“Vij në shtator se ka më shumë qetësi”, kosovarët mbajnë gjallë turizmin dhe zgjasin sezonin në Shëngjin! Kryebashkiaku: Mbi 60% e pushuesve kanë qenë nga…

Sep 13, 2021 | 11:31
SHPËRNDAJE

shengjin

ELVIS HILA/ Ndonëse kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës dhe temperaturat kanë nisur të bien, kjo nuk po e pengon frekuentimin e zonës turistike të Shëngjinit.

Në të gjithë vijën bregdetare, nga Rana e Hedhun e deri në Kunë, vijon të ketë pushues, ku dominojnë shtetasit nga Kosova. Të shumtë janë ata që kanë vendosur t’i kalojnë pushimet në këtë periudhë e të tjerë zgjedhin që të kalojnë fundjavën në Shëngjin. “Unë jam kosovar, por jetoj e punoj prej vitesh bashkë me familjen në Gjermani. Kam ardhur në Shëngjin që prej datës 1 shtator dhe do të qëndroj edhe për disa ditë. Këtu kam ardhur dhe herë të tjera dhe është një vend i mrekullueshëm, i cili ka njohur mjaft zhvillim gjatë viteve të fundit. Tani në shtator i morëm pushimet në vendin ku punoj e jetoj, ndaj dhe isha i detyruar që të vij në këtë periudhe. Për fat të mirë, moti ka qenë i mirë dhe po e kalojmë shumë mirë këtu në Shëngjin”, thotë Lavdrim Berisha nga Kosova.

“VIJ NË SHTATOR, ËSHTË MË QETË”

Në Shëngjin ka edhe njerëz që kanë zgjedhur vetë që t’i kalojnë pushimet në këtë periudhe vjeshte, teksa qetësia në plazh është arsyeja kryesore. “Unë jam prej disa ditësh në Shëngjin dhe kjo është periudha më e mirë për pushime, sepse në muajt korrik dhe gusht është zhurmë dhe kaos i vërtetë. Tani është qetësi dhe po e kalojmë shumë mirë. Edhe moti ka qenë premtues dhe shpresoj të mbajë edhe disa ditë kështu, sepse ne e kemi vendosur që të qëndrojmë për pushime deri me datë 15 shtator. Shëngjini ka njohur zhvillim të madh dhe kushtet janë përmirësuar shumë. Ka rregull, pastërti dhe jemi shumë të kënaqur”, thotë një pushuese nga Kosova.

Ndërsa një tjetër kosovar, ndikuar nga moti i qëndrueshëm, shprehet se ka ardhur për të kaluar fundjavën në Shëngjin. “Pushimet i kemi bërë në muajin korrik, ku qëndruam për 10 ditë këtu në Shëngjin. Por duke qenë se moti është i mirë u rikthyem për të kaluar fundjavën dhe do të qëndrojmë edhe pak ditë. Kjo në fakt është një periudhë fantastike për plazh, pasi nuk ka shumë njerëz dhe është qetësi”, thotë pushuesi nga Kosova.

PRENOTIME TË SHUMTA EDHE GJATË SHTATORIT

Pronotimet për gjysmën e parë të muajit shtator kanë qenë të kënaqshme në hoteleritë e Shëngjinit. Operatorët turistikë thonë se ky vit ka qenë i suksesshëm dhe nëse moti do të jetë premtues, pritshmëritë janë që të ketë pushues deri në fund të këtij muaj. “Të them të drejtën, ky vit ka qenë mjaft i suksesshëm, sidomos në muajin gusht kemi qenë me kapacitet të plotë. Por edhe shtatori po ecën mirë. Aktualisht 50% të dhomave të hotelit i kam të zëna dhe dominojnë shtetasit kosovarë. Moti i mirë na ka favorizuar dhe po vazhdoi kështu mendoj se deri në fund të shtatorit do të punojmë mirë. Kjo na ndihmon ta marrim veten, pas një viti të vështirë që kaluam nga pandemia në vitin 2020”, thotë Leon Sulaj, administrator i një hoteli në Shëngjin.

Ndërsa Nureman Hasani, i cili ka një biznes shërbimi në vijën e parë të plazhit, thotë se çdo vit e ka mbyllur aktivitetin me datë 5 shtator, por këtë vit vijon të qëndrojë hapur. “Çdo vit e kam mbyllur aktivitetin në fund të muajit gusht apo maksimumi deri më datën 5 shtator, sepse nuk kishte punë. Por ky sezon është krejt ndryshe. Po shkojmë në gjysmën e muajit shtator dhe këtu vijon që të kenë njerëz dhe të them të drejtën, po punojmë mirë. Normalisht që qëndrojmë hapur dhe do të ofrojmë shërbime për sa kohë të ketë pushues. Sigurisht që dominojnë shtetasit kosovarë dhe jemi shumë të kënaqur që vazhdojnë të jenë besnikë ndaj Shëngjinit. Edhe në kushte pandemia gjatë vitit 2020 nuk kanë munguar këtu”, thotë Hasani.

KRYEBASHKIAKU PJERIN NDREU: SEZON I SUKSESSHËM

Kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, thotë se ky sezon i ka tejkaluar pritshmëritë, pasi numri i pushuesve i ka tejkaluar shifrat e vitit 2019, saqë në muajin gusht nuk ka pasur kapacitete akomoduese në Shëngjin. “Ky sezon turistik i ka tejkaluar pritshmëritë, saqë në muajin gusht në Shëngjin nuk ka pasur kapacitete akomoduese. Ende nuk kemi bërë bilancin dhe nuk kemi të dhëna të sakta, por janë tejkaluar shifrat e vitit 2019. Kjo na gëzon se qëllimi ky: pjesëmarrja sa më e lartë e njerëzve dhe të ndjerit mirë e tyre. Në këtë drejtim, normalisht që ka ndikuar përmirësimi i shërbimeve”, thotë Ndreu.

Ndreu thotë se më shumë se gjysma e pushuesve në plazhet e Lezhës kanë qenë shqiptarë të Kosovës. “Mbi 60% e pushuesve kanë qenë shqiptarë të Kosovës. Kjo tregon se ata vijojnë të qëndrojnë besnikë ndaj Shëngjinit, por nuk kanë munguar as turistët e huaj, të cilët kanë qenë të shumtë në numër dhe vijon të ketë edhe në këtë periudhë. Qëllimi ynë është që të kemi një sezon turistik sa më të gjatë dhe për këtë po bashkëpunojmë ngushtë edhe me bizneset për të ofruar shërbime deri në largimin e pushuesit më të fundit”, shton Ndreu. Operatorët turistikë dhe pushteti vendor garantojnë së shërbimet në Shëngjin do të jenë prezente deri në largimin e pushuesit më të fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura