VIDEO/ U rrit jetim, i moshuari nga Mirdita feston 100 vjetorin e lindjes në kullën shekullore! Preng Doda gëzon shëndet të plotë, sfidoi edhe Covid-in

May 27, 2023 | 13:39
SHPËRNDAJE

Preng Doda nga fshati Blinisht i Mirditës feston 100 vjetorin e lindjes. Mund të jetë nga të paktët 100 vjeçarë në vendin tonë që ka sfiduar probleme të shumta dhe sëmundje, por vazhdon të gëzojë shëndet fizik e mendor të mirë.

U rrit jetim, pasi nëna i ndërroi jetë kur ishte i mitur. Ka dashur të shkollohet, por kushtet e vështira të jetesës e penguan.

“Nëna më la 12 vjeç dhe nuk më çuan në shkollë. Bëri shkolla më pas Italia por më kishte ikur mosha. Kam punuar në punë shteti punëtor, në gjeologji, në ndërtim. Pa shkollë dhe pa zanat”, tha ai.

100 vjeçari Preng Doda i mbijetoi dhe Covid-it: “Jam akoma gjallë jam i fortë në fizik, virusi më fali, më fali hasmi, nuk më vrau. Jam mirë, me oreks jam mirë.”

Veç fizikut të fortë, ka memorie të jashtëzakonshme. Ai mban mend të gjitha qeveritë duke filluar nga ajo e Zogut.

“Mbaj mend pak kohën e Zogut, më pas Italinë dhe Gjermaninë. Më pas e mori partia, Enver Hoxha diktator. Më pas erdhi demokracia. Kush e ka popullin me vete ai ka perëndinë me vete ka shumicën me vete. Ta drejtojnë popullin me drejtësi”, tha ai.

Doda është baba i 7 fëmijëve, gjysh i 20 nipërve dhe mbesave dhe është bërë 5 herë stërgjysh. Për respekt të tij të afërmit e miqtë u mblodhën të festojnë datëlindjen e Preg Dodës në kullën e tij shekullore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura