VIDEO / Vjen fitorja e parë, Mavraj feston në sytë e De Biazit

Feb 3, 2017 | 22:57
SHPËRNDAJE

Mërgim Mavraj gjen fitoren e parë me Hamburgun, skuadrën ku u transferua nga Këlni gjatë merkatos së janarit.

Ekipi verior mori tri pikë të rëndësishme falë suksesit 1-0 në shtëpi ndaj Bajer Leverkusenit në ndeshjen që ngriti siparin e javës së 19-të të Bundesligës.

Papadopulos

Golin që vendosi takimin e shënoi me kokë partneri i Mavrajt në qendër të mbrojtjes, greku Kiriakos Papadopulos, në minutën e 76-të.

Ndërkohë mbrojtësi i Kombëtares sonë ishte në fushë 90 minuta dhe bëri një paraqitje të mirë në sytë e trajnerit Xhani De Biazi, i cili ishte në stadium për ta ndjekur.

30-vjeçari i bëri mirë detyrat mbrojtëse, aq sa portieri Adler nuk u vu asnjëherë në provë. Po ashtu Mavraj u përpoq t’i jepte një dorë edhe sulmit veçanërisht në goditjet standarde. Mediat e vlerësuan me 6.5, nota më e lartë pas autorit të golit, i cili u vlerësua me 7.

Me këtë trepikësh Hamburgu ngjitet në kuotën 16 dhe lë përkohësisht vendin e parafundit në renditje, në pritje të Ingolshtadit që nesër luan në Berlin ndaj Hertës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura