën e vënë, por kur kanë hyrë në lokal janë pritur me armë dhe mbetën të vdekur në vend.

Viktimat ishin: Flamur Ndreu, Petrit Ndreu, Albert Ndreu, Alvaro Vukaj e Florian Necaj, të pestë këta ishin nga fshati Grudë e Re e komunës Rrethina. Për këtë ngjarje, një prej të dyshuarve ishte dhe Xhabir Shega, por rrethanat dhe koha kur ndodhi bënë që policia të mos identifikonte dot autorët me prova. Viktima tjetër është Endrit Bajri, i vrarë në vitin 2001.

Pas një sherri që mendohet i momentit, Shega bashkë me dy të tjerë janë konfrontuar dhe më pas e qëlluan me armë zjarri Bajrin. Xhabir Shega u shpall fajtor, duke u dënuar me 12 vjet burg, deri në lirimin e tij. e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura