Videoskandali, flet Shukri Xhelili: Inskenim politik, vajza më provokoi

May 14, 2016 | 14:41
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, thotë se ngjarja e transmetuar në mediat vizive dhe e botuar në mediat e shkruara është e inskenuar nga kundërshtarë të tij.

Shukri XheliliAi paraditen e djeshme është paraqitur në Drejtorinë e Policisë Dibër dhe ka dhënë sqarimet e tij për videon, ku Xhelili dallohet ndërsa i kërkon marrëdhënie intime një 20-vjeçareje të punësuar prej tij.

Videon mësohet se ish-kryebashkiaku e ka parë në banesën e tij, në qytetin e Peshkopisë. Burime nga ky qytet thonë se bashkëshortja dhe fëmijët kanë mbajtur një qëndrim ekstrem ndaj veprimeve të kryefamiljarit, por vetë Xhelili u shpreh se:

“Jo vetëm familjarët e mi, por gjithë opinioni e ka kuptuar qartë se videoja është një inskenim i turpshëm, për të ulur imazhin tim. Ajo është realizuar nga kundërshtarët e mi”.

I pyetur se cilët janë këta kundërshtarë, Xhelili shprehet se ai ka dyshime të forta, por i mungojnë provat dhe nuk mund t’i bëjë publike.

Mësohet se ish-drejtuesi vendor, bashkë me avokatin mbrojtës, Bajram Istrefi, kanë dhënë sqarimet e tyre për videon, duke këmbëngulur se vajzës nuk i është ushtruar presion, por ajo e ka provokuar disa herë Xhelilin.

Sipas kryebashkiakut të shkarkuar pas gati dy vitesh në detyrë, vajzën e njihte prej rreth 1 viti dhe prej 3 muajsh ajo ishte punësuar prej tij në Pallatin e Kulturës. Në polici i janë komunikuar akuzat dhe fakti se do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Sipas ish-kryebashkiakut, vajza ka deklaruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër se gjithçka e ka bërë me vullnet të lirë dhe e pakërcënuar nga Shukri Xhelili. Ky i fundit ka premtuar se do të prononcohet më gjatë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ditët në vijim. Ndërkohë që mësohet se vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.

Brenda këtyre ditëve, avokatët e Xhelilit do të dorëzojnë ankimimin dhe presin që vendimi i qeverisë të pezullohet, ashtu siç ka ndodhur në raste të ngjashme. “Shpresojmë që Xhelili të kthehet në detyrë dhe të presë qetësisht hetimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor dhe pastaj vendimin e gjykatave”, thanë burime afër Shukri Xhelilit.

Ish-kryetari i Komunës Kala e Dodës në rrethin e Dibrës u shkarkua vite më parë nga qeveria e ish-Kryeministrit Berisha nga detyra, por Gjykata Kushtetuese e riktheu atë në detyrë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura