VIDEO/ Pajisja përgjuese, Visho Ajazi në Komision: Rrezikon sigurinë

May 18, 2016 | 17:41
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas debateve në Komisionin e Sigurisë për pajisjen përgjuese të shumëpërfolur, ka dëshmuar në prani të kamerave edhe kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika.


Visho Ajazi flet për pajisjen pergjuese by gazeta-panorama

Ai tregoi se SHISH-i ka informacion vetëm që një pajisje ka hyrë në Shqipëri dhe është instaluar në Vlorë dhe përdoret për qëllime trajnimi.

Për këtë arsye, thotë ai, u njoftua Prokuroria për hetime të mëtejshme.

FJALA E VISHO AJAZI LIKES

Dy muaj të shkuara morëm informacion se një pajisje kishte ardhur në Shqipëri. Ne u informuam që ajo pajisje ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Se çfarë është kjo pajisje të gjithë mund ta shohin në internet.

Ajo pajisje na thanë se nuk ishte deklaruar. Për këto arsye, i shqetësuar se një pajisje e tillë mund të përdorej në mënyrë të paligjshme, raportova te Prokurori i Përgjithshëm. Kaq informacion kishim ne. Lidhur se me çfarë është thënë në media, ne refuzojmë të shkojmë publikisht se kemi punën tonë.

I kërkuam Prokurorisë të marrë informacione më shumë për këtë pajisje. Për asnjë moment ne nuk kemi kërkuar të zbulojmë si përdoret kjo pajisje se ne nuk kemi tagër. Është tagri i Prokurorisë, i vetmi informacion që kishim është që pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe përdorej për trajnim nga Policia italiane për policinë shqiptare. Të gjitha të tjerat janë nga Prokuroria, s’kemi asnjë informacion kush është përgjuar dhe si është përgjuar.

PYETJE PERGJIGJE

Kjo pajisje lejohet këtu? Është e ligjshme?

Nuk është në tagrin e Shërbimit për të përcaktuar ligjshmërinë e saj. Organi i vetëm që ne njohim për përgjim parandalues është Prokuroria e Përgjithshme. Është ajo që përcakton nëse pajisje të tilla duhen përdorur. Kjo pajisje nëse hyn në Shqipëri, Prokuroria duhet të japë OK e saj. Unë e kam raportuar vetëm te Prokurori i Përgjithshëm këtë, më vonë kam biseduar edhe me institucione të tjera të shtetit.

Pajisja është përdorur për trajnim apo keni informacione se është përdorur për përgjim? Prokurorin e Përgjithshëm e informuat me shkresë? Cilin drejtues të lartë të shtetit keni informuar? Keni kontaktuar ministrin e Brendshëm?

Ne nuk kishim informacion për çfarë është përdorur pajisja përderisa dinim se kishte shkuar për trajnim. Nuk kemi informacion që është përdorur për përgjim. Pas Prokurorit të Përgjithshëm jam thirrur nga Presidenti. Nuk kam kontaktuar me ministrin e Brendshëm.

Kush ka tagër të bëjë përgjim? Punonjësit e Policisë që trajnohen? Çfarë kapaciteti ka kjo pajisje? Ka të drejtë ministri i Brendshëm ta përdor pa lejen e Prokurorit?

Është një pajisje e domosdoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Është krejt legjitime për ta pasur atë. Nuk e kam parë asnjëherë këtë pajisje, nuk kam informacion për kapacitetet. Pajisje të tilla janë mjaft të fuqishme.

Në katër vjet ka pasur pajisje të tjera që kanë cenuar sigurinë kombëtare? Pse nuk e keni informuar kryeministrin, pse nuk e keni zbatuar ligjin?

Për pyetjen e parë ruaj diskrecionin për t’u përgjuar. Duke informuar Prokurorin e Përgjithshëm që është personi përgjegjës për përgjimet, unë kreva detyrën time. Ai ishte informacion i pakonfirmuar dhe nuk mund ta informoja kryeministrin për një informacion të pakonfirmuar.

A përbën kjo pajisje kërcënim për sigurinë Kombëtare?

Në opinionin tonë po, nëse është e vërtetë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, nëse kjo pajisje është me kapacitete përgjuese, të gjithë krerët e shtetit janë vulnerabël për tu përgjuar. Pjesa se si është futur në Shqipëri duhet të shikohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Pse ia keni thënë me gojë Prokurorit të Përgjithshëm dhe jo me shkrim? Pajisja është gjurmimi apo përgjimi? Ka ardhur nëpërmjet shërbimeve të aleatëve apo përmes linjave të tjera që nuk dihen?

Kishim indicie se një pajisje e tillë ka hyrë. Nuk e kishim informacionin me shkrim. E kam ndarë me gojë me Prokurorin e Përgjithshëm. Është praktikë botërore që jo gjithçka shkruhet. Unë nuk e mora me shkrim informacionin, prandaj edhe nuk ia çova me shkrim Prokurorit të Përgjithshëm. Presidenti më kërkoi që të raportoja për atë që dija dhe këtë kam bërë.

vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura