Juventus ka arritur sot fitoren e 10-të radhazi. Kampionët në fuqi të Seria A kanë mundur 4-0 në transfertë Udinezen. Zonja e Vjetër i shënoi që të katër golat në pjesën e parë. Fillimisht ishte Dybala në minutën e ’15, më pas Kedira tre minuta më pas dhe sërish Dybala me penallti në minutën e 26’. Tre minuta para përfundimit të pjesës së parë shënoi golin e fundit Aleks Sandro.
Ndërsa Lacio e Etrit Berishës nuk ka arritur të marrë më shumë sesa një barazim përballë Bolonjës. Portieri i kombëtares pësoi golin e parë që në minutën e dytë, të realizuar nga Xhakerini. Kurse në minutën e 18’ dyfishoi rezultatin Destro. Pas një pjesë të parë të dobët, loja për Lacion mori tjetër rrjedhë. Me ndëshkimin me karton të kuq të mbrojtësit të krahut të majtë të Bolonjës, Masina dhe akordimin e një penalltie, Kandreva ngushtoi rezultatin 20 minuta nga fundi. Gjashtë minuta më pas barazoi Luliç.
Lojtarët e Romë edhe pas shkarkimit të trajnerit kanë zhgënjyes sërish. Ata nuk arritën të merrnin më shumë se 1 pikë në “Olimpiko” edhe pse kundërshtar kishin ekipin më të dobët të Seria A. Verona e cila ka arritur deri në javën e 20-të të marrë vetëm 9 pikë, arriti të kundërpërgjigjej pas kalimit të Romës në avantazh në pjesën e parë me Naingolan. Për miqtë shënoi ish-sulmuesi i Milan, Pacini me 11-metërsh në minutën e ’61.
Sa u takon rezultateve të tjera, Xhenova shkatërroi 4-0 Palermon, Kapri mundi 2-1 Sampdorian, ndërsa Kievo Empoli u mbyll 1-1.
Me këtë fitore, Juventus ngjitet në vendin e dytë, ndërsa qëndron dy pikë më pak se Napoli në krye me 44 pikë. Në vendin e tretë është Inter me 40 pikë, ndërsa në të katërtin Fiorentina me 38 pikë, e cila në mbrëmje do të luajë ndaj Milanit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al