Xhelili i shpëton prangave, hetohet i lirë. Sekuestrohet kontrata e punës

May 13, 2016 | 12:54
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Policia e Peshkopisë ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për Shukri Xhelilin, ish-kreun e Bashkisë së Dibrës, raporton “Ora news”.

Prokuroria e Dibrës ka shkuar në zyrën e ish kryetarit të Bashkisë për të sekuestruar kontratën e punës së 20-vjeçares si dhe praktikën e emërimit të denoncueses.

Burimet nga kjo prokurori i thanë ‘Ora News’ se Xhelili do të hetohet në gjëndje të lirë për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ky i fundit u shoqërua sot paradite në polici për të dhënë shpjegimet e tij pasi u përfshi në një videoskandal publikuar dje në media ku shihej teksa i kërkonte favore seksuale një vajze në këmbim të vendit të punës.

xhelili2-640x355

Lajmi për shoqërimin erdhi vetëm pak momente pas vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.

“Ish kreu i Bashkisë po merret në pyetje nga prokurori i rrethit Dibër dhe nga oficerët e policisë gjyqësore. Shoqërimi është bërë në lidhje me videon e shfaqur mbrëmë në një media”, thanë burimet.

Qeveria në vendimin e publikuar sot, e arsyetonte “për shkak të shkeljeve të rënda”, shkarkimin e Xhelilit.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike nga televizioni “Ora Neës” ndaj kryebashkiakut Xhelili, ndërsa Prokuroria e Dibrës ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Në zgjedhjet për pushtetin vendor të 21 qershorit 2015, 56-vjeçari Shukri Xhelili, kandidat i Partisë Socialiste në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mori 15.022 vota, ndërsa Ilir Krosi, i koalicionit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, mori 14.588.

Duke prezantuar Shukri Xhelilin gjatë fushatës zgjedhore, Kryeministri Rama e ka cilësuar kandidatin e djathtë të lodhur.

“Me këtë kryetarin e Bashkisë që e ndriti 12 vjet Peshkopinë dhe tani do marri e do drejtojë gjithë këtë zonë të madhe?!”, është shprehur Rama në Dibër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura