VIDEO/ “Vërtet fantazi e tepruar, shqetësuese që Presidenti…”, zëdhënësi i Metës i përgjigjet Lleshajt, kujton kohën kur Rama ftonte policët të mblidhin vota për PS

Jul 14, 2020 | 15:46
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se Presidenti Meta “ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni”.

Duke iu referuar kthimit të ligjit në Kuvend nga Meta, Lleshaj tha sot se “është për të ardhur keq që Presidenti ka shquar edhe disa nuanca elektorale tek ligji i miratuar”.

“Është shqetësuese në fakt se Presidenti shquan nuanca elektorale. Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici”, tha Lleshaj.

Sakaq, zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, iu përgjigj ministrit të Brendshëm lidhur me dekretin e kreut të shtetit për kthimin e ligjit për Vetingun në Polici, Gardë e SHÇBA.

Në një postim në rrjetet sociale, Blushi ka publikuar një video nga fushata e 2017-ës, ku Rama i bënte thirrje punonjësve të Policisë që pasi linin punën, të angazhoheshin për të mbledhur vota për PS.

“I bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në momentin që lënë uniformën pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS”, thoshte Rama asokohe.

Ndërsa Blushi shkruan: Një kujtesë për z.Lleshaj!

Policia e Shtetit nuk mund të mbahet peng i vetting-ut selektiv për t’i bërë fushatën partisë!”

Më herët, ministri Lleshaj dha argumentat e tij përse duhet rrëzuar dekreti i Presidentit, që riktheu ndryshimet në ligjin për Vetingun në Polici, Gardë e SHÇBA.

Fjala e plotë e Lleshajt:

“Presidenti ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni. Në fakt “si një forcë ndëshkuese e mekanizmit të vlerësimit kalimtar” pra vetingu, e citova këtë nga dokumenti i ardhur nga Presidenti, pra e konsideron një forcë ndëshkuese.

Nëqoftëse duam ta konsiderojmë presion, le ta konsiderojmë presion. Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo të merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Pra, Vetingu është një proces i përhershëm, jeta në Polici dhe në Gardë dhe në shumë struktura ligjzbatuese është në një proces Vetingu të pafund, të përhershëm dhe këtu nuk ka asgjë të re.

Është për të ardhur keq që Presidenti ka shquar edhe disa nuanca elektorale tek ligji i miratuar. Në thelb çfarë ndryshimesh sjell ky ligj? Vetëm një element. Ligji rifut në funksion Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit (KJV), i cili ka mbyllur aktivitetin për shkak se ligji i ka vënë një afat qershorin e këtij viti. Aktualisht KJV është pezulluar, i ngrirë, për arsye se i ka ikur afati ligjor për të ushtruar mandatin. Çfarë kërkojmë? Parlamenti tashmë ka kërkuar që ky Komision të vazhdojë ta mbyllë misionin e tij.

Është shqetësuese në fakt se Presidenti shquan nuanca elektorale. Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici. Ne, përkundrazi, besojmë që sa më e pastër të bëhet Policia, Garda dhe SHÇBA, aq më të mira bëhen kushtet që këto institucione të kryejnë me integritet dhe përgjegjësi ligjore punën e tyre.

Është për të ardhur keq gjithashtu që Presidenti në shumë pasazhe të dokumentit që ka sjellë, përdor termin “ngjan me”, “duket se”, “ka mundësi që”. Janë shprehje të një karakteri shumë evaziv, që në gjykimin tim nuk e kanë vendin në një dokument të këtij niveli presidencial. “Ngjan me”… edhe unë mund të ngjaj me dikë tjetër, por nuk jam ai tjetri. Ndërkohë që këtu përdoren si argumente.

Vijmë te një çështje tjetër, që ka të bëjë me shqetësimin e Presidentit për kontrollin politik ndaj SHÇBA-së. Është e vërtetë që Policia, SHÇBA, Garda, përgjithësisht institucionet ligjzbatuese në vend, i gjithë aparati ekzekutiv shtetëror, është në varësi politike, është në varësi të qeverisë, por kjo është gjëja më normale në një sistem demokratik, ky qytetarët zgjedhin parlamentin dhe parlamenti zgjedh një qeveri.

Qeveria në fakt ushtron mandat politik në emër të qytetarëve. Dhe institucionet duhet të jenë dhe janë në varësi të qeverive. Ky është thelbi i demokracisë. Unë nuk kuptoj se në varësi të kujt duhet të ishin, nëqoftëse nuk do të jenë në varësi të Ministrit, apo në varësi të qeverisë?! Nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, kështu që shqetësime të kësaj natyre duken vërtet të pakuptueshme dhe të papranueshme. Sepse edhe krijimi apo tentativa për të krijuar një ide që varësia e institucioneve ligjzbatuese te qeveria qenka problemi është shumë e rrezikshme, sepse kjo është A-ja e shtetit.

Nëqoftëse ekzistojnë dyshime për një ministër të caktuar, apo një qeveri të caktuar, dyshimi nuk kthehet kundër sistemit. Në qoftë se paska rrezik që një ministër i caktuar po themi, mund t’i përdorë politikisht, ose keqpërdori politikisht kompetencat që i janë dhënë, çështja shtrohet ndaj individit, por jo ndaj sistemit. Nuk mund të pretendojmë ne dhe s’mund të guxojmë të mendojmë që të ndërtojmë një sistem ku institucionet nuk janë në varësi të qeverisë, e cila jep llogari te qytetarët. Nuk mund të mendojmë të krijojmë një sistem burokratik me institucione, të cilat janë jashtë kontrollit demokratik, i cili ushtrohet nga parlamenti dhe nga qeveria në emër të qytetarëve.

Kështu që tentativa për të krijuar imazhe pavarësie jashtë institucioneve është një tentativë, e cila i bën dëm të madh vetë demokracisë. Është e rëndësishme të kuptojmë gjithmonë që pavarësia e institucioneve është pavarësia e vendimmarrjes së tyre, e cila duhet bazuar në ligj, dhe jo shkëputje e tyre nga sistemi. Nuk mund t’i bëjmë institucionet e pavarura duke i shkëputur nga sistemi. Por, institucionet bëhen të pavarura kur atyre u jepet mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës së tyre dhe ju kërkohet që ta ushtrojnë detyrën dhe përgjegjësinë të bazuar në ligj, kjo është pavarësia. Jo kur vendosen strukturalisht, ku i marrin pagat, dhe ku japin llogari për realizimin e objektivave dhe prioriteteve të tyre.

Në përgjithësi unë do të thosha që nuk kemi asnjë mundësi për t’i mirëkuptuar arsyet e Presidentit për kthimin e këtij ligji mbrapsht. Nëqoftëse ne do ta pranonim kthimin e ligjit mbrapsht, ky do të kishte vetëm një pasojë, do të ndërpriste përfundimisht procesin e Vetingut në PSH, duke i dhënë goditje të madhe gjithë përpjekjes për të kryer një proces verifikimi të integritetit të gjithë sistemit të drejtësisë dhe sistemit të agjencive ligjzbatuese që e mbështesin atë, që është kryesisht PSH.

Ju ftoj të nderuar deputetë të rrëzohet dekreti i Presidentit, sepse përmes këtij vendimi ne i japim udhë vijimit të procesit të Vetingut në PSH. Proces, i cili duhet të bëhet për shumë arsye, por edhe për një arsye fare të thjeshtë, sepse ai ka filluar tashmë. I ka dhënë efektet e para dhe nuk mund të krijojmë pra një situatë pabarazie, disa kanë kaluar procesin disa të tjerëve jua anulojmë për një arsye që nuk mbështetet asgjëkundi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura